Marrëdhënie

April 12, 2017 | 12:04

Martesat e fëmijëve duhet të konsiderohen si trauma të mëdha psikologjike

Martesa e fëmijëve mund të gjenden në tregimet tradicionale epike. Njerëzit besonin se mirëkuptimi dhe dashuria do të rritet në qoftë se dy njerëz njohin njëri-tjetrin që nga fëmijëria, dhe kështu që ata martoheshin në moshë të re, edhe pse vajza do të jetonte me prindërit e saj, derisa të arrinte moshën e pubertetit. E njëjta praktikë vijon ende në vendin tonë edhe pse martesa e fëmijëve tashmë është e njohur gjerësisht si një shkelje e të drejtave dhe një formë e drejtpërdrejtë e diskriminimit kundër vajzave.

Pak ditë më parë mediat italiane i kushtuan një reportazh këtij fenomeni. Në të trajtohet historia e Margaritës, 13-vjeçares së fejuar nga familja në Librazhd. Emisioni “Pasdite në Top Channel” ka mundur të marrë një dëshmi nga dhëndri 24-vjeçar  Alfred Karaj, banues në fashtin Kaliveç të Gramshit.

1

“Jemi njohur me mblesë. Goca ka rënë dakord, kanë ardhur njerëzit dhe kanë parë, gjithçka në rregull. Kemi bërë marrëveshje”, thotë ai.  

Pyetjes nëse ka dijeni se e kap ligji për martesë nën moshën 18 vjeç, Alfredi i përgjigjet: “Pse, do të rrimë beqarë ne?”

I riu këmbëngul se vajza është 14 vjeç, duke e konsideruar këtë si moshë më të lejueshme. 

“E kam pasur një herë vajzën në shtëpi, pastaj e kam çuar prapë lart”, rrëfen ai, duke iu referuar fshatit malor ku jeton nusja e tij 12-vjeçare. 

Në ndryshim nga xhaxhai i vajzës, i cili më herët tha për “Pasdite në Top Channel” se prindërit e saj janë të papërgjegjshëm, Alfred Karaj ka një tjetër pretendim.

“Prindërit janë njerëz normalë dhe nuk dëgjuar asgjë për ta”. 

Duke u mbrojtur nga e gjithë kjo ngjarje që e vuri në qendër të vëmendjes, ai thekson se do ta presë vajzën të mbarojë shkollën, e më pas të martohen. 

“Nuk kam kushte ekonomike që ta çoj në shkollë të lartë, por të mesmen do ta mbarojë”. 

Alfredi kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në këtë situatë, sepse gruaja e tij s’ka ankesa për të dhe se është jeta e tyre private. 

I pyetur nëse 12-vjeçarja e ka marrë e vetme këtë vendim, 24-vjeçari shprehet: Do të rritet avash-avash dhe do të kuptojë çdo arsye”.

Lidhur me këtë fenomen Specialistja e Observatorit për të drejtat e fëmijeve, Eridiona Kica shprehet:“Ne si organizatë e kemi parë prej 3 vitesh tashmë këtë fenomen, sepse sigurisht që momentin që rasti jepet në media ka audiencën më të madhe, merr vëmendje dhe të gjithë mediat synojnë të gjejnë Alfredë të tjerë, vajza të tjera e kështu me rradhë. Megjithatë ky rast është pak më specifik, pasi në përgjithsi ajo që ne kemi evidentuar janë vajza 16-17 vjeçare që janë martuar herët, pra nën moshë, ndërsa ky është shumë specifik. Është 12-vjeç dhe aq më tepër që bashkëshorti i ardhshëm është pothuajse sa dyfishi i moshës së vajzës, pra është 24-vjeç. Ajo që më pëlqeu në insert ishte një anë tjetër këndvështrimi e gjithë kësaj historie. Nëse do kishim marrë profilin e vajzës do të shfaqej një vajzë që nuk do dinte të artikulojë shumë, një vajzë që vjen nga një familje e varfër, që janë probleme mentaliteti , kulturore dhe jo vetëm në zonat rurale, por ka edhe zona të tjera që ky fenomen ndodh. Por në insert ne pamë profilin e një djali dhe mënyrën si artikuloi për këtë lidhje, që ai absolutisht e paraqiti si diçka normale, dhe sikur vajza të jetë 14-vjeç në fakt nuk është normale, por në atë zonë nuk është rasti i parë dhe ai shprehet tekstualisht që “çfarë do bëjmë ne nuk do të martohemi?, që do të thotë është një fenomen që ndodh rëndom. Dhe këto martesa mund të jenë edhe legjitime në sensin, që kanë dhënë firmën, që kanë bërë celebrim, por mund të jenë edhe martesa në formë bashkëjetese dhe ajo që kemi vënë re është që një vit pasi vajzat martohen ndodh që të lindin fëmijë. Dhe çfarë do të ndodhë me këtë vajzë 12-vjeç, që fati i saj logjikisht ky është?! Një tjetër gjë që vura re ishte trajtimi i arsimimit të vajzës… Ky është një rreth vicioz. Një vajzë apo një djalë që nuk arsimohen kanë tendencën që të mos kenë një punë të caktuar, të zhyten edhe më tej në varfëri dhe të sjellin një fëmijë që mendoj se të njëjtin fat do të ketë. Ajo që kemi bërë dhe kemi parë në studimet tona është që kemi shkuar në aspektet sociale, për të parë se çfarë pasojash ka martesa në jetën e vajzave, djemve, pretendentëve …Dhe ajo që kemi vënë re është që nëse shikojmë backgroundin nga vijnë kryesisht të miturat është se pothuajse kanë të njëjtin background arsimor me prindërit e tyre. Është çështje varfërie, është çështje kulturore, mentaliteti dhe kështu me radhë. Është ajo që pamundësia sjell pamundësi dhe kjo absolutisht sjell raste të tjera”.

Studimet psikologjike dëshmojnë se martesa në moshë të mitur lidhet me një rrezik në rritje të problemeve psikologjike. Një studim i publikuar në revistën Pediatrics, dëshmon se vajzat që martohen nën 18-vjeç kanë më shumë gjasa të përjetojnë probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë depresion, ankth dhe çrregullimet bipolare. Dr. Yann Le Strat, autori kryesor i studimit, tha se ishte i befasuar nga ajo që ai e quajti “barra e lartë” e martesave të tilla.

“Me 41 për qind rritje të rrezikut të çrregullimeve  mendore, martesat e fëmijëve duhet të konsiderohen si trauma të mëdha psikologjike,” thotë Dr. Yann Le Strat.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top