Dëshmi

September 21, 2018 | 12:16

Marsela Karapanço: Adhuroj shkëlqimin e diellit!

Kjo është periudha më e denjë për një “binjake” si ajo. Marrëdhënia me dritën, zgjatja e ditës e gjithçka përkufizon harmoninë që sjell pranvera, i reflekton bukurisë që ka edhe ndjesitë pozitive në aspektin emocional. Gazetarja Marsela Karapanço pohon se shkëlqimi i diellit dhe ngrohtësia e tij janë arsye më shumë për të gëzuar dhe shijuar energjitë që merr falë tij.

Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ

Unë jam shenja e binjakëve dhe si shenjë e ajrit kam një lidhje të pandashme me natyrën. Koha gri e një dite dimri mund të shquhet lehtësisht në fytyrën time, ku herë pas here tenton të më largojë buzëqeshjen që më karakterizon. Për të mos folur për ditët me shi, që për mua duhen hequr nga kalendari. Shirat e vjeshtës apo “50 shades of grey të dimrit”, janë ditët që peshojnë më shumë si kohë filozofike, sesa biologjike. Ardhja e pranverës, dita më e gjatë, sytë që shohin më shumë dritë, janë arsye që gëzojnë në mënyrë të pandërgjegjshme psikikën time, por edhe të shumë njerëzve besoj. Duhet të jemi falënderues për Tiranën që ka më shumë se gjysmën e vitit ditë me diell, çka shkon përshtat me natyrën time. Adhuroj shkëlqimin e diellit dhe ngrohtësinë e tij, që automatikisht për mua përkthehet në energji.

Motivoheni, cili është ambienti ku liria gjen strehën më të mirë e për pasojë rifitoni energjitë?

Afër detit, afër mbretit! Kaltërsia e qiellit dhe e detit kur bëhen bashkë tej në horizont është burim energjie dhe relaksi. Por, nuk mund të mos them “home sweet home”, shtëpia ime! Pas një dite të lodhshme pune dhe mes detyrimeve si amvisë, këndi im është vendi ideal për të pushuar.

Brenda profesionit, a funksionon tek ju një moment pushimi i shkurtër për të reflektuar e pse jo për të rimarrë energjinë e shpenzuar?

Dinamika e punës sonë nuk zotërohet asnjëherë 100%. Gjithmonë do të dalë diçka e paplanifikuar që mund të prishë axhendën. Megjithatë, mundohem të gjej kohën për të dalë nga ambientet e mbledhjeve të komisioneve, parlamentit apo aktiviteteve të tjera, për të marrë ajër. Mjaftojnë pak çaste që sytë të shohin qiellin e pafundmë, një frymëmarrje e thellë, dhe ndihem gati për të vijuar ditën.

Sa kujdesesh për mirëqenien tënde, që do të thotë, merresh me aktivitet fizik, udhëtime, shëtitje për të larguar stresin e rutinës?

Gazetaria është një profesion që kërkon pasion dhe energji. Kjo simbiozë nuk është gjithmonë lehtësisht e arritshme. Nëse i pari buron nga brendësia, të dytën do të duhet ta fitosh. Ndaj një mendje dhe trup i relaksuar, është receta sekrete për të pasur energji. Personalisht energjinë preferoj ta marr nga udhëtimet, që janë pasioni im i madh. Qoftë edhe një ditë të vetme të largohem nga rutina, është një dozë energjie që injektohet në gjak për ditën tjetër. Në mungesë të mundësisë për të bërë gati valixhet sa herë dua të relaksohem, do të më duhet të mjaftohem me ecje, pa një destinacion të përcaktuar. E rëndësishme është që në fund të ditës, pedometri në celularin tim të më tregojë se kam mundur të bëj 10’000 hapa.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top