Marrëdhënie

June 16, 2018 | 9:00

Marrëdhënia në çift është komplekse si vera e mirë!

 

Përgatiti Manjola Ereqi

Marrëdhënia në çift është e karakterizuar nga një ndërveprim dinamik dhe i vazhdueshëm mes dy njerëzve, të cilët komunikojnë në bazë të njohjes reciproke, pak a shumë të thellë mes njëri-tjetrit. Dhe është pikërisht ky aspekt, pra, njohja e partnerit elementi më kritik dhe emblematik i jetës në dy, e cila gjithnjë e më shpesh u rezervon surpriza të pakëndshme.

2Sugjerimet që kemi përzgjedhur janë rregulla të shëndetshme, që përbëjnë vetëm bazën për të rinisur një proces reciprok e të thellë njohjeje. Nëse nga njëra anë është një kurë e mirë për të mos jetuar në një marrëdhënie si të huaj, nga ana tjetër duket si ilaçi më i mirë për të parandaluar të këqijat e shkaktuara nga rutina, duke filluar nga mërzia, deri tek apatia.

Është thelbësore edhe për të promovuar një komunikim të mirë ndërpersonal me respekt reciprok, besim, lumturi dhe mirëqenie për të dy partnerët.

1

Jepini hapësirë dashurisë | Gjeni gjithmonë gjatë ditës kohën dhe mënyrën për t’i thënë partnerit “të dua”. Mund të duket banale, por është shumë e rëndësishme ta bëni, sigurisht me kushtin që ta dëgjoni dhe ju këtë fjali. Çfarëdolloj mënyre është e mirë: mund të mjaftojë një lule, një përkëdhelje, një mendim i bukur, një telefonatë, një surprizë, të cilat do ta bëjnë të kuptojë që e dashuroni dhe se është shumë i rëndësishëm për ju. Në fund të fundit, rëndësi ka mendimi!

Komunikoni haptas dhe ndershmërisht | Në situatë mendimesh të kundërta, kontrasti dhe/apo konflikti është e rëndësishme të përballeni në harmoni dhe të dëgjoni me qetësi, respekt dhe empati edhe arsyet dhe këndvështrimet e partnerit, pa pasur asnjë paragjykim. Nuk është një lojë ku duhet të fitojë patjetër njëri nga të dy. Nëse është e mundur, mos lini të kalojnë më shumë se 24 orë nga grindja që të zgjidhni problemin, por kalojeni sa më shpejt situatën konfliktuale. Është mirë të keni parasysh që kontrastet dhe konfliktet – tejet normale për një çift – mund të përfaqësojnë një moment reflektimi, me vetëdije të madhe për partnerin, për përballjen dhe për rrjedhojë edhe për rritjen dhe zhvillimin e çiftit. Megjithatë, këto situata, siç ndodh shumë shpesh mund edhe të shndërrohen në një kurth për marrëdhënien, e cila rrezikon të boshatiset nga çfarëdolloj ndjenje dhe njëri nga dy partnerët dëmtohet rëndë psikologjikisht.

Prandaj, kur ndodheni në situata konflikti të dëshpëruar, është e rëndësishme të pyesni veten, nëse dëshironi të ndërtoni një marrëdhënie më të mirë apo nëse doni të shkatërroni edhe atë që keni ndërtuar.

Pranoni gabimet tuaja | Duket e lehtë, por jo të gjithë ia dalin ta bëjnë këtë gjë, sepse të pranosh se ke gabuar kërkon përulësi, kurajë dhe mbi të gjitha inteligjencë sociale dhe emotive. Një sjellje inteligjente dhe emotive parashikon një strategji të pagabueshme në tri pika:

  1. a) Të pranoni gabimet tuaja pa u zgjatur dhe pa e stërholluar bisedën;
  2. b) Të kërkoni sinqerisht ndjesë për gjithçka ka ndodhur;
  3. c) Të përkushtoheni që të mos e përsërisni më gabimin e bërë.

Çiftet që kanë zgjedhur pikërisht këtë parim thelbësor komunikimi ndërpersonal kanë jetë të gjatë. Ndërsa ata që zgjedhin lojërat e tipit: “kokën nën rërë si struci” apo “hedh gurin e fsheh dorën” i kanë ditët e numëruara, ku i pret pa dyshim edhe vuajtja e paevitueshme.

Mësoni të falni dashuri  |  do të thotë mbi të gjitha të keni aftësinë për të falur. Falja është një akt dashurie që u përket njerëzve që kanë një zemër bujare. Kush nuk di të falë, nuk mund të thotë se di të dashurojë me të vërtetë. Ka situata në të cilat falja, në vetvete e vështirë për t’u dhënë, përfaqëson rrugëdaljen e vetme, ndonjëherë me çmim shumë të lartë, por është një investim gjithmonë i leverdishëm, nëse bëhet fjalë për dashuri të vërtetë. Në rast të kundërt, nëse nuk e falni partnerin, me siguri do të gjendeni mbushur me krenari, por njëkohësisht edhe më të zbrazur nga brenda.

Hiqni dorë nga përsosmëria | Të keni parasysh se askush nuk është perfekt, është një rregull i artë, shpesh i harruar, i cili mund të evitojë tensione të kota, ankth dhe stres në çift. Nëse nuk i pranoni limitet e partnerit ose nuk toleroni defektet e tij, me shumë gjasa nuk e doni mjaftueshëm ose ndoshta keni një vizion të shtrembëruar dhe fëminor për dashurinë. Kjo gjë mund të gjenerojë edhe konflikte të forta në marrëdhënie, por në atë pikë është mirë të pyesni veten për arsyet thelbësore të zgjedhjes dhe të jepni përgjigje koherente. Me pak fjalë, të pretendoni përsosmërinë në marrëdhënien në çift apo nga partneri është njësoj si t’i kërkoni një kali të fluturojë… nuk do të jetë asnjëherë i aftë ta bëjë!

Nga ana tjetër, duhet të mësoni të pranoni limitet tuaja dhe të partnerit dhe të dini të jeni mbi të gjitha tolerantë për ato gjëra që nuk ju pëlqejnë te personi me të cilin keni vendosur të ndani projektet për jetën. Pa dyshim nuk është e lehtë, por është prova e një pjekurie të madhe dhe e një ekuilibri të shëndoshë të brendshëm.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top