Në fokus

May 17, 2016 | 8:32

Matematika si zona kontakt

Albana

Të menduarit si proces kulturor

Koncepti i kulturës u referohet aspekteve të jetës, duke përfshirë mendimin, besimin dhe stilet e sjelljes që janë specifike për një shoqëri në raport me shoqëritë e tjera. Mendimtarët që studiojnë kulturën dhe individin reflektojnë mbi rolin e kulturës në procesin e të menduarit. Ky proces bëhet i mundur dhe është i ndryshëm në varësi të kontekstit kulturor. Jaan Valsineer, psikologu kulturor nga Universiteti i Clark Atlantas, citon në librin e tij Culture in Minds and Societies se “procesi i të menduarit njerëzor është organizuar kulturalisht” (fq. 242). Ai pohon se ky proces aktivizohet nëpërmjet veglave ndërmjetësuese si shenjat, orientuesit e përgjithshëm etj., si dhe vë në përdorim vlerat që lidhen me besimet dhe supersticionet për të udhëhequr proceset mendore. Konteksti social që na rrethon gjithashtu merr role sugjeruese gjatë mendimit, duke i udhëhequr njerëzit drejt disa mënyrave të sjelljes apo të menduarit. Mitet dhe kundra-mitet, zanat e tregimeve që shpesh mbështeten nga përfaqësi të ndryshme sociale, të gjitha këto formojnë tablonë sociale për procesin e të menduarit njerëzor.

Megjithatë, qeniet njerëzore mendojnë si individë. Proceset e të menduarit janë historikisht bazuar në marrëdhëniet sociale me të tjerët dhe me mjedisin. Këto procese, sipas Valsineer, janë brendësuar dhe janë të veçanta për personat që “bëjnë” mendimin. Ai cilëson se është pikërisht të menduarit njerëzorë në të cilin socialja dhe personalja janë të bashkuara nëpërmjet procesit kulturor për t’i dhënë kuptim botës së tjetrit dhe të vetes. Një prej fushave më në zë që lidhen me kognicionin është dhe zgjidhja e problemeve matematikore. Shpesh kërkuesit shkencorë vëzhgojnë situata që janë të rralla në shoqëritë e zhvilluara perëndimore (p.sh. fëmijë që shesin produkte në rrugë apo market, përgjegjës ndërtimi të shkolluar, biznesmenë të fuqishëm të paarsimuar). Por nuk duhet harruar se të mësuarit joformal, jashtë bankave të shkollave, fëmijë në markete, rrugë, me dëshirën për të (mbi)jetuar është një fenomen i njohur, jo vetëm në vendet e botës së tretë, por edhe në qytete industriale të zhvilluara.

Matematika dhe mjetet kulturore Sot psikologët i kushtojnë më shumë rëndësi matematikës dhe aftësive të fëmijëve që nga mosha e hershme. Studime të shumta në arenën e shkencave sociale kanë prezantuar evidenca të panumërta se fëmijët, ndoshta dhe të miturit, kuptojnë sadopak konceptet bazë të aritmetikës dhe numërimit. Përpara se t’u mësohen udhëzimet formale në matematikë, shumë fëmijë janë të aftë të numërojnë apo krahasojnë objekte të përmasave të ndryshme, madje disa përpiqen të demonstrojnë operacione bazë matematikore, si mbledhje, zbritje, etj. Studiues si Carraher, Schliemann, Klein, Starkey, Nunes, Resnick, Abreu etj, ndër vite kanë vërtetuar se procedura që ndjekin këta fëmijë shpesh diferencon nga ato që mësohen në shkolla, edhe pse fëmijët mund të ndajnë disa principe bazë të njëjta. “Qytetarë të shoqërive të ndryshme kanë nevojë për elemente të matematikës bazë për të marrë vendime në punë, shtëpi, komunitet” (Glenn Commision, 2000). Rezultate të ndryshme te fëmijët nga një gamë e gjerë kushtesh apo kulturash përthithin kuptime të ngjashme rreth matematikës me instruksione të vogla formale. Këto pikëpamje i kanë udhëhequr kërkuesit shkencorë të theksojnë ato që janë universale në mendimin matematikor të fëmijëve, për të sugjeruar se “numri është një fushë e natyrshme e njohurisë njerëzore” (Kleian & Starkey, 1988, p.6).

Matematika si zona kontakt? (Canollari & Abreu, 2010) Një hulumtim mbi përfaqësitë sociale të prindërve shqiptarë mbi shkollimin e fëmijëve, në tri kontekste të ndryshme socio-kulturore si emigrantë, emigrantë të kthyer dhe joemigrantë, kishte në fokus pjesëmarrjen e prindërve në orën e studimit. Ky studim me karakter cilësor konsistoi në intervista me prindër, fëmijë dhe mësues. Interesantja për këtë studim reflektohet te përdorimi i shembujve lidhur me fushën e matematikës kur, si kërkuese shkencore, drejtoja pyetjet te të tre këto grupe. Ja disa shembuj! Kur prindërit flisnin për mënyrën se si i ndihmojnë fëmijët e tyre me detyrat e shtëpisë, ata përmendin kohën që kalojnë me fëmijët gjatë zgjidhjes së ushtrimeve matematikore. Njëherazi, kur fëmijët (grupmosha 9-11 vjeç) u pyetën rreth mënyrës sesi prindërit i ndihmonin gjatë orës së studimit, ata sollën shembuj që lidhen më shumë me matematikën sesa lëndët e tjera. Ata e kërkonin ndihmën e prindërve më shumë gjatë mësimit të kësaj lënde. Për më tepër, kur iu kërkua të vizatonin veten e tyre si nxënës në shkollë, vizatimet e tyre pasqyruan ata vetë duke punuar ushtrime matematikore në fletore teksa rrinin të ulur në bankë apo të ngritur në tabelë. Një tjetër reflektim që kërkon më shumë vëmendje është edhe fakti sesi mësuesi përkufizonte nxënësin më të mirë atë që ishte më i miri në matematikë. Lidhur me këtë, disa prindër ngritën shqetësimin se ndodh shpesh që fëmijët që janë jo mirë në matematikë, paragjykohen që do jenë jo të aftë dhe në lëndët e tjera, ashtu si dhe fëmijët që performojnë mirë në matematikë, duhet medoemos të jenë po kaq të aftë në të gjitha lëndët.

Studimi i lartpërmendur lidhet me një punë kërkimore 2-vjeçare dhe rezultatet e prezantuara përbëjnë vetëm një sintezë në krahasim me studimin e plotë. Megjithatë, gjykoj se ajo që mund të marrim nga sa më sipër, është reflektimi se, nëse prindërit dhe fëmijët kalojnë më shumë kohë së bashku gjatë orës së studimit lidhur me detyrat apo lëndën e matematikës, nëse fëmija gjen më shumë vështirësi në këtë lëndë, nëse mësuesit vazhdojnë t’i paragjykojnë (pozitivisht apo negativisht) fëmijët bazuar në rezultatet në lëndën e matematikës, atëherë besoj se kemi mjaftueshëm argumente për të konkluduar se matematika si fushë studimi mund t’i ofrojë marrëdhënies së artë trekëndore prind-fëmijë-mësues më shumë sesa shifra.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top