Trajtimi i lëkurës në verë është një nga proceset më të rëndësishme për mbrojtjen e lëkurës. Për të mos i dorëzuar diellit dhe rrezeve të dëmshme të tij, gjithmonë ka nevojë për një trajtim specifik nga dora e specialistit të fushës, njëherësh duke u marrë dhe vetë me kurimin në kushtet e shtëpisë. Maskat dhe scrub-i janë dy nga proceset më të përdorura gjatë stinës së verës. Ato i japin shkëlqim lëkurës, sidomos pjesës së imazhit, fytyrës.
Disa prej maskave ndihmojnë në heqjen e papastërtive dhe qelizave të vdekura, duke e bërë lëkurën të lëmuar dhe duke e përgatitur për serumin apo kremin përkatës që do të aplikohet më pas. Mënyra e aplikimit dhe koha e mbajtjes së një maske është e rëndësishme gjithashtu. Ato aplikohen në lëkurë të pastër dhe qëndrojnë për 10-15 minuta. Nuk përjashtohet , rasti i maskave super-hidratuese, të cilat përdoren si një trajtim intensiv gjatë gjithë natës. Përpara aplikimit të maskës është e domosdoshme ta testoni atë në pjesën e brendshme të krahut, aty ku lëkura është më e ndjeshme, për të shmangur një reaksion alergjik ët mundshëm.
Asnjëherë mos harroni qafën dhe dekoltenë, të cilat nuk duhet t’i përjashtoni nga trajtimi me maskën përkatëse. Maskat nuk duhen mbajtur përtej kohës së këshilluar, pasi tentojnë të heqin efektin për të cilin janë përdorur. Përdorimi i scrub-it nga ana tjetër ka gjithashtu një funksion domethënës në rigjenerimin e lëkurës. Ai kryhet për të bërë eliminimin e qelizave të vdekura. Zakonisht scrub-i bëhet dy herë në javë dhe më pas mund të procedohet me aplikimin e maskës së nevojshme dhe të përshtatshme sipas tipit të lëkurës tuaj.
Ka disa lloje maskash, të cilatrenditen:
Maskat me argjil dhe maskat anti-acne
Këto lloj maskash kanë në përmbajtjen e tyre kaolin, një element i gjendur në tokë, i cili njihet në dermatologjinë kozmetike për efektet e tij të ndjeshme kundër mbi-prodhimit të yndyrës dhe largimin e qelizave të vdekura. Këto maska kanë si ‘target’ zonën e yndyrshme T, ose fytyrat akneike. Këto lloj maskash kur kombinohen me acidin salicilik kanë efekte shumë të mira, si shtesë e terapisë kundër akneve.
Maska me kanellë dhe limon për lëkurat me probleme
Mjalti është një element i rëndësishëm që ndihmon në hidratimin e mirë të lëkurës. Ka veti antioksiduese, të cilat mbrojnë lëkurën nga dielli dhe efekti agresiv i faktorëve mjedisorë. Mjalti lufton edhe infeksionin në lëkurë, pa e irrituar atë. Kanella redukton inflamacionin, skuqjen dhe aknet. Limoni bën eksfoliacion të lëkurës, duke dhënë zbehje të njollave kafe dhe njollave postakne.
Përbërësit: 2 lugë gjelle mjaltë, 1 luge gjelle kanellë dhe 1 lugë lëng limoni. Përziejini të tri përbërësit në një tas të vogël. Mund të ngrohni mjaltin në mikrovalë paraprakisht për të përfituar një masë homogjene. Aplikojeni maskën në lëkurën e pastruar mirë më parë dhe lëreni të veprojë për 15-20 minuta. Kjo maskë mund të aplikohet 2-3 herë në javë.
Maskat hidratuese
Maskat e këtij lloji janë shumë ushqyese për lëkurën, duke i dhënë asaj shkëlqim dhe jetë fytyrës.
Maska hidratuese me avokado dhe mjaltë
Avokado është e pasur me vitaminën E, yndyrna të shëndetshme dhe antioksidantë, të cilët ndihmojnë për ta mbajtur lëkurën të lëmuar. Lëngu i limonit dhe uthulla e mollës që përdoren po në këtë maskë, shërbejnë për zbardhjen e lëkurës dhe reduktimin e inflamacionit.
Përbërësit: ½ avokado,1 lugë gjelle uthull molle, 2 lugë mjaltë, 1 lugë lëng limoni i freskët. Përziejini të gjithë përbërësit dhe bëni aplikimin e maskës në lëkurë të pastruar më parë. Maska lihet të veprojë për 15-20 minuta, pastaj vazhdohet me hidratuesin e nevojshëm.
Maska me kivi dhe kos
Kivi është i pasur me alfa hidroksi acide dhe kosi me acid laktik, të cilët janë përbërës të njohur për vetitë e mira eksfoliuese. Vitamina E dhe vaji i ullirit, të gjendura në këtë maskë, kanë veti shumë të mira hidratuese, ndërsa vitamina C e gjendur te kivi, njihet për vetitë e mira antioksiduese dhe mbrojtjen që bën kundrejt radikaleve të lira.
Përbërësit: 1 kivi e grirë pure, 1 lugë e gjysmë kos, ½ lugë vaj ulliri. Maska aplikohet në lëkurë të pastër dhe lihet të veprojë për 15-20 minuta, pastaj shpëlahet me ujë të bollshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.