Nga Hajriz Mamaj
Aurora Dollenberg, një vajzë që ka lindur në Fier të Shqipërisë, po e rritur dhe shkolluar në Tiranë, është bërë emër shumë i dashur për mjekësinë shqiptare dhe atë evropiane. Studimet si studente ekselence i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, por në mungesë të mos gjetjes së një vendi pune detyrohet të marrë rrugën e mërgimit dhe vendoset në qytetin e Wolffenbi.itel të Gjermanisë ku arrin të marrë tituj shkencorë, dhe sot drejton dy klinika si mjeke familjeje dhe Psikoterapie.
Në shikim të parë, të pushton me mikpritje dhe bujari, e në profesion me dije dhe aftësi organizative në të mirë të njerëzimit dhe arritjeve shkencore në fushën e mjekësisë. Qëllimi i këtij reportazhi nuk është të portretizoj zonjën Dollenberg, por rezultatet e saj si presidente e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë së cilës i prin ajo. Vetëm në vitin 2022 Dr. Aurora ka mbledhur dhe certifikuar me kredite falas më shumë se 5000 bluza të bardha nga treva shqiptare dhe nga mbarë Europa.
Përmbyllja e vitit akademik 2022 me Konferencën në Londër
Deri sa pinim kafe në një nga restorantet e Londrës me zonjën Dollenberg dhe me mjekët që kishin ardhur nga shumë vende evropiane për Konferencën e XVI të organizuar nga Federata së cilës i prin ajo, na shoqëronin edhe disa mjekë të cilët i gëzoheshin ardhjes në Londër dhe prezantimit të punimeve të tyre shkencore në konferencën e XVI ndërkombëtare në Londër. Me ne është edhe pianistja Lule Elezi që ka ardhur nga Kosova, e cila aktivitetin e Federatës e përkrah që nga Konferenca e parë në Kosovë. Me ne janë edhe mjekët: Dr.Afrim Shabani, Dr.Negjip Sopa, Dr.Hafije Zogaj, Dr.Bernarda Radoncic, avokatja Teuta Abazi, mjekja Gylistane Mehdiu e unë si me shaka me batutat e mia kërkoj të marr mendimin e presidentes dhe mjekëve se cila nga Konferencat e deri tashmë kanë gjënë më të suksesshme. Të gjithë në vlerësimet e tyre nxjerrin atë në Tiranë dhe Prishtinë.
Aurora si një humaniste që është, pajtohet me diskutuesit, por shton se secila nga Konferencat ka vlerën e vet në edukimin e pacientëve sidomos ato Konferenca që për temë qendrore kanë patuar luftën kundër Covid 19.
Pajtohem me ju se dega e AMFE në Shqipëri është shumë aktive dhe deri më sot kur po flasim ka organizuar disa webinare online në tema të ndryshme. Këtu po i përmend disa prej tyre: 2 Prill 22 “Kanceri i Mushkërive”, më 23 Korrik 2022′ Patologjitë më të shpeshta gjatë stinës së verës dhe kujdesi ndaj tyre”, 15 Tetor ” Shëndeti i gruas dhe kujdesi mjekësor” , 22 Tetor 2022 “Diagnostika dhe trajtimi i Limfomave”, 26 Tetor 2022 Konferencë fizike dhe online me temen: “Kanceri i gjirit” e mbajtur në Prishtinë që me sukses e drejtuan Elion Kollcaku dhe Gjergji Pashaj si dhe ajo e 12 Nëntorit 2022″, Virozat stinore, trajtimi dhe kujdesi ndaj tyre”. Ky aktivitet është meritë e Kryetares së degës së AMFE zonjës Dr.Esmeralda Babamusta dhe sekretarit të përgjithshëm të AMFE zotëri Gjergji Pashaj për çka nga këtu i falenderoj shumë për angazhim të jashtëzakonshëm. Me të drejtë e shpallëm si më aktiven në kuadër të aktivitetit tonë të përgjithshëm. Me pëlqimin e të gjithë anëtarëve më herët të gjithë vendosëm të jemi në Londër dhe të themelojmë degën tonë këtu për të shpërndarë edhe në Londër aktivitetin tonë ku kemi një numër të madh mjekësh shqiptare po edhe shumë mërgimtarë nga trojet shqiptare që kohëve të fundit është bërë edhe mollë sherri edhe në parlamentin anglez. Pikërisht për këtë, Federata jonë ka vendosur që të sjellë në Londër edhe atë pjesën intelektuale nga shumë shtete Evropiane në Konferencë.
