Çdo familje, në çdo fundvit bën bilancet e veta, jo vetëm financiare por edhe në fusha të tjera: bilancin e shëndetit mendor dhe atij fizik.
Ky vit që lamë pas tronditi jo vetëm financat tona por edhe mirëqenien tonë fizike e psikologjike, identitetin e gjithsecilit me pasigurinë e jetës në të cilën u gjendëm papritur. Distancimi social na afroi më shumë me familjet e na largoi me miqtë, ata të vetmuarit i bëri akoma më të vetmuar, të sëmurët i sëmuri më shumë, të frikësuarit i frikësoi më shumë, të fortët luftuan me limitet e tyre të durimit e të dobëtit mes dilemave ekzistenciale. Por si çdo gjë, sado e keqe e madhe të jetë, edhe kjo situatë do mbarojë.
Ndërkohë, ndodhemi prag fundviti, e gjithsecili nga ne mbyll bilancet e veta. Disa u pasuruan në këtë periudhë e disa të tjerë (shumica) u futën në borxhe e luftuan me mbijetesën. Shumica ngelën të papunë e disa pak syresh patën mundësi punësimi. Disa shtuan depozitat bankare e disa thelluan kreditë e papaguara.
Kjo situatë kaotike do mbarojë e gjithsecili, kush më shumë e kush më pak, do mundohet të rikuperojë. Por pasojat më të vështira për rikuperim, do të jenë ato psikologjike. Kështu që le të flasim për prioritetin e shëndetin mendor që u trondit tek të gjithë ne.
Gjatë kësaj periudhe pandemie, truri ynë u mbingarkua shumë me informacione të frikshme, pamje e shifra traumatike. Mbajtja dhe risjellja e tyre vazhdimisht në diskutimet e përditshme ka lodhur e ezauruar psikologjikisht shumë individë. Mundohuni të seleksiononi gradualisht në diskutime informacionin e panevojshëm lidhur me pandeminë, sidomos kur komunikoni me prindërit dhe fëmijët tuaj. Sa më pak të risillen në diskutime, aq më shumë gjasa ka që ato “ të eliminohen” drejt gjendjeve të gjumit.
“Pastroni kujtesën tuaj” të rënduar përmes mospërsëritjes së informacioneve të marra gjatë periudhës së pandemisë, gjithçka që lidhet me shifrat e vdekjeve e të infektuarve.
Bëni gjithçka që duhet, për të lënë pas gjërat që nuk ju shërbejnë.
Bëni përpjekje për të pasur një bisedë riparuese me një mik apo anëtar të familjes që të bëri të mbash ndonjë ndjenjë të sëmurë inati e zemërimi. Ose, thjesht zgjidhni sinqerisht dhe plotësisht ta lini inatin tuaj të shkojë dhe të filloni çdo komunikim të prishur nga e para.
Sido që të shkojë, mendoni e ndjehuni mirë me veten se jeni ju që do të shkoni në vitin e ri me një propozim të pastër dhe një zemër të hapur.
Kur kthejmë kokën mbrapa shohim se shumë prej gjërave që do të donim t’i realizonim gjatë vitit u bllokuan për faktorë të jashtëm pengues. Por kjo nuk duhet të na pengojë për t’i realizuar ato në vitin e ri që vjen. Duhet të kuptojmë se, nëse nuk kemi ndihmën e familjarëve dhe të miqve tanë, përpjekjet për realizimin e qëllimeve tona do të jenë më të vështira. Rrjedhimisht, solidariteti e harmonia mes njëri-tjetrit duhet të jetë më e madhe për ta kaluar sa më shëndetshëm këtë situatë tronditëse që po përjetojmë.
Megjithëse në këtë fundvit është e vështirë vendosja e qëllimeve të reja për vitin e ardhshëm, ato duhen menduar e diskutuar duke pasur parasysh që situata do përfundojë një ditë. Mos prisni që pandemia të ketë datë zyrtare për ikjen e saj. Ajo do të largohet gradualisht deri në zbehje, e këtë detaj askush nuk mund ta parashikojë. Por derisa këto paqartësi të marrin fushëpamje, në momentet e qeta tuaja, merrni e planifikoni atë që dëshironi të arrini dhe si do t’i kryeni gjërat në vitin e ri që pritet të vijë, sepse duke pasur një vizion të qartë për veten dhe atë që dëshironi, do ju bëjë të ndjeheni më të qetë e më mirë psikologjikisht.
Koha është aseti ynë më i çmuar, që fatkeqësisht nuk mundëm ta shfrytëzonim ashtu siç donim përgjatë 2020. Por nga ana tjetër, shumë prej nesh u ndërgjegjësuan për rëndësinë e saj e rrjedhimisht dhe për shumë përfitime të tjera, për të cilat nuk i kishim vlerësuar sa duhet.
Kjo situatë pandemie do mbarojë një ditë e padyshim vështirë të harrohet nga secili prej nesh. Por, ashtu sikurse shprehja “ Çfarë nuk të vret të bën më të fortë”, le të reflektojmë më shumë e të mësojmë nga këto vështirësi për t’ju lënë mesazhe të dobishme brezave në të ardhmen.
Gjatë kësaj pandemie, më shumë se kurrë mësuam të pastrojmë shtëpitë, duart, rrobat…por ka ardhur momenti, që për hir të shëndetit tonë mendor, të pastrojmë kujtesën tonë nga informacionet traumatike më shumë se gjithçka, me qëllimin për të ecur përpara.
#rudina koromani
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.