Mirëqenie

February 21, 2017 | 10:57

Mateo Spaho: Sa më shumë ekonomistë në pushtet, aq më shumë rritje ekonomike

Profesioni i tij lidhet direkt me atë që është pika më e nxehtë e debatit jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe e mbarë botës në përgjithësi: Ekonomia. Për pedagogun Mateo Spaho, ky lëm nuk është më thjesht një profesion për të, por një mënyrë e të menduarit, madje një stil jetese. Përtej vështirësive, sfida sipas tij qëndron në ofrimin e një realiteti dhe kontributi mbështetur nga modelet evropiane e botërore, drejt një qasjeje për të shëndoshur me ide të sigurta ekonominë vendase. Në cilësinë e mësimdhënësit pranë Luarasit, Spaho pohon se objektivi është t’u ofohet studentëve, pedagogë jo thjesht të kualifikuar, por të aftë t’u shpjegojnë studentëve konceptet dhe praktikat më të mira, duke promovuar bashkëpunimin dhe interaktivitetin studente-pedagogë si një model me anë të secilit studentët do të mund të përthithin nocionet para se të hapin librat.

mateo-spahoSa vështirë është të jesh i përfshirë në këtë fushë dhe ku mendon se qëndron ngërçi i kohërave që jetojmë?

E konsideroj veten me fat që sapo mbarova studimet para Universitare, vendosa të kryeja studimet në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Parmës, Itali, ku më pas kam kryer masterin në Financë dhe Menaxhim të Riskut në Investime, duke vijuar me doktoraturën në Ekonomi pranë të njëjtit Universitet. Në të gjitha vendet me ekonomi tregu qofshin këto perëndimore apo vende ish-komuniste, ende sot si dhe për 20-30 vitet në vijim, tregu i punës do të ketë vazhdimisht nevojë për të rinj të kualifikuar dhe profesionistë në fushën e gjerë të ekonomisë. E konsideroj veten me fat pasi sapo vendosa të kthehesha në Shqipëri pata mundësinë të punoja në Ministrinë e Financave në fushën e Makroekonomisë dhe Politikave Fiskale. Më pas i jam dedikuar botës akademike dhe me shumë pasion jam bërë pjesë e Universitetit Luarasi si përgjegjës i Departamentit Financë Bankë, pranë Fakultetit të Ekonomisë.

Të jesh ekonomist sot, edhe në Shqipëri nuk është e vështirë në raport me profesione të tjera, pasi studentët që përfundojnë këtë Fakultet do të kenë mundësi të punojnë në sektorin shtetëror dhe privat, në aktivitete industriale dhe në shërbime, në institucione dhe në firma të ndryshme. Një konkurrencë pozitive është krijuar sot në të gjithë botën që vendet të rriten sa më shumë ekonomikisht dhe të bëhen sa më të pasura që qytetarët e tyre të kenë një mirëqenie sa më të lartë.

Në fakt, në Shqipëri sot ka një ngërç. Ky ngërç është i përbërë nga fakti se ekonomistët dhe profesionistët në përgjithësi nuk dëgjohen nga politika vendimmarrëse aq sa duhet. Politika duket sikur ndjek axhenda jo gjithmonë të qarta dhe objektivat për të krijuar një shoqëri sa më të pasur dhe me standarde perëndimore shpeshherë harrohen. Besoj se sa më shumë ekonomistë do të jenë të pranishëm dhe do të kenë pushtet në vendin tonë aq më shumë punë do të krijohet në favor të rritjes së bizneseve dhe të rritjes ekonomike, duke lënë mënjanë polemikat politike shpeshherë shterpë.

Sapo ka përfunduar një konferencë e rëndësishme shkencore ndërkombëtare, e ndërmarrë për herë të parë nga Universiteti “Luarasi”. Si ishte kjo përvojë për ju?

Organizimi i Konferencës Ndërkombëtare mbi Ekonominë ka qenë një sfidë e vërtetë e fituar me sukses. Tematika qendrore ka qenë e lidhur me informalitetin dhe me nivelin e taksave dhe të tatimeve. Mysafirët tanë kanë qenë pedagogë të nderuar të Universitetit të Lodz-it (Poloni), të cilët kanë sot qendrën për politikat tatimore më të zhvilluar në Evropën Lindore dhe kanë studiuar problemet e përbashkëta që karakterizojnë vendet tona si dhe rrugëzgjidhjet e mundshme. Nga referimet nuk kanë munguar doktorantë nga Kosova dhe nga Universitetet e tjera Shtetërore dhe jo-publike të Shqipërisë. Gjithashtu unë kam prezantuar një punim i cili ka krahasuar rritjen ekonomike dhe rritjen e investimeve duke evidentuar se shtetet që kanë aplikuar taksa të ulta dhe të sheshta në Europën Lindore kanë patur një rritje ekonomike më të theksuar në raport me vendet e rajonit që kanë aplikuar taksa të larta dhe progresive.

