Gratë kanë në përgjithësi një raport të mirë me imazhin e tyre, edhe pse nuk mungojnë momentet kritikuese. Një sjellje e dykuptimte që e kemi hetuar me ndihmën e ekspertëve.
Faqet e gazetave femërore dhe hapësirat publicitare të çdo lloji janë plot me sugjerime për të arritur objektiva të paarritshëm për përsosmërisë fizike, duke këmbëngulur se për gratë është e vetmja mënyrë për të arritur bukurinë e ndoshta edhe lumturinë. Kemi pyetur vetë gratë: “Por ti, a ndihesh e bukur?”. Përgjigjet na shtyjnë të formulojmë një manifest që konfirmon nevojën urgjente për t’u çliruar në mënyrë përfundimtare nga stereotipat që ngjall një model unik i bukurisë femërore për t’u ndërgjegjësuar se bukuria është vlerësimi i unicitetit tonë.
“Të jesh e lumtur, të bën të ndihesh e bukur”. Jemi përballë një tendence të fortë që i lejon gratë të çlirohen nga “skllavëria e vullnetshme”, pra nga perfeksioni fizik? Ta mbështesim, do të thotë ta banalizojmë çështjen. Qëndrimi ndaj trupit është shumë më kompleks. Atëherë, “çfarë duan gratë?”: Një bukuri të lirë që llogarit kompleksitetin e sjelljes së grave kundrejt imazhit të tyre. Ndjesi paradoksale, kontradikta. Sepse në këtë fushë, më shumë se kurrë, askush s’e ka të vërtetën në xhep.
Dëshira të dykuptimta “Dykuptimësia është fjala çelës për atë se çfarë gratë mendojnë në lidhje me bukurinë e tyre dhe se si flasin për të”, – thotë psikanalistja franceze Serge Hefez, autore e “Në zemrën e burrave”. “Një dykuptimësi e lidhur me faktin se gratë akoma më shumë se burrat, kanë një dëshirë të dyfishtë, shpesh kundërshtare: dëshirën për të qenë vetja Më pëlqen vetja dhe dëshirën për t’u pëlqyer të tjerëve”. Një nevojë kjo e fundit e pranishme qysh nga fëmijëria, kur vështrimi i tjetrit, sidomos i prindërve, i hedhur mbi to, përcakton marrëdhënien që për gjithë jetën do të kenë me imazhin e tyre. I mirë, nëse qysh në fillim një vajzë është ndjerë e vlerësuar dhe e pranuar. I keq, nëse ka qenë e refuzuar, e lënduar. “Duke bashkëbiseduar me gratë, – thotë Michèle Freud, psikoterapeut dhe sofrolog, – kam kuptuar se luhaten shpesh mes pranimit dhe refuzimit të vetes. Pohojnë me zë të lartë dëshirën për të qenë vetja, kritikojnë ashpër ata që imponojnë rregullat dhe kultin mediatik të të qenit e hollë… Ama, në fakt, janë të gatshme për të ndjekur çdo lloj rruge për të humbur peshë! Në pesë gra, katër janë në dietë edhe nëse në realitet vetëm njëra syresh ka me të vërtetë nevojë të dobësohet”, – thotë Freud. Ky është një nga kurthet në të cilat bie pjesa më e madhe e grave: të çlirohen nga diktati, pa hequr dorë ama nga miratimi i modeleve zotëruese. Për hir të një kërkimi të kryer nga Philippa Diedrichs, kërkuese në “Centre for Appereance Research” të një universiteti anglez, janë pyetur 320 gra se çfarë do të ishin të gatshme të bënin për të rihyrë në një veshje, ose për të shkuar në plazh pa u vënë në siklet nga kilet e tepërta. Përgjigjja? Një grua në tri do të hiqte dorë edhe nga ndonjë vit i jetës për të qenë më e tonifikuar dhe më e hollë.
Larmia e bukurisë
Kinema, gazeta e reklama, shpesh përkeqësojnë dhe imponojnë një model unik të bukurisë: një grua e re, e hollë dhe gjithnjë e tonifikuar. Gjithnjë me karakteristikat e një vajze, pavarësisht moshës: trup dhe fytyrë e një 20 e shumta e një 30-vjeçareje. Për Serge Hefez, problemi qëndron gjithnjë në përfaqësimin e femërores: “Jemi duke asistuar në një diskriminim të bukurisë që u shkakton pashmangshmërisht vuajtje grave, – kujton. – Ky mbiekspozim mediatik, që përsërit imazhin e grave, gjithnjë të përkryera, të pandryshueshme, mund të kompromentojë vlerësimin që një grua ka për veten. Kush nuk i korrespondon kritereve të vendosura nga media, ka një pikëvështrim simbolik: është si të mos ekzistonte, si të mos e meritonte të ishte e vështruar dhe e dëshiruar”, – përmbyll ajo. Filozofja pariziane, Isabelle Queval, pohon: “Sa më e lirë të jesh për të zgjedhur se si duhet të jetë trupi yt (progresi në mjekësi dhe mundësia për të përmirësuar fizikun e lejon), aq më e përgjegjshme je për imazhin vetjak”.
Të vlerësosh unicitetin vetjak
Sipas një kirurgu plastik, kërkesa e grave sot është të shfaqin më të mirën e individualitetit të tyre: “Dëshirojnë të mbeten vetvetja dhe kërkojnë të modifikojnë vetëm atë që e jetojnë si një pengesë në pranimin dhe kënaqësinë e të qenit vetvetja”. Sipas një kërkimi të “Ipsas” (International Society of Aesthetic Plastic Surgery), që ka lidhje me 25 vende të botës, numri i ndërhyrjeve jokirurgjikale, si injeksionet me acid kirurgjike si liposuzione (19.8%) dhe zmadhimin e gjoksit (17%). Për të përfunduar, nënvizojnë ekspertët, lëvizja zotëruese duket sërish e shenjuar nga kualiteti: kërkohet veçanësia (“çfarë është unike për mua”) duke i dhënë gjithnjë vëmendje kujdesit për veten. Për të jetuar sa më shumë të jetë e mundur në paqe me imazhin vetjak. Mbi këtë ndjesi, Psikologjia propozon afrimin e ndryshëm ndaj bukurisë, të bërë nga trajtime dhe kura që i bëjnë mirë trupit e shpirtit dhe që i japin rëndësi përmasës emocionale në marrëdhënien komplekse që kemi me aspektin tonë fizik. Dhe në fund: Mund ta jetojmë bukurinë jo si një kënaqësi të thjeshtë narcizisitike, por si një lidhje autentike me tjetrin.
Sondazhi
• 56% e grave thonë se u duket vetja e bukur
• 85% e tyre është mes 18 dhe 24 vjeç, ndërsa 64.3% është mbi 45
• 57% e grave që nuk u pëlqen vetja është sepse nuk kanë arritur kurrë një vlerësim të mirë të vetes dhe janë të bindura se kanë papërsosmëri.
• 45% nuk do të ndryshonin asgjë në trupin e tyre, por 27% do të bënin gjoksin, 22% këmbët, 17% barkun ose krahët. Vetëm 11% do të ndërhynin në fytyrë. Të dhëna që në të vërtetë shtohen me 20% për gratë mbi 45 vjeç
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.