Paraja është një vlerë e rreme apo një mjet lirie?
Alfio Bardolla, autori i librit “Arti i pasurimit”, është i mendimit se: nëse nuk je i pasur, kjo vjen nga fakti se askush nuk të ka mësuar të bëhesh i tillë. Ai s’ka dyshime: “Paraja, – pohon, – të bën më të lirë, sepse mundëson realizimin e dëshirave”. Ideja gjen miratim te një tjetër lexuese që na shkruan në adresën e “Psikologjisë”: Gerta, 43 vjeçe, që ka një biznes në vogël dhe pasion të çmendur për makinat: “Sa më shumë para kam në dispozicion, aq më e lirë ndihem për të plotësuar dëshirat dhe pasionet e mia… një makinë të tipit të fundit. Paraja është për jetën si benzina për makinën; nëse e ka serbatorin plot, mund të ecë me shpejtësi. Nëse e ka në fund, duhet detyrimisht t’i drejtohet një distributori benzine”. Specialistët e psikologjisë e kthejnë shikimin larg: “Sipas Aristotelit dhe traditës klasike, për të menduar, pra për të ndërtuar, një shoqëri virtuoze është e nevojshme të jetojë e çliruar nga problemet ekonomike”.
Por çfarë duhet të kemi parasysh me probleme ekonomike?
A ka një prag mbi të cilin mund të konsiderohemi mirë ekonomikisht? Nëse po, çfarë e përcakton? “E thjeshtë, – thonë psikologët. – Për të qenë vërtet të lirë lipset për të punuar qysh të rinj, në mënyrë që prurjet ekonomike të jenë të mjaftueshme për të mbështetur ecjen tonë përpara”. Përkundrazi, shumë shpesh, hyjmë në rrethin vicioz të të punuarit më shumë, për të shpenzuar më shumë, që të punojmë sërish paskëtaj më shumë. E megjithatë, sërish shumë vetë mendojnë se paratë nuk janë në gjendje ta ndryshojnë jetën tonë: atë të brendshmen. “Të bësh të pamundurën për të grumbulluar para, nuk na ndihmon të jemi vetja, por për të ngritur një ‘un’ të rremë, – shprehet në një intervistë mbi temën e parasë Grazia Aloi, psikanaliste frojdiane. – Dhe pastaj, paratë shpesh na japin një pavarësi të tillë materiale që nuk shkon paralel me aftësinë zhvilluese…”
Mirëpo, Bardolla replikon: “Paratë nuk na ndryshojnë, nuk na bëjnë më të mirë ose të këqij, thjesht na plotësojnë në atë që jemi. Na japin mundësinë për të shprehur lirshëm natyrën tonë të vërtetë”. “Në moshën 40-vjeçare jeta ime ndryshoi, – tregon Anduena, që ka hapur një biznes në stampimin e fotove. – Kuptova se me para mund të realizoja ëndrrat e mia, aspiratat e mia më të thella. Më parë isha një e punësuar që merrja një rrogë diku. Kur më pushuan nga puna kisha kursyer diçka vendosa të hapja një dyqan për stampimin e fotografive, që lidhej me pasionin tim për fotografinë. Për sa kohë nuk kisha arritur të merrja një shifër të mjaftueshme për të jetuar siç duhej, ishte një problem. Gjithsesi iu përkushtova dyqanit që më bëri të kuptoj se paraja nuk mund të fitohet pa djersë, koncepte që në fakt m’i kishte mësuar babai qysh në vogëli. Më në fund ia dola. Paratë që fitoj më bëjnë të ndihem e lirë dhe e realizuar, sepse ushtroj më me lehtësi edhe pasionin tim prej fotografeje”.
“Një gabim shumë i zakonshëm është që ta bësh marrëdhënien me paratë një çështje morale”, vazhdon Bardolla. Një pozicion mjaft i përhapur që me gjasë rrjedh nga bindja fetare në lidhje me pasurinë: të varfrit shkojnë në parajsë! Por edhe nga ideja e përhapur se nuk mund të bëhemi të pasur pa bërë kompromise të mëdha jetike. Ja çfarë thotë Alfredi, menaxher në një firmë: “Nuk kam ndërmend që të punoj në mënyrë të mundimshme për të shtuar të ardhurat që mund të më lejojnë të konsumoj më shumë… më mirë të kufizoj konsumin dhe të jetoj i qetë”. Kurse këshilltari financiar sqaron, dhe jo vetëm Alfredin: “Ideja ime nuk është që të punojmë më shumë, për të fituar më shumë, që të na lejojë të shpenzojmë më shumë. Përkundrazi, them që të angazhohemi më shumë për t’u çliruar sa më shpejt nga nevoja shtrënguese e të punuarit për të jetuar. Kur të mos punojmë thjesht për të jetuar e për pasojë për të konsumuar, do të fitojmë qetësinë e vërtetë”. Në të njëjtën linjë mendimi është edhe amerikani Robert Kiyosaki, autor i manualeve të shumta mbi mirëqenien dhe lirinë financiare. Francesco Belo, psikanalist jungian, nuk është dakord me këtë teori: “Shpesh njerëzit e aftë për të shtuar pasurinë janë luftarakë dhe agresivë, – komenton ai. – Në një rast të tillë nevoja për para bëhet një skllavëri”. E megjithatë paraja në vetvete nuk ka ndonjë vlerë pozitive ose negative. Në traditën perëndimore qëllimi është të fitohet para për të jetuar mirë, dhe jo e kundërta. “Pasuria është edhe një gjendje mendore, – përfundon Bardolla, – një gjendje psikologjike bollëku që do të pasqyrohet në një rrjet marrëdhëniesh më të pasura, njohjesh më të matura, përvojash më të mëdha pozitive…” I takon secilit detyra për të hedhur piketat e lirisë së vet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.