Më kujtohet kur isha studente kur prindërit na udhëzonin të punojmë për rezultate sa më të mira e të ruhemi nga gojë këqinjtë, më thoshte nëna: Fjala është si çelësi bija ime, nëse e përdor siç duhet, mbyll çdo gojë dhe hap çdo zemër. Ne me urtësinë dhe dijen tonë do shërojmë dhe ndihmojmë çdo njeri që ka nevojë për ne. Mendoj që prezenca jonë si mjekë dhe profesionistë mjekësorë këtu do të nderojë në radhë të parë shkencën me arritjet tona, dhe e dyta vendin mikpritës ku qindra bashkatdhetarë tanë jetojnë në Londër. A ka ma kënaqësi kur dëgjon ligjeratën e Prof.Dr.Kita Sallabanda, një neurokirurg i njohur në Spanjë, njëherit edhe Kryetar i Shoqatës së Neurokirurgëve të Spanjës, mendoj që ky emër i bënë nder kombit shqiptar dhe Federatës ku ligjëratat e tij janë një vlerë e çmuar për shkencën e mjekësisë. Pastaj Dr.Negjip Sopa, një gjinekolog i njohur në Danimarkë, Prof.Dr.Vedat Eljezi, anesteziologe në Francë, Prof.Dr. Afrim Shabani, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Kosovë dhe Oftamolog i njohur në Prishtinë, Dr.Ardian Fandi specialist i mjekësisë familjare në Londër, Dr. Skënder Brataj, drejtues i Spitalit të Urgjencës në Tiranë, Dr.Gazmend Berisha një anesteziologë i njohur në Norvegji, Dr. Geriolda Topi, shkencëtare e njohur në Suedi, Dr.Viola Halili, eksperte e mjekësisë ligjore në Shqipëri e cila që nga dita e parë është në aktivitet me Federatën, të mos harroj edhe Dr.Sabri Trepca, specialist në Londër, Dr.Gylistane Mehdiu, mjeke specialiste nga Kosova, Dr.Genc Kelmendi në Gjermani, kryetar i degës, Dr.Besnik Nurboja, specialist i urgjencës në Londër, Laidon Shapo, specialist i Epidemiologjisë në Londër, Dr. Mirela Hasanaj e në veçanti dëshiroj ta falenderoj një vajzë të re nga Gjermania, Teuta Abazi / Avokate për të cilën federata ka patuar shumë nevojë. Besoj që edhe me profil e kemi plotësuar Federatën.
Zonja Dollenberg derisa cakërronte gotat me kolegët për rezultatet e Federatës për vitin 2022 u vu në siklet se ndoshta mos ka harruar ndonjërin që ka kontribuar në federatë e nuk e ka përmend.
Besoj që do më falin. Puna e secilit prej tyre besoj që ka depërtuar tek studentët dhe pacientët.
Unë si me shaka i them, nuk ta zënë për të madhe se ti je shumë e angazhuar në këto organizime dhe shumicën e punës e bën vetë. Këtë e vërejta sot kur po përgatitej salla për fillimin e konferencës. Ju lumtë dhe aferim do thoshte nëna ime doktoreshë. Për ata kolegë që sot nuk janë me ne në Londër, dëshiroj që me ju ta ndaj kënaqësinë për urimet dhe përgëzimet që dje mora nga dy ambasadat tona këtu në Londër, nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë zotëri Qirjako Qirko dhe nga ai i Republikës së Kosovës Ilir Kapiti. Të dy ambasadorët aktivitetin tonë e përshëndetën dhe shprehën gatishmërinë ta ndihmojnë sa herë që kemi nevojë për ndonjë aktivitet tonin këtu në Londër. Besoj që edhe ju do më shoqëroni për një falenderim që do të nisim bashkë Zv. Ambasadores së Kosovës zonjës Albana Bylykbashi, e cila dje ishte në sallë për të përshëndetur mjekët pjesëmarrës në Konferencë.
