Rëndësia e kulturës dhe normave | Njerëzit janë të prirur të jetojnë në bazë të normave shoqërore dhe të traditës që trashëgohet nga një brez në tjetrin. “Mashkulli me moshë më të madhe se femra”: ky është modeli i çiftit me të cilin jemi përballur jo vetëm në realitetin tonë, por edhe më gjerë. Në të kaluarën ishte thuajse një normë që mashkulli duhet të ishte me patjetër më i madh se gruaja e tij. Të qenit të pranuar edhe nga mjedisi social për imazhin e çiftit, e ndihmon marrëdhënien të mos jetojë nën ndikimin e paragjykimeve. Kjo normë e së shkuarës mund të shërbejë si zgjidhje për të kristalizuar shumë dilema të çifteve sot për moshën e duhur mes njëri-tjetrit.
Mundësia për të pasur pasardhës | Në të gjitha aspektet e zhvillimit njerëzor, pjekuria e një mashkulli ndodh disa vite më vonë se pjekuria e një femre. Për të siguruar një marrëdhënie optimale që përkon me krijimin e një familjeje, diferenca e moshës mes partnerëve duhet të jetë të paktën 5 vite. Për herë të parë, rezultati i një studimi vlerësoi të drejtë përcaktimin e moshës më të re të gruas sesa partneri i saj, në mënyrë të tillë që të realizojnë ëndrrën e një familjeje me shumë pasardhës.
Përmbushje seksuale dhe emocionale | Përvoja njerëzore ka treguar se meshkujt janë të joshur nga femrat më të reja dhe i gjykojnë ato si më tërheqëse. Kjo preferencë mashkullore për femrat më të reja vjen si rezultat i kërkimit të kënaqësisë seksuale dhe përmbushjes së kësaj kënaqësie për një kohë të gjatë. Në prani të një femre më të re, mashkulli ndjen se është i përmbushur emocionalisht dhe siguron vlerësimin e ambientit social.
Rëndësia e përvojës | Një femër përkrah një mashkulli më të madh se vetja ka mundësinë që të fitojë sigurinë dhe mbështetjen e tij. Statusi social, përvoja e jetës, fuqia ekonomike, admirimi për pjekurinë, botëkuptimin dhe këshillat ndihmuese që të ofron një partner më i madh, janë inkurajuese për femrën që marrëdhënia të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Përputhshmëri mendimesh | Sikurse femra njeh një zhvillim më të shpejtë se mashkulli edhe në aspektin intelektual, diferenca në moshë duket si e domosdoshme për një bashkëjetesë të suksesshme. Përvoja ka treguar se niveli i pjekurisë emocionale, sociale dhe intelektuale në marrëdhëniet e ndërtuara në këtë diferencë moshe ka gjasa të jetë i barabartë. Kur partnerët zhvillohen paralel me njëri-tjetrin, mirëkuptimi dhe vlerësimi reciprok është i dukshëm. Çdo marrëdhënie që të jetë e përmbushur kërkon një ekuilibër të energjisë së dyanshme, të dhënies dhe marrjes, të interesave e qëllimeve të njëjta ndaj jetës së përbashkët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.