Marrëdhënie

May 13, 2017 | 8:39

Materializmi në çift… Kush e ka fajin?

Njerëzit materialist për shkak të dëshirës së çmendur për para humbasin dashurinë dhe kjo sigurisht nuk u sjell atyre lumturi apo përmbushje. Këtu janë disa arsye pse njerëz të tilla bien gjithëherët në të njëjtën gjendje.

1

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Ata nuk mund të fitojnë përmbushjen përmes gjërave materiale, pronës, veshjeve të modës, makinave apo festave të shtrenjta. Studimet në fakt tregojnë se, njerëzit që përqendrohen te gjërat materiale janë më pak të lumtur dhe më të dëshpëruar. Gjithashtu, hasin më shpesh probleme fizike dhe mendore. Në disa raste, fëmijët rriten në familje materialiste. “Prindërit duan t’i bëjnë të lumtur fëmijët, dhe fëmijët duan gjëra. Kështu, prindërit u blejnë gjëra. Fëmijët janë të lumtur, por vetëm për pak kohë. Pastaj duan edhe më shumë gjëra.” Doemos, industria e reklamave është lëshuar ta shfrytëzojë këtë treg të etur konsumatorësh. Ajo nxit ide si “ti meriton më të mirën” ose “sepse ti ia vlen”. Shumë të rinj e kanë përpirë këtë mesazh dhe tani janë futur në borxhe e nuk i paguajnë dot gjërat që “meritojnë”. Deri këtu është ajo zanafilla e të qenit materialist, gabimet që nxiten që në fëmijëri dhe vijon më pas edhe me gjendjen e një bashkëshorti me probleme apo marrëdhënie të atilla materialiste që i shohim tek shumë çifte.

Është e vërtetë ajo që kriza ekonomike po e frenon edhe lidhjen në çift, pasi mundësitë janë të pakta që dy bashkëshortë të mund të organizojnë një jetë sa më të pasur kulturore, apo të bëjnë një jetë me shumë luks, duke filluar nga veshjet e shtrenjta, shtëpitë luksoze, apo pushimet me kosto, ku pjesa më e madhe, sidomos e çifteve të reja duan t’i gëzojnë duke plotësuar dëshirat që kanë pranë njëri-tjetrit. Në këtë rast, në pamundësi të njërit nga partnerët, kjo lidhje shkatërrohet ose fillon e bëhet e padurueshme dhe dashuria e ndjenja anashkalohet. Nis të shfaqet dukshëm egoja për të pasur më shumë pará, për të fituar në mënyra të ndryshme e për t’u ndjerë i pasur, ose edhe ajo shthurje që e vëmë re në lidhje që krijohet e imponuar nga të mirat materiale, apo të qenit pretendues, jo për hir të ndjenjës, por të mirave që u sjell partneri apo partnerja. Sipas sondazheve, femrat priren gjithnjë për një jetë më luksoze, punë të mirë dhe standard të lartë jetësor. Të gjitha këto ia plotëson dikush që është mirë financiarisht dhe i mbulon të tëra shpenzimet që këto femra i duan. Megjithatë, femra gjithnjë e më shumë e ruan lidhjen në çift dhe ëshët e zonja ta mbrojë më fort familjen se një mashkull.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top