Kur flasim për sukseset e konferencës besoj që të gjithë njerëzit do shprehim kënaqësinë tonë që Konferenca ka arrit edhe këtë herë t’i përmbushë objektivat e saj në prezantimin e temave të parapara nga mjekët që punimet e tyre i kanë paralajmëruar me kohë. Ajo çka më gëzon mua dhe të gjithë anëtarët e federatës sonë është fakti se këtë herë kishim në Konferencë edhe mjekë të rinj nga Kosova dhe Islanda. Konferenca e sotme shton presidentja Dollenberg përveç anës shkencore ka përmbushë edhe një ëndërr të mjekëve që Festën e flamurit ta kremtojmë këtu në Londër dhe të bashkojmë shkencën me artin tonë shqiptar që në skenë do e sjellin fëmijët emigrantë që pa dëshirën e tyre rriten në atdhe të huaj.
Derisa unë shijoja verën e bukur londineze për nder të festës së 28 nëntorit, më erdhi në mendje të prek pak edhe kontributin e Institucioneve tona shtetërore në ndihmë aktiviteteve të shoqatës që në këtë fundvit natyrisht që duhet të shpreh falenderimin për bashkëpunim dhe përkrahje. Aty e kisha mendjen, më thotë presidentja Dollenberg. Nuk do e kisha mbyllur bisedën me ty pa iu falenderuar të gjithë ata që gjatë gjithë aktivitetit tonë kanë qenë dora e djathtë e aktiviteteve tona duke filluar nga Konferenca e parë e deri më sot.
Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë ata që në forma të ndryshme kanë motivuar dhe ndihmuar Federatën në aktivitetin e saj. Dua ta falenderoj nga zemra ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Danimarkë zonjën Elida Petoshati, Konsullatën e Republikës së Kosovës. Në Stuttgart të përfaqësuar nga zonja Lumturie Lipoveci, konsulle e cila na ftoi në takimin me Kryeministrin e Republikës së Kosovës zotëri Albin Kurti i cili i shoqëruar nga Dr. Faruk Ajeti, ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin organizuan një bashkëbisedim me bashkatdhetarët. Madje Zv. Ministren në Ministrinë e Punëve të Jashtme zonjën Liza Gashi, për përkrahje të jashtëzakonshme në aktivitetin tonë, zotëri Afrim Nura, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Munich, Dr. Eshref Januzaj përfaqësues i shoqatës “Dija”. Një falenderim të veçantë për përkrahje të aktivitetit të Federatës dhe angazhimin e tyre në aktivitetet tona, zonjën Sonila Hysi, Anila Hyka, Brikena Muharremi, zotëri Avni Dervishi, politikolog, zotëri Haxhi Dulla kryetar i Shoqatës Polako – Shqiptare në Poloni dhe dy xhiruesit e aktiviteteve tona të përhershëm zotërinjtë Avni Biceri dhe Ardit Mamaj. Do i falenderoj edhe të tjerët që sadopak na kanë ndihmuar e që për momentin nuk po më bien në mend. Urimi im për të gjithë shqiptarët dhe pacientët në botë ku do të jetojnë të kenë shëndet dhe sa më pak të kenë nevojë për ndihmën e mjekut. Gëzuar Vitin e Ri 2023!
Ndoshta do ishte mirë ta përfundonim bisedën me kengën për Buzmin që si fëmijë na këndonin nënat. Po vjen Buzmi bujar. Po vjen për festë të motmotit. Po vjen me të gjitha të mirat e Zotit.
Gëzuar!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.