Studentët kanë patur mundësinë të ndjekin me vëmendje zbulimet më të fundit në fushën e botës së informalitetit dhe të taksave dhe nuk kanë nguruar të pyesin edhe mbi aktualitetin shqiptar, ku debati për informalitetin dhe taksat është mëse aktiv. Kjo konferencë e parë ka qenë një arritje për ne, por do të pasohet nga shumë të tjera që kanë për synim jo thjesht rritjen cilësore të Universitetit Luarasi, por edhe ofrimin e alternativave të zhvillimit për politikbërësit në Shqipëri dhe rajon.

luarasi

Natyrisht që pritshmëritë brenda profesionit “ngacmojnë” me të tjera iniciativa të rëndësishme, ka diçka konkrete në këtë plan?

Luarasi është një Universitet i cili ka patur pikën e vet më të fortë në formimin e Juristëve cilësor dhe Fakulteti i tij i Drejtësisë është marrë si shembull nga të gjitha Universitetet publike dhe jo në Shqipëri. Fakulteti Ekonomik ka pak vite që është hapur dhe po bëhet një realitet solid, gjithnjë e më i fortë, në numrin e studentëve dhe cilësinë e tyre. Nga pikëpamja akademike gjithashtu bashkëpunëtorët tanë të brendshëm dhe të jashtëm po bëhen gjithnjë e më të shumtë. Një sfidë e re do të jetë për ne transferimi në godinën e re, e cila do të ketë të gjitha komoditetet për studentët pranë Polit të ri Universitar që po formohet në rrugën e Elbasanit. Për Fakultetin Ekonomik do të jetë një sfidë sepse do të kemi pranë nesh Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës ku jam i bindur se duhet të demostrojmë cilësi dhe aftësi nga një konkurrencë pozitive që natyrshëm do të krijohet. Gjithashtu brenda muajit Prill do të kemi për të gjithë studentët “Carrier Day” thënë ndryshe një takim të bizneseve më të rëndësishme të realitetit shqiptar dhe studentëve tanë si një mundësi konkrete për t’u punësuar dhe për t’u rritur profesionalisht. Bashkë me Unviersitetin e Lodz-it në Poloni kemi dërguar studentët tonë në kuadër të programit Erasmus dhe kjo praktikë tashmë e suksesshme do të përforcohet. Gjithashtu po lidhim akorde paralele me institucionet shtetërore për praktika pune dhe punësim të mundshëm të studentëve tanë. Jemi duke firmosur akorde me Universitete Italiane dhe të Europës Perëndimore për të shtrirë programin Erasmus, duke u dhënë mundësi studentëve tanë të jetojnë realitete që do mund t’i pasurojnë profesionalisht dhe shpirtërisht. Iniciativa e fundit që dua të zbuloj, por jo nga rëndësia është krijimi i “Banking Game”. Me anë të programeve kompjuterike do të stimulojmë funksionimin e një banke ndër vite. Studentët tanë do të ndahen në grupe dhe do të konkurrojnë midis tyre ashtu siç e bëjnë bankat në botën reale. Grupi fitues do të ketë mundësinë që të punësohet në një nga bankat më të rëndësishme të vendit tonë. Nuk dua t’ju them më shumë pasi për këtë event do të kemi një ngjarje të posatshme në të ardhmen e afërt.

luarasi1

Cilat janë vështirësitë e të qenit mësimdhënës në kohët e sotme? Disa studentë vendosin ta shpërdorojnë mundësinë e tyre. Kopjet mbi bankë janë tregues.

