Në fokus

March 26, 2016 | 6:40

Më tepër kujdes për qetësinë shpirtërore

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Nga: Fleura Shkëmbi

Pasiguria për jetën na streson, jep ankth, na sëmur. Ne qeniet njerëzore vazhdojmë çdo ditë e më shumë të dëshirojmë një jetë të rreme, të mos jetojmë ato që kemi. Të gjithë duam të kemi gjithmonë e më shumë pa arritur të shijojmë dhe të kënaqemi me ato që kemi…

Gjatë ditës ke pasur një konflikt me veten, partnerin, fëmijën, kolegët e punës, shefin… dhe lista është pa fund. Që nga ai moment, ti vazhdon ta përpunosh në mendjen tënde, ta bluash psiqikisht, të japësh variantet sesi do ta zgjidhësh, sesi do ta çosh më tej debatin, sesi do të përballesh. Në këto momente fillon reagimi i trurit “lufto ose vrapo”, i cili ka ekzistuar që kur ka lindur njeriu. Tashmë kanë ndryshuar vetëm stresorët: atëherë do mbroheshim nga tigri e luani, tani nga shefi dhe nga presioni i shoqërisë. Dikush vjen dhe flet vetëm për familjen e madhe, ku vazhdon vjehrra, kunata, kunati, burri që të vendosin për të. Vazhdojnë vendosin ata se ku do të shkojë ajo dhe fëmijët me pushime, se sa shpenzime duhet të bëjnë, se cilin/cilën duhet të marrin me vete, ndërkohë që gjatë pushimeve nuk e lë dot veten të qetësohet dhe të kënaqë veten dhe fëmijët, mban mëri me bashkëshortin se ai nuk ka qenë i aftë ta zgjidhë këtë lëmsh, humbet ajrin e detit, harron që dielli lind i bukur sepse mendja vazhdon dhe nuk ndalon së bluari inatin dhe zemërimin. Dikush tjetër vjen sepse ka mbetur brenda një rrethi vicioz: puna e vështirë, kredia e bankës, niveli i lartë i stresit dhe i ankthit (deri në ezaurim). Duhet të largohet nga ajo punë që të ulë nivelin e stresit dhe të shkojë diku ku paga është më e ulët, po ashtu edhe presioni, por kredia vazhdon akoma dhe duhet paguar, sepse banka të merr në telefon, të shton presionin akoma edhe më shumë sepse të merr shtëpinë. Ky rreth vazhdon dhe qenia njerëzore nuk është e përgatitur për të qenë në të tilla situata, kështu që i duhet të vazhdojë të punojë po nën stres, të durojë akoma më shumë sepse vazhdon stresi dhe presioni zhvendoset në familje. Përpiqet të largohet disa ditë larg qytetit për t’u qetësuar, por stresi është mbartur në mendje dhe e shoqëron ngado shkon. Një nënë është e shqetësuar për djalin e saj, sepse ai ka nivel të lartë ankthi, ka frikë, ka pasiguri, nuk ka të ardhura për të paguar shkollën, nuk ka të ardhura për të blerë makinë, për të shkuar me të dashurën në club, për të shkuar me pushime diku jashtë apo në vendet ku të rinjtë ekspozohen. Ajo ndihet e pafuqishme për ta ndihmuar djalin e vet. Ajo ndihet e pafuqishme për të gjetur një punë (punon në gjithçka i del, edhe pse pagesat janë shumë të ulëta), megjithatë puna më e vështirë është sesi të ndihmojë djalin e saj. Të gjitha këto raste dhe të tjera pa fund janë pjesë e së përditshmes sonë. Pasiguria për jetën na streson, jep ankth, na sëmur. Ne qeniet njerëzore vazhdojmë çdo ditë e më shumë të dëshirojmë një jetë të rreme, të mos jetojmë ato që kemi. Të gjithë duam të kemi gjithmonë e më shumë pa arritur të shijojmë dhe të kënaqemi me ato që kemi. Një njeri punëtor vazhdon çdo ditë (edhe pse është i sëmurë dhe është në trajtim të rregullt) dhe mendon vetëm sesi të shtojë biznesin e vet, ndërkohë ka harruar të jetojë, nuk u kushton aq kohë fëmijëve dhe familjes (edhe pse për ata punon), ka humbur kuptimin e jetës, duke bërë prioritetin kryesor të ardhurat. Ky njeri mundet shumë mirë të menaxhojë këto që ka dhe të jetojë akoma më bukur për veten dhe familjen të cilën e ka të shenjtë. Të gjithë ne jemi pjesë e këtij procesi dhe nuk po dimë ku të ndalemi. Nuk po dimë se ku duhet të ulemi të pushojmë, të marrim frymë, të shijojmë rrugëtimin e jetës. Nëse në një moment flasim për këto situata, të gjithë mendojmë se jeta është prioriteti kryesor, por sapo rikthehemi në të përditshmen e kësaj jete na rrëmben rutina. Kur dëgjojmë njerëzit, të cilët përballen më një sëmundje, atëherë përmendemi disi. Në dy raste shumë interesante ata (janë të dy meshkuj) shprehen po njëlloj: “do t’i jepja të gjitha lekët vetëm të shpëtoja nga kjo sëmundje (njëri ka vetëm ankth dhe tjetri një sëmundje të trajtueshme) dhe lekët do t’i bëj përsëri”. Pra, për këta njerëz të sinqertë është më e lehtë të bëjnë lekë se sa të kujdesen për veten, sepse vetja është e vështirë për t’u përballur. Gjithsesi është shumë pozitive që kemi filluar të kthehemi nga vetja, të kujdesemi më tepër për qetësinë shpirtërore, sepse e kemi kuptuar që asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme se përjetimet e momenteve dhe çasteve të këtij rrugëtimi, i cili ka qëllimin dhe mbart misionin e vet të të mësuarit të gjësë më të pastër: dashurisë si proces jetësor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top