Nga: Albana Baze
Çdo marrëdhënie brenda familjarëve, kryesisht marrëdhënia prind-fëmijë, ndërtohet mbi marrëdhënien ekskluzive, intime dhe unike, me varësi të plotë te ato struktura sociale, kulturore, ekonomike që rrethojnë familjen.
Marrëdhënia Prind-Fëmijë, kryesisht është studiuar në kulturat perëndimore dhe nga kërkues shkencorë, të cilët kanë pasur lidhje apo jetuar në këto kultura. Për rrjedhojë, perspektiva e tyre e të kuptuarit të marrëdhënies prindfëmijë është ndërtuar mbi bazën e konceptimit perëndimor. Po t’i hedhim një sy teksteve bazë të shkencave shoqërore që studiohen nga studentët tanë ato trajtojnë teori klasike të zhvillimit. Për më tepër, shumë nga këta studiues janë fokusuar mbi rolin e shoqërive të pavarura dhe kolektiviste të cilat predikojnë faktorë lidhur me pavarësinë që influencojnë varësinë në disa fenomene të ndryshme, e sidomos atë të raporteve që ndërtohen në familje. Koncepti se fëmija socializohet fillimisht në familje është natyrisht fenomen global. Prindërit në kultura të ndryshme e në kontekste të ndryshme familjare hasen me procedura të njëjta kur fëmija vjen në jetë si një qenie e pambrojtur: ushqimi, belbëzimet e para, veshja, përkujdesi emocional, të qarat dhe të qeshurat e para, e kështu deri në maturi. Megjithatë, në pozicionin e psikologes së zhvillimit kulturor, fokusi im i jep peshë faktorit kulturë, që do të thotë se zhvillimi, të mësuarit dhe stilet e prindërimit kanë varësi te konteksti socio-kulturor. Me fjalë të tjera, neglizhimi i mendimit se zhvillimi i marrëdhënies prind-fëmijë merr forma të ndryshme në varësi të këtyre konteksteve, do të përbënte problem në botën e globalizuar.
***
Personalisht jam e mendimit se nuk ka një strukturë universale të një familje. Si rrjedhojë besoj se çdo marrëdhënie brenda familjarëve, kryesisht marrëdhënia prind-fëmijë, ndërtohet mbi marrëdhënien ekskluzive, intime dhe unike, me varësi të plotë te ato struktura sociale, kulturore, ekonomike që rrethojnë familjen. Ekziston një supozim i përgjithshëm se familje në kultura të ndryshme përcjellin vlera të ndryshme te fëmijët e tyre. Për shembull, familjet afro-amerikane janë kryesisht familje të zgjeruara, dhe se familjet e zgjeruara kanë influencë me peshë mbi stilet e prindërimit. Vlerat më domethënëse që prindërit u përcjellin fëmijëve të tyre janë respekti ndaj të rriturve, ndaj moshës së tretë, etj. Theksi bie te bindja e fëmijëve ndaj autoritetit të prindërve dhe konflikti prind-fëmijë është vlerësuar si mungesë respekti nga ana e fëmijëve. Së dyti, në familjet me origjinë latine, prindërit inkurajojnë një ndjesi varësie brenda familjes, por dhe te kushërinjtë, etj. Networku mbështetës social nga familjarët është në qendër të interesave të këtyre familjeve. Vlerat e mësuara nga prindërit përcillen në lidhje me besimet fetare. Fëmijët priten të jenë dëgjues të mirë dhe bindës ndaj prindërve, të ndjekin rregullat e familjes, të kthyerit të fjalës vlerësohet si sjellje e padenjë. Dhe në këto familje, respekti ndaj prindërve është një nga vlerat e përcjella nga prindërit. Së treti, familjet amerikane apo ato të Evropës perëndimore drejtohen nga prindër me orientim individualist. Fëmijët rriten me synimin për të qenë ekspresivë dhe të pavarur. Konflikti në këtë kulturë është parë ndryshe nga ajo e familjes latine apo afrikane. Monitorimi prindëror nuk është gjithmonë i theksuar dhe komunikimi prind-fëmijë nuk është i ngrohtë, siç është në shoqëritë kolektiviste, ku familjet janë më socio-centrike dhe të varura nga njëra-tjetra. Për më tepër, fëmijët priten të marrin vendime dhe prindërit priten të respektojnë vendimet e tyre. Ndërsa në vendet kolektiviste fëmijët shpeshherë janë perceptuar si mbështetës materialë në një të ardhme të largët, fëmijët në vendet individualiste shihen si psikologjikisht pa çmim. Natyrisht, i rëndësishëm është fakti se si qytetarë evropianë, ne nuk duhet kurrsesi të mendojnë se të gjitha kombet mund të mbajnë njërën nga këto emërtesa – ose individualist, ose kolektivist. Ajo që është shqetësuese me dikotominë kolektivizëm-individualizëm është pikërisht se këto koncepte të ndara që trashëgohen në breza mund të thellojnë paragjykimet dhe stereotipet që do të shoqëronin individin në çdo aspekt të jetës së tij në marrëdhënie me individë të kulturave të ndryshme. Së dyti, nëse thjesht do bënim një vëzhgim të shpërbërjes së familjeve bërthamë sot do të vinim re se ato përbëhen nga individë që gërshetojnë vlera kolektiviste dhe individualist, pra, që këto dy karakteristika në nivel individual dhe shoqëror mund të qëndrojnë shumë mirë bashkë. Kulturat, a nuk përbëhën ato nga shoqëritë? Duke u nisur nga këto diferencime, lidhur me konceptimin e familjeve në kontekste të ndryshme kulturore, ekziston një tjetër anë e medaljes. Profesoresha Cigdem Kagitcibasi (‘96; 2005) nga Universiteti Koc në Stamboll kontestoi mbi nocionin se shoqëritë moderne do shoqërohen në nivel universal me transformimin e modelit të familjes nga e varur në atë të pavarur. Pas hulumtimeve të saj, Prof. Kagitcibasi propozoi modelin sintetik te familjes se varur emocionalisht dhe psikologjikisht. Koncepti se prindërit mund të jenë dhe autoritarë dhe t’u mësojnë fëmijëve vlerat që do t’i mbanin ata të lidhur, por jo të varur, me familjarët dhe në një moshë të maturuar, do balanconte autonominë e individit, por dhe ndërlidhjen në kontekste të ndryshme kulturore. Më specifikisht, ky propozim rezultoi se prindërit që kanë një disiplinë të fortë (kontroll autoritar) mund të jenë të dashur dhe mbështetës njëkohësisht. Shumë njerëz do ta gjenin të çuditshëm këtë kombinim, pasi ekziston një supozim se kontrolli prindëror shoqërohet me një refuzim që nuk inkurajon pavarësinë. Paralelisht ekziston dhe pikëpamja individualiste, ku prindërit që janë më liberal, lejojnë fëmijët të jenë më të pavarur, gjë që perceptohet se do të sillte një ndarje dhe individualizmi sjell autonomi. Ky artikull nuk do të quhej i plotë nëse do të përfundonte këtu, megjithatë, ajo që vlen të kuptohet është:
1) Shoqëritë Individualiste dhe Kolektiviste brenda një kombi mund të bashkëjetojnë.
2) Familjet me orientim egocentrik dhe sociocentrik gjithashtu bashkëjetojnë.
3) Individë të pavarur dhe me varësi të plotë ekzistojnë dhe jetojnë brenda një komuniteti, por dhe familjeje.
4) Për rrjedhojë, autonomia dhe kontrolli prindëror gërshetohen drejt një modeli të shëndetshëm human.
5) Marrëdhënia prind-fëmijë është fenomen dinamik, me disa drejtime me varësi të plotë te konteksti sociokulturor.
Botuar në revistën Psikologjia, Qershor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.