Mirëqenie

February 16, 2016 | 13:05

Mbi patriotizmin dhe ndikimin e artit

Yllka Gjollesha / Asistent Pedagoge në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT; video artiste bashkëkohore.

Yllka Gjollesha / Asistent Pedagoge në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT; video artiste bashkëkohore.

Veprat e saj janë emocionale, poetike. Ajo i përdor këto vepra arti si një instrument për t’i bërë njerëzit të kthehen përpara në imagjinatë dhe në kohë me ëndrrat e tyre. E njohur si video artiste bashkëkohore, me një sërë ekspozitash pjesëmarrëse dhe fituese çmimesh të rëndësishme, Yllka Gjollesha fokusohet kryesisht në artin e gërshetuar mediatik, në kombinimin e disa teknikave apo materialeve. Në veprat e saj ka trajtuar gjithashtu etapa të rëndësishme historike të vendit, por në veçanti simbolet, elementë të cilët e lidhin ngushtë me të shkuarën. Në një video-art të realizuar nga Yllka, kushtuar simbolit të shqiptarëve, Flamurit, këndvështrimi artistik, jo ai zyrtari, me shumë nuanca poetike na bën të kthejmë vëmendjen gjithaq të vlerat dhe emocionet e vërteta të këtij simboli historik. Por sa ndikon historia, arti në evidentimin e këtyre vlerave kombëtare? Për Yllkën, “patriotizmi, siç të gjithë e përkufizojmë, është dashuri ndaj vendit, sidoqoftë ai, i bukur, i shëmtuar, me apo pa histori. Gjithsecili e do atdheun sepse është pjesë e tij, e ngjarjeve, traditave, e gjuhës, zakoneve dhe e kulturës. Në Shqipëri, patriotizmi dhe nacionalizmi trajtohet në mënyra të ndryshme. Një pjesë e mirë e popullsisë shfaq konotacione dhe ngjyra folklorike, madje shpeshherë edhe negative, dhe ka nga ata krejt racionalë e që shpesh etiketohen si radikalë”. Artistja Gjollesha thotë se patriotizmi dhe nacionalizmi na shpërfaqet hera-herës në variante abuzuese, duke na dhënë një metodologjikë të gabuar. Sipas saj, “përdorimi i tij shpeshherë me qëllim të paramenduar mund të kthehet edhe në dëm. Ashtu siç çdo gjë, e cila konsumohet jashtë kontekstit ose duke tejkaluar masën. Ajo që ndodh tjetër në shoqërinë tonë është edhe ngatërrimi i nocioneve: Patriotizëm dhe Nacionalizëm. Patriotizmi është dashuria ndaj vendit, duke mos ushqyer kurrfarë urrejtje ndaj kujtdo populli tjetër, ndërsa nacionalizmi shpreh definicionin e urrejtjes së popullit tjetër, e cilësimit të kombasit ‘fqinj’ si armik. Shpesh në Shqipëri kemi lidhjen e ngushtë të nacionalizmit, e cila takohet me zgjedhjet elektorale, e që përdorimi i elementit kombëtar për arsye politike është shfrytëzimi më i madh i vlerave të shqiptarëve. Gjithsesi, shqiptarët dallojnë në qasjen e tyre në raport me patriotizmin dhe nacionalizmin. Ndryshe nga popujt e tjerë, të cilët shfaqin agresivitet, janë pushtues, ofensivë, patriotizmi dhe nacionalizmi ynë është mbrojtës. Në Shqipëri ekstaza historike të përfshin me shpejtësi, sidomos në raste festash apo ngjarje të rëndësishme, siç ndodhi së fundmi me kombëtaren tonë të futbollit, ku edhe nëse ti përpiqesh të qëndrosh jashtë tij, e ke të pamundur, pasi çdo pjesë e qytetit pushtohet nga simbole kombëtare kuq e zi. E në fakt, është bukur ta shohësh këtë shprehje nacionalizmi që vjen kaq natyrshëm në ditë festash nga qytetarët shqiptarë. Duke iu referuar historisë dhe përpjekjeve ndër vite të patriotëve shqiptarë, nacionalizmit të të parëve tanë, si një lëvizje ideologjike e pastër, të lind natyrshëm

pyetja dhe që padyshim nuk është vetëm e imja, por e gjithë shqiptarëve: “Jemi vërtet patriotë?”

Por sa i kanë shërbyer kombit në situata të ndryshme këto tipare dhe sa duhet të kapemi pas tyre për të përmirësuar veten? Yllka pohon se: “Ajo në të cilën do të doja të ndalesha unë si artiste, është pikërisht ndikimi i artit në këto ngjarje të rëndësishme. Arti si një ndër krijimtaritë shumë të rëndësishme të kulturës që karakterizon një popull, e që pa diskutim mund të jetë fytyra e tij. Arti si një burim përçues, urë komunikimi mes qenieve njerëzore në veçanti, por edhe mes kulturave e popujve në përgjithësi. Emocionet, ndjenjat, mendimet etj, janë dukuri shpirtërore, të cilat nuk mund të kapen drejtpërsëdrejti nga shqisat, nëse ato nuk bëhen të prekshme nëpërmjet arteve. Përmbajtja e tyre e bukur nuk mund të shihet apo të preket. Prandaj, arti me mjetet e tij të shumta si fjala, gjestet, tingujt, ngjyrave, lëvizjeve, performancave etj., na sjell estetikisht pamjet e jashtme fizike, ndërton botën e imagjinatës, duke i fiksuar ato në figura artistike”. Por sa i pranishëm është arti në Shqipëri e veçanërisht në përkushtimin ndaj këtyre datave të veçanta? Mungesa e një organizimi sipas Yllka Gjolleshës, është krejt e dukshme. “Nëse do t’i referoheshim përsëri të kaluarës jo dhe aq të largët të një angazhimi kolektiv, masiv të para viteve’90, në të cilat çështja kombëtare zinte një vend shumë të rëndësishëm, propaganda dhe ideologjia komuniste e kohës për qëllimet e saj nxiste dhe përkrahte fuqishëm frymën nacionaliste dhe patriotike në art. Artistët, dikush në mënyrë të drejtpërdrejtë e dikush jo, ishin pjesëmarrës në këtë lloj glorifikimi të historisë së kombit. Ndonëse nuk mungonin edhe vlerat artistike në veprat e tyre, në më të shumtën e rasteve ndjehet një qëndrim i sforcuar dhe i ekzagjeruar ndaj historisë. Arti ndikon në edukimin e publikut, në ndjenjat patriotike, por jo në shikimin realist të historisë. Sot shteti nuk ndikon në atë masë në krijimtarinë artistike. Artistët sot janë të lirë në krijimtarinë e tyre, por kjo nuk do të thotë që institucionet shtetërore nuk mund të kenë më asnjë rol në nxitjen dhe zhvillimin e ndjenjave patriotike nëpërmjet artit. Duhet kuptuar se roli i tyre nuk është thjesht porositja e veprave artistike që lidhen drejtpërdrejtë me figurat e njohura historike, por më gjerë, nxitja dhe përkrahja e krijimtarisë cilësore artistike, promovimi i artit shqiptar brenda dhe jashtë vendit, si një rrugë e sigurt e rritjes së krenarisë kombëtare dhe patriotizmit. Artisti edhe kur nuk e trajton drejtpërdrejtë temën e patriotizmit, përsëri ai i bën një shërbim pasurimit shpirtëror. Artistët e suksesshëm janë një shembull i mirë i krenarisë për çdo shqiptar. Mund të themi me bindje të plotë se në ditët e sotme mungon ky angazhim, e kjo e parë nga sytë e gjithsecilit, na vjen si një mos organizim, apo një keq organizim. E pikërisht që ky proces të mos mbetet si një patriotizëm sipërfaqësor në festa, jo më shumë për qytetarin e thjeshtë që ngre flamurin në ballkonin e shtëpisë, që e valëvit atë në dritaret e makinave, apo stampave në bluzat e tyre, duke e kthyer edhe një herë në mjet propagandues, “nacionalizmin” që ju shërben vetëm si vegël shpëtimi nga realiteti. Lënia në harresë e shumë vlerave historike, të cilat janë elementë mjaft të rëndësishëm të historisë tonë, nxjerrja në pah e tyre, nuk duhet parë me sytë e politikës të njërit krah apo të tjetrit, ku nga njëra palë na vjen një pjesë e caktuar vlerash, e në krahun tjetër një pjesë e këtyre vlerave”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top