Në fokus

May 1, 2016 | 14:51

Më thuaj radhën e lindjes…të të them kush je

Shpesh lind pyetja: Pse ndryshojnë kaq shumë fëmijët në një familje? Prindërit kanë prirjen t’i krahasojnë fëmijët me njëri-tjetrin, aq sa duket sikur duan t’i bëjnë identikë. Shprehje të tipit: Duhet t’i ngjash pak më shumë vëllait të madh, dëgjohen rëndom. Duket sikur dëshirojnë t’i çojnë fëmijët tek ajo që ata duan dhe jo tek ajo që fëmijët janë. SaintExupery, filozofi dhe shkrimtari francez, bën një pohim të mahnitshëm në një nga librat e tij: “Ndoshta dashuria është procesi në të cilin unë të çoj sërishmi ëmbëlsisht tek vetja jote”. Pikërisht kjo është ajo që duhet bërë, në mënyrë që fëmija të gjejë veten.

Pozicioni i çdo fëmije në familje ndikon zhvillimin. Prandaj dy fëmijë në një familje zhvillohen në mënyra të ndryshme. Kjo është diçka për të cilën duhet të ndihemi mirë, sepse na thekson edhe një herë që secili prej nesh është një qenie unike, e papërsëritshme. Sipas Leo Buscaglia, “Secili prej nesh është një individ krejt i mëvetësishëm, që mbart në vetvete një element që e bën të mendojë ndryshe, të shikojë ndryshe, të ndjejë ndryshe dhe të veprojë ndryshe”. Radha e lindjes shfaq interes për faktin se ushtron ndikime mbi individin. Ndikon jetën, martesën, karrierën, marrëdhëniet ndërpersonale, karakteristikat e personalitetit. Sipas Adlerit, babait të psikologjisë individuale, i cili padyshim meriton të quhet edhe babai i teorisë mbi radhën e lindjes ose konstelacionin familjar, siç e ka quajtur vetë ai, në varësi të pozicionit që ka në familje individi përjeton avantazhe dhe disavantazhe.

Të gjithë fëmijët e parë kanë provuar një periudhë të të qenit fëmijë i vetëm. Në përgjithësi iu është dhënë kujdes e përkëdhelje, madje shpesh kanë qenë të mësuar të jenë në qendër të vëmendjes. Papritmas, situata ka ndryshuar me lindjen e një fëmije tjetër me të cilin duhet të ndajnë kujdesin prindëror. Tashmë nuk janë më vetëm, pasi një rival i ka përzënë nga pozicioni i tyre. Te këta fëmijë ky moment përfaqëson një ndryshim të plotë, prandaj nuk mund të shpresojmë që ata ta pranojnë këtë gjendje me lehtësi. Në përgjithësi fëmijët nuk janë të përgatitur për këtë gjë. Por nëse prindërit i kanë përgatitur në mënyrë të kujdesshme për lindjen e fëmijës tjetër, duke i lejuar të ndjejnë sigurinë e dashurisë, ata e dinë se pozicioni i tyre është i sigurt dhe nuk mbartin armiqësi. I porsalinduri merr më shumë kujdes dhe dashuri, kështu që më të rriturit sajojnë mënyra nga më të ndryshmet për të fituar vëmendjen. Sa më të rritur, aq më shumë mund të përdorin forcën për të sajuar dredhi të reja për të shteruar durimin e nënës, duke e shqetësuar ose sulmuar atë për të pasur vëmendjen. Në këto rrethana nëna lodhet, kurse ata mendojnë se nuk i do më. Sa më shumë luftojnë, aq më i keq bëhet pozicioni i tyre. Ata kanë rënë në kurthin që kanë shkaktuar vetë. Kjo situatë ka një kosto të madhe, sepse bëhen nevrikë dhe të pabindur ndaj nënës, ndërkohë që është babai ai që u ofron pozicionin e mëparshëm. Fëmijët më të rritur shpesh preferojnë babanë, sepse janë ndjerë të dështuar, të refuzuar e të lënë jashtë gjërave. Një prirje e tillë mund të vazhdojë gjithë jetën.

I rrituri

Këta fëmijë kur rriten mund të kenë prirjen të rezistojnë dhe të vazhdojnë betejën në të gjitha situatat. Mund të shfaