Psikofakt

December 1, 2015 | 10:28

Marrëdhënie e (pa)përsosur?

MondiNga Edmond Tupja

Siç dihet, marrëdhënie në gjirin e çiftit përbën shpesh një objekt studimesh në mjediset e psikologëve. Gjithsesi, rrallëherë dëgjojmë të flitet për çifte në gjirin e të cilëve marrëdhënia të jetë e përsosur, kjo kuptohet: Jeta e përditshme nxjerr përherë probleme ndaj të cilave partenerët reagojnë deri diku në mënyra të ndryshme për arsye subjektive, por edhe objektive, çka na shpie drejt përfundimit se çifti me një marrëdhënie të përsosur duket se është më shumë një nocion teorik sesa një realitet konkret.

Një provë e pakundërshtueshme e tezës që sapo përmendëm është numri në rritje, në shoqëritë e sotme, i divorceve, pra i shpërbërjes së çiftit. Them “në shoqëritë e sotme” duke pasur parasysh ato që janë të emancipuara, ku, si parim, por edhe si praktikë, mashkulli nuk ia imponon ose, të paktën, përpiqet sinqerisht të mos ia imponojë femrës mendimin dhe vullnetin e tij, ndryshe nga ajo që ndodh në shoqëritë patriarkale ose në ato me prirje obskurantiste. Mirëpo, nga ana tjetër, edhe në gjirin e vetë shoqërive të emancipuara, jo rrallëherë, në pavetëdijen e mashkullit edhe më të emancipuar rizgjohen herë pas here disa impulse atavike që e shtyjnë atë t’i imponojë femrës mënyrën e tij të të parit të gjërave, të të shtruarit të problemeve dhe të zgjidhjes së tyre.

Një marrëdhënie krejt e përsosur, pra, mund të ekzistojë vetëm in abstracto midis partnerëve të një çifti, sepse duhet pranuar ideja sipas së cilës është thuajse e pamundur t’i japësh tjetrit/tjetrës po aq sa ke marrë prej atij/asaj; jo më kot një proverb nga Lindja e Largët thotë se sekreti i lumturisë në marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi përmblidhet me këtë këshillë të urtë: “Jep gjithmonë sa më shumë, pavarësisht se, në këmbim, mund të marrësh më pak”. Në rastin e një çifti, kjo do të thotë se një herë do të japë më shumë njëri/njëra prej partnerëve dhe një herë tjetra/tjetri. D.m.th. se përsosuri absolute nuk ka, kurse ekuilibër po, veçse një ekuilibër me kahje nga përsosuria, një ekuilibër i bazuar te dialogu në gjirin e çiftit.

Nga ana tjetër, një marrëdhënie nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, ajo ndërtohet e shndërtohet për t’u rindërtuar, shpërbëhet e ribëhet në përshtatje me karakteret dhe rrethanat, vazhdimisht në kërkim të një ekuilibri tê brishtë, por të çmuar. Prandaj, në shoqëritë e emancipuara, gjithçka, veçanërisht arsimi dhe kultura, duhet të rrahë pikërisht në drejtim të vendosjes së dialogut jo vetëm në themel të marrëdhënies në gjirin e çiftit, por edhe në kuadrin e tërë marrëdhënieve ndërindividuale dhe shoqërore.

Një shkrimtar francez ka shkruar se përsosuria në art arrihet, nëse arrihet, jo kur veprës artistike nuk ke më çfarë t’i shtosh, por kur nuk ke më çfarë t’i heqësh, gjë që ndodh rrallëherë. Çka, me gjasë, duket se është e vërtetë edhe për jetën në çift, në marrëdhëniet midis partnerëve, aq të ndërlikuara, por aq domethënëse për ekzistencën e shëndetshme të çiftit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top