Marrëdhënie

March 19, 2016 | 8:00

Marsida Saraçi: Tërheqja që erdhi përmes ekranit!

Marsida Saraçi diplomuar për shkenca sociale. Këngëtare. E martuar me Arbër Arapin, mjek dhe këngëtar. Kanë një djalë, Marvjenin, dy muajsh.

Tërheqja që erdhi përmes ekranit!

Vështrimet e para mes tyre ka qenë të heshtura, romantike më shumë nga njëra palë e cila duket i kish dhënë më shumë kohë një lidhjeje platonike pa e menduar se do të përfundonte në një marrëdhënie të vërtetë. Marsida Saraçi pas kaq kohe, kur sot janë bërë dhe prindër të Marvjenit të vogël, tregon se në fillimet e ndjenjës, ka qenë ajo që teksa shihte përmes ekranit të televizorit Arbrin, ngasej së brendshmi. Në rastin tim, tregon Marsida, njohja me Arbrin ka qenë kur ai ishte pjesëmarrës në emisionin e parë të “Etheve”, i cili la padyshim përshtypjet e para. “Ishte pikërisht mënyra se si ai sillej në publik, korrektësia në komunikim, maturia dhe koherenca në përgjigjet e tij që më tërhoqi”. Të qenit nga i njëjti qytet, Elbasani, njohjet në distancë apo pritshmëritë personale prej muzikës, mundej të ishin shtysë e denjë për ta bërë pse jo edhe Marsidën të yshtej drejt një rruge që do të mund ta lidhje rreth një viti më vonë me njeriun që i ‘vodhi’ zemrën tej lentes së ekranit. “Përshtypja e parë që unë krijova përmes ekranit për të, m’u vërtetua edhe më tepër kur ne patëm mundësinë të prezantohemi me njëri-tjetrin nga afër. Takimet e shpeshta në prova e koncerte më krijuan mundësinë ta njihja dhe të kuptoja më mirë se çfarë e karakterizonte atë, cilat ishin shijet e tij në fusha të ndryshme, mënyra se si ai vishej e sillej edhe pas kuintave. Mendimet e shijet tona ecnin paralel por njëkohësisht kishim shumë gjëra të ndryshme nga njëri-tjetri, të cilat më tërhiqnin akoma dhe më tepër”. Dhe në zgjedhjen që erdhi krejt natyrshëm, aq qartë dhe pastër mes të dyve, cilësitë e përbashkëta u ngjizën për të merituar atë që sot i karakterizon një familje. “Cilësia kryesore që dominoi në zgjedhjen time”, vlerëson Marsida, “mund të them se ishte pikërisht përshtypja ime e parë. Maturia dhe karakteri i tij i qëndrueshëm të cilat më jepnin ndjesinë se mund të besoja në afeksionin që ai tregonte kundrejt meje. Secili prej nesh krijon disa skema, shpeshherë të bazuara në ambientin ku është rritur, eksperiencat e kaluar në familje e shoqëri. Unë kisha krijuar në mendjen time modelin e një njeriu që patjetër do të bënte pjesë në rrethin shoqëror timin, i cili do të karakterizohej nga sjellje sociale, sensi i humorit, koherenca, pse jo edhe nga një paraqitje fizike që mua do më tërhiqte, të cilat Arbri i kishte”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.97

1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top