Nëse raporti mes nuses dhe vjehrrës është i vështirë, lindja e një nipi mund të ofrojë rastin për t’u mirëkuptuar dhe miqësuar. Ama duhet të jetë vullneti i mirë i të dyja palëve.
Nëse nxitet gara ka rrezik! Vjehrrat “e rënda”, pak a shumë me ndërgjegje, krijojnë tek nënat e reja ndjesinë se duan ta zëvendësojnë atë. Ndodh shpesh: kur lind një fëmijë, disa gjyshe e rijetojnë mëmësinë e tyre në mënyrë të thellë dhe propozojnë shpesh veten e tyre si një pasqyrë se si nëna e re duhet të sillet. Për shembull, pas frazave vetëvlerësuese si: “Unë e kam ushqyer me gji tim bir deri në një vjeç dhe ai nuk është sëmurur kurrë” ose “Unë e merrja në krahë sa herë që qante”, acarimi nga ana e nënës së re është i pashmangshëm. Dhe rritet përshtypja e papërshtatshmërisë përballë “ndërmarrjes” së vjehrrës. Çfarë duhet të bëjmë në raste të tilla?
-Për të frenuar ndërhyrjet e gjyshes, këshilla është të krijojmë një barrikadë të qëndrueshme të ngritur nga vetë çifti. Kjo do të thotë të flitet me partnerin rreth asaj që po ndodh dhe të bashkëpunohet. Nuk është e lehtë, pasi meshkujt preferojnë t’i lënë gjërat të rrjedhin dhe u duket më e rehatshme të mos i përcaktojnë kufijtë që duhen respektuar. Dhe po ta shohim mirë, shpesh situata përcaktohet më shumë se nga karakteri ndërhyrës i vjehrrës, nga vështirësia e të birit për t’u shkëputur përfundimisht prej saj.
-Në çdo rast, është e domosdoshme që të jenë të dy partnerët për të vendosur rregullat. Nëse në të vërtetë është vetëm nusja që mbron hapësirën e saj dhe mënyrën e saj të sjelljes, lehtësisht vjehrra do ta interpretojë këtë gjë si një sulm personal dhe, ç’është më e keqja, do të bëjë gjithçka për të krijuar aleancë me të birin. Burri do të gjendet midis dy zjarreve dhe për të shmangur pakënaqësitë mes dy grave të jetës do përfundojë të jetë më një këmbë në rreth e me tjetrën jashtë tij.
-Kur ndërhyrja e vjehrrës bëhet e mundimshme, gjëja më e mirë është që të jetë pikërisht ai që do të flasë me të ëmën, mundësisht në prani të së shoqes. Sepse kjo sjellje jep një mesazh të qartë: “Ne si çift kemi marrë vendimin që…”.
-Është e rëndësishme ama, të jeni të kujdesshëm në gjuhën e përdorur. Nuk duhet të jeni agresivë, por të demonstroni gjithnjë një mirëkuptim me fraza të tipit: “Shiko mama, e dimë që e bën për të na ndihmuar, por kemi nevojë të rrimë edhe pak vetëm”.
-Por arsyetimi mund të jetë shumë i plotë Jo gjithmonë ama, raportet me vjehrrën janë problematike. Përkundrazi mund të jenë solidare, të ngrohta, përfituese. Ndjesia e lindjes së një fëmijë s’mund veç t’i rrisë edhe më. Herë të tjera akoma më shumë, mbërritja e një nipçeje funksionon si një balsam, duke kuruar plagë të vjetra, duke bërë që të kapërcehen shijet e këqija. Në këto raste krijohet një lloj identifikimi reciprok, nga i cili nëna e re mund të kuptojë më shumë ndjenjat e dashurisë drejt birit. Nga ana e saj vjehrra i është mirënjohëse nuses, e cila i ka dhënë një nip që i risjell në kujtesë fëmijën që dikur ka mbajtur në krahë. Gjithçka qëndron në mundësinë për të kalibruar ofertën dhe kërkesën për ndihmë nga të dyja palët. Nëse gjyshja ia del të bëhet një figurë referimi për çiftin pa e bërë të rëndë praninë e saj, do të jetë sigurisht e mirëpritur. Dhe polemikat e së shkuarës do të kapërcehen.
Të hysh në lëkurën e njëra-tjetrës
Kufiri mes të qenit e nevojshme (të bësh një dhuratë, të mbash bebin mbrëmjeve ndërsa prindërit shkojnë në kinema) dhe të qenit ndërhyrëse është shumë fluturak. Dhe t’ia dalësh të mos “hysh pa leje” është më e vështirë se gjithçka. Pak më shumë tolerancë nga nusja mund të konsolidojë raportin, veçanërisht nëse ardhja e një nipi i “shtrëngon” të dyja gratë të frekuentohem më me kujdes. Mes të tjerash, kush e ekzagjeron më shumë ndonjëherë, është më e reja, e cila qëndron në mbrojtje dhe ndihet e kërcënuar edhe nga fraza për të cilat mund të mbyllet një sy.
-Oferta për ndihmë nuk duhet të jetë gjithnjë në këmbim të ndërhyrjes. Dhe nuk duhet të interpretohet si një dëshirë për të nënvizuar një paaftësi të mundshme. Përndryshe rrezikon të shkatërrohet raporti.
-Shndërrimi në nënë ka mundësi gabimisht t’i bëjë mamatë e reja të ndihen më të forta dhe dëshiruese të një vasaliteti. Por rreziku, duke u sjellë kështu, qëndron te ngulitja tek i vogli e një ideje negative të një gjysheje “të dobët”.
Si përfundim, para se të merrni një vendim drastik është mirë të qëndroni për të reflektuar. Menjëherë pas lindjes së një fëmije, fillon një periudhë veçanërisht intensive. Përpiquni atëherë të kuptoni nëse ndiheni vërtet e “rrethuar” nga vjehrra apo përkundrazi, nuk dini t’i lexoni përpjekjet e saj, duke i interpretuar gjithnjë si një bllokadë. Është e pamundur të mos ngatërroheni. Nganjëherë është pikërisht entuziazmi juaj që, siç u ndodh të gjithëve, sjell ekzagjerime dhe mundëson gabimet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.