Marrëdhënie

March 10, 2016 | 10:37

Matilda Mecini: Lashë pasarelat për të rritur djalin

Me bindje të plotë them se për mua familja është shumë e shenjtë dhe tepër e rëndësishme. Sigurisht që puna ka vendin e vet, por kushtet në të cilat u gjenda ishin të atilla që përkujdesja për tim bir të dilte në vend të parë. Sikundër, nuk i paragjykoj aspak femrat që kanë bërë të kundërtën, duke zgjedhur të bëjnë edhe punën edhe rritjen e fëmijës.

Prej gati dy vitesh e shkëputur nga prozhektorët e skenës dhe pasarelat e bukurisë, ajo ndjen mungesën e jetës aktive si modele e angazhuar në sfilata apo aktivitete të ndryshme artistike. Por, Matilda Mecini, modelja që ka marrë pjesë në spektaklin e bukurisë ‘Miss Universe 2008’ duke përfaqësuar Shqipërinë në këtë kompeticion të rëndësishëm të bukurisë botërore, e ka një arsye të qenësishme që qëndron pas tërheqjes së saj. Ardhja në jetë e djalit, Louisit e ka fokusuar tërësisht në rolin e saj si nënë e re, dhe si bashkëshorte, pse jo. “Shtatzëninë dhe lindjen e tim biri e konsiderova si diçka shumë personale, të cilën doja ta shijoja vetëm për vete. Ardhja në jetë e djalit zuri vendin kryesor në jetën time, ndaj karriera dhe daljet publike nëpër pasarela dhe spektaklet e bukurisë u spostuan në vend të dytë”, thotë ajo. E kotë ta pyesësh nëse ia vlejti apo jo sakrifica e të hequrit dorë nga karriera për hir të familjes! Përveçse nuk gjen asnjë grimë pendese në zgjedhjen që ka bërë, nuk ngurron njëherësh për ta motivuar vendimin e saj. “Me bindje të plotë them se për mua familja është shumë e shenjtë dhe tepër e rëndësishme. Sigurisht që puna ka vendin e vet, por kushtet në të cilat u gjenda, ishin të atilla që përkujdesja për tim bir të dilte në vend të parë. Sikundër, nuk i paragjykoj aspak femrat që kanë bërë të kundërtën, duke zgjedhur të bëjnë edhe punën edhe rritjen e fëmijës. Nuk është egoizëm me prirje karrieriste fakti që zgjedh t’i bësh të dyja paralelisht. Në rastin tim, gjykova që im bir kishte nevojë për mua pranë gjatë procesit të rritjes, ndaj dhe iu përkushtova kaq shumë’, vijon Matilda. Në dy vitet e shkëputjes nga përditshmëria e saj mes sfilatave të modelingut, sigurisht që I ka munguar pjesa profesionale. Skena, emocionet e daljes dhe përballjes me publikun. I ka munguar ‘ankthi’ që ajo thotë se përjeton gjatë modelimit, sepse nuk mjafton vetëm siguria që ajo ka fituar me eksperiencën ndër vite. Çdo dalje e re, shoqërohet me dilemat se si do të shkojë, a do të ketë të papritura! A e quan sakrificë, tërheqjen?! ‘Patjetër që e tillë është. Pasi më është dashur të shkëputem potencialisht nga shumëçka, sidomos nga modelingu. Më është dashur shumë punë për të arritur në këto nivele, mirëpo kur mendon se për çfarë bëhet sakrifica, çdo gjë tjetër sfumohet në sytë dhe mendjen tënde. Momentalisht kam hequr dorë nga karriera vetëm për të rritur djalin, por në kushte të tjera, as që nuk do e kisha ndërmarrë një vendim të tillë. Kushte të tipit: “të martuarit me një burrë potencialisht të pasur”…as fare nuk do të kishte ndikim kjo gjë tek unë, për sa kohë jam një femër që kam realizuar përmbushjen time në aspketin profesional, dhe nuk më duhet t’i jem mirënjohëse dikujt tjetër për komoditetin që mund të më ofrojë. Absolutisht jo! Por, për Lousin tim të vogël, ia ka vlejtur çdo sakrificë prej nëne…”

Botuar në revistën Psikologjia, nr 65

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top