Në fakt në Shqipëri njerëzit janë mësuar të ankohen edhe atëherë kur nuk ka realisht arsye. Përsa më përket, kam qenë mjaft komod në ushtrimin e profesionit tim dhe e kam pasur të gjithë ndihmën logjistike të mundshme. Studentët nga ana e tyre kanë mundësi të formohen në mjedise të ngrohta, gjithëpërfshirëse të ndërlidhura me internetin, kanë në dispozicion programe kompjuterike dhe një literaturë mjaft të gjërë ndërkombëtare. Nëse flasim për Universitetin Luarasi, duhet të them se nuk ka justifikime. Studentët që duan të mësojnë kanë të gjitha mundësitë për ta bërë. Objektivi është t’u ofrojmë studentëve, pedagogë jo thjesht të kualifikuar, por të aftë t’ju shpjegojnë studentëve konceptet dhe praktikat më të mira, duke promovuar bashkëpunimin dhe interaktivitetin studente-pedagogë si një model me anë të secilit studentët do të mund të përthithin nocionet para se të hapin librat.

97% e studentëve shqiptar sot deklarojnë se dëshirojnë të punojnë në sektorin shtetëror. Përtej të tjerave, ky fakt demonstron varfëri aspiratash, mungesë besimi në vetvete dhe mungesë besimi në një sistem meritokratik, ku më i miri do të bëjë punën më të mirë dhe anasjelltas. Një nga objektivat tona do të jetë pikërisht të forcojmë shpirtin e iniciativës që çdo student mund të ketë duke rritur kompetencat e tij, kontaktet me botën e biznesit e si pasojë duke rritur shtysat që ai do të ketë për të mësuar e më pas për të punuar. Sot kopja bëhet me anë të teknologjisë, duke bërë foto të faqes së librit me celular. Por, ç’është e vërteta, në Universitetin tonë këto raste kanë qenë të pakta, pasi raporti i ngushtë me studentin duke u konsultuar vazhdimisht me të, e lejon pedagogun të kuptojë nivelin e studentit para provimit.

Sa është ekonomia pjesë përfshirëse edhe e axhendës tuaj jashtë mësimdhënies?

Për mua ekonomia tashmë nuk është thjesht një profesion, por një mënyrë e të menduarit, madje një stil jetese. Së pari kur ndez televizorin ndjek me vëmendje informacionet e ekonomisë dhe financës, ose më mirë ndjekim këto informacione pasi edhe gruaja ime, Irisi është pedagoge në fushën e ekonomisë, më pas gjatë orarit të punës veç leksioneve edhe aktiviteti im kërkimor është i fokusuar në fushat e financave publike dhe të rritjes ekonomike. Jo rrallëherë jam i ftuar në debate televizive që kanë si temë qëndrore ose përfshin informacione ekonomike, duke vazhduar me Këshillin Bashkiak të Tiranës ku jam Zëvëndës Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Gjithashtu shoqëria ime, për rast apo për shkak, përbëhet në shumicë nga ekonomistë ose nga njerëz që kanë lidhje me ekonominë. Në fakt ndokujt mund t’i duket e mërzitshme, por për një person si unë, i apasionuar pas ekonomisë si shkencë dhe mundësisë që kjo jep për të përmirësuar jetën e njerëzve, ky është maksimumi që mund të kërkoja.

Si e menaxhoni ju kohën midis hapësirës profesionale dhe asaj private? Mbart kjo e fundit pengje?

Është pak e vështirë të kuptosh se çfarë përbën sakrificë kur puna që bën nuk është thjesht punë por pasion. Fatmirësisht në jetën private jam i rrethuar nga një mjedis ku shumëçka më flet për ekonominë. Më mirë mos të them se sa orë në ditë mesatarisht punoj por, duke qenë se jam i sapomartuar dhe ende nuk kemi fëmijë, në ato pak ditë të lira që mund të kem, preferoj të udhëtojmë, brenda dhe jashtë shtetit, sidomos në qytetet e artit. Për të shkurtuar kohën e studimeve dhe të punimeve shpeshherë kemi ndihmuar njëri-tjetrin duke marrë pjesë në disa konferenca si bashkëautorë. Na pëlqen të shohim së bashku filma, dokumentarë dhe sidomos të shohim Opera Italiane. Kam kërkuar të reduktoj sa më shumë kafet me shoqërinë dhe fakti që Milani është në krizë, më ndihmon të mos shikoj si më parë ndeshjet e futbollit, natyrisht Kombëtarja shihet përherë me kënaqësi. Deri në këtë moment si për jetën private ashtu dhe për jetën profesionale kam patur fatin dhe angazhimin për të arritur synimet dhe objektivat që i kisha vënë vetes.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 106

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top