Posta

August 12, 2016 | 8:12

Martesa ime është në krizë

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Unë dhe bashkëshorti im jemi martuar prej një viti. Mirëpo ai ka hyrë në një gjendje të tillë sa dyshon për çdo gjë, sidomos për ndjenjat e tij ndaj meje. Nuk është më i sigurt nëse më dashuron apo jo dhe gjithashtu kemi probleme edhe me intimitetin. Në fakt, po kalon një fazë me shqetësime, por ato nuk kanë lidhje me marrëdhënien tonë. Para disa ditësh më tha se ka vendosur të largohet për ca kohë nga shtëpia. Ndërkohë, unë çfarë duhet të bëj? Si të sillem me të? Kam menduar të shkojmë të dy te psikologu, por a ka ndonjë mundësi tjetër për ta kaluar këtë fazë?

Përgjigjie: Mund t’ju duket radikale dhe jo e zakontë përgjigjja ime, por nëse bashkëshorti juaj kërkon të largohet për pak kohë dhe nuk është i sigurt për ndjenjat ndaj jush, atëherë LËRENI TË LARGOHET! Kjo përgjigje i ngjan një veprimi të dobët, aspak ambicioz për ju, por është një hap i rëndësishëm për marrëdhënien tuaj. Nga letra, duket se bashkëshorti është në një situatë konfuzioni, dilematike do thosha unë, në raport me jetën e tij intime. Ka shumë rëndësi që përpara se të përpiqeni të rifitoni njëri-tjetrin, është mirë dhe e shëndetshme të përpiqeni të shpëtoni vetveten brenda kësaj lidhjeje, të kuptoni më mirë ndjenjat tuaja, realisht ashtu siç ato janë. Shqetësime të jetës së përditshme, natyrën e së cilës unë nuk e njoh, ndikojnë në pasiguritë e një burri. Ato shpesh dobësojnë arsyen, duke e parë negativisht botën përreth. Sigurisht, këto mbeten supozime, të cilat ju mund t’i diskutoni së bashku edhe pranë një profesionisti. Por, deri atëherë, vlen që edhe partneri juaj të jetë i zellshëm për të marrë pjesë në këtë rrugëtim. Ajo që ai di me siguri deri tani është se dëshiron të largohet për pak kohë nga shtëpia. E di që nuk është e lehtë për ju, por për të kuptuar se çfarë pamje ka jeta e tij në familjen ku ndodhet, do të duhet mbase ta shikojë nga një tjetër këndvështrim, vendndodhje. Kjo mund të jetë një mundësi reflektimi nevojash e dëshirash. Sido që të jetë vendimi i ardhshëm i bashkëshortit tuaj, është pjesë e një procesi që kërkon kohë. Sjellja juaj do kërkojë durim, përkushtim dhe do tregojë një komunikim asertiv, të kuptueshëm, në raport me nevojat e bashkëshortit tuaj. Tregojini se ju do t’i jeni pranë në çdo situatë, për ta mbështetur plotësisht. Sigurisht, këto janë fjalë që burojnë mbasi edhe ju të siguroheni mbi ndjenjat që keni për bashkëshortin tuaj. Jetë të mbarë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top