Një heshtje e rëndë ka mbuluar botën e artit sot. Robert Redford, një nga emrat më të ndritur të ekranit të madh, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmi i hidhur vjen nga Amerika, duke tronditur jo vetëm adhuruesit e kinemasë, por të gjithë ata që panë tek ai jo vetëm një aktor, por një simbol të pasionit, bukurisë dhe shpirtit krijues.
Redford ishte më shumë se një yll i Hollivudit, ai ishte një epokë më vete. Me rolet e tij që nga “The Sting te All the President’s Men”, ai jo vetëm që rrëmbeu zemrat e shikuesve, por vulosi me praninë e tij dekada të tëra të artit filmik.
Një jetë mes dritave të kamerave dhe dritës së shpirtit të tij
I lindur në Santa Monica të Kalifornisë, ai hyri në botën e artit me ëndrra të mëdha dhe një talent që nuk mund të fshihej. Nga skenat e teatrit dhe ekranet televizive, drejt famës botërore në vitet ‘60 dhe ‘70, Redford u bë një ikonë me filma që sot janë të përjetshëm: “Butch Cassidy and the Sundance Kid”, “The Great Gatsby”, “Three Days of the Condor”, “Out of Africa”… Por ai nuk u ndal vetëm te aktrimi. Në vitin 1981, fitoi çmimin Oscar për regjinë e filmit “Ordinary People”, duke provuar se talenti i tij ishte i gjithanshëm, po aq i fuqishëm pas kamerës sa edhe para saj.
Një burrë me shpirt të lirë, mes artit, natyrës dhe idealizmit
Përtej filmit, Redford ishte një njeri me vizion. Ai krijoi Institutin dhe Festivalin e Filmit Sundance, një strehë për kinemanë e pavarur, për zërat që nuk dëgjoheshin dot ndryshe. Ai ishte gjithashtu një zë i fortë për mjedisin dhe kauzat humane, gjithmonë me ndershmëri, me pasion, me zemër.
Një largim i heshtur, ashtu siç kishte dëshiruar vetë
Në vitin 2018, ai njoftoi tërheqjen nga aktrimi. Por me sinqeritetin që e karakterizonte, pak muaj më vonë pranoi se ishte penduar për atë deklaratë:
“Duket sikur kishte ardhur koha për t’u përqendruar në gjëra të tjera, por nuk duhej ta kisha thënë kurrë, sepse e largon vëmendjen nga filmi.”
Dhe kështu, ai zgjodhi të largohej siç kishte jetuar, në mënyrë dinjitoze, pa bujë, me përqendrim te arti, jo tek ai vetë. “Nëse ndonjëherë tërhiqem nga aktrimi,” kishte thënë. “Dua ta bëj në heshtje.”
Sot, ai u largua në heshtje… por jehona e jetës së tij do të dëgjohet përjetë.
Robert Redford nuk është më mes nesh, por hijeshia e tij, zgjuarsia, dhe trashëgimia që la pas do të jetojnë në çdo kornizë filmi, në çdo histori të treguar me ndershmëri, në çdo artist që guxon të ndjekë rrugën e vet.
Lamtumirë, Robert Redford. Njerëz si ti nuk vdesin, ata thjesht kthehen në legjenda.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.