Me kalimin e kohës, mësojmë të largohemi nga ata që nuk na vlerësojnë. Ndonjëherë ne nuk e kuptojmë, ose nuk duam ta kuptojmë, fakti që prania jonë në një vend nuk vlerësohet. Përkundrazi është e pakëndshme. Por ne preferojmë të ndjekim atë vend dhe disa njerëz, duke vazhduar të japim më të mirën dhe të injorojmë shenjat që na ftojnë të mos kthehemi.
Për fat të mirë, koha është një mjeshtër në nxjerrjen e të vërtetave në dritë dhe hapjen e syve të atyre që insistojnë të mohojnë faktet. Mund të ndodh që, kur merreni me realitetin, diçka është shkatërruar, por sigurisht që ky është një dëm që riparohet lehtësisht në krahasim me atë të qëndrimit në një vend ku nuk vlerësoheni.
Askush nuk është i detyruar ta dojë tjetrin, t’i japë hapësirë në jetën e tij dhe ta mirëpresi me krahë të hapur, por, nuk ka dyshim se detyra jonë është që të tërhiqemi me dinjitet dhe të mos ekspozohemi në situata që na zvogëlojnë, që nuk na vlerësojnë në një nivel fizik ose psikologjik.
Ndonjëherë ne e lidhim veten me gjëra ose njerëz që nuk janë për ne, që nuk na bëjnë mirë. Kjo ndodh për shkak të dëshirës për të qenë pjesë e diçkaje, për të shkëmbyer njohuritë tona, ne fshehim ato të dhëna dhe ngjarje që na thonë të ikim, në vend që ta fusim veten aty ku prania jonë paraqet një arsye për gëzim për ata që na frekuentojnë, ku mund të ndërtohen marrëdhënie të ndërsjella, ku mungesa jonë provokon pakënaqësi dhe jo lehtësim.
Ne duhet të mësojmë të duam veten, të kanalizojmë energjitë tona pozitive; duhet të bindim veten se meritojmë më të mirën për jetën tonë dhe të kuptojmë se nëse jemi të gatshëm të japim diçka nga vetvetja dhe të vlerësojmë të tjerët, duhet të presim të njëjtën gjë prej tyre. Jeta është shumë e shkurtër për të mbjellë lule në kopshtet e atyre që nuk kujdesen për to; duhet të kuptojmë se, në një moment, duhet të ndalojmë së investuari energjitë tona tek dikush që e sheh mungesën tonë si dhuratën më të mirë që mund t’i japim.
Ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj atyre që tregojnë dashuri dhe interes vetëm kur u përshtatet atyre dhe, pasi të kenë marrë atë që dëshirojnë, ata kthehen dhe na përbuzin. Askush prej nesh nuk meriton të përdoret, të hidhet poshtë ose të zhvlerësohet. Por përgjegjësia për shmangien e këtyre sjelljeve nuk u përket atyre që i zbatojnë. Është faji ynë nëse e lejojmë.
Vetëm ne mund të vendosim se çfarë duam të kemi në jetën tonë; vetëm ne mund të vendosim se ku të qëndrojmë, vetëm ne mund të lejojmë që dikush tjetër të na dëmtojë. Në këtë mënyrë, vetëm ne jemi në gjendje të marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që vendi ku gjendemi të korrespondojë me atë që meritojmë dhe mirëqenien tonë.
Burimi / https://www.giornodopogiorno.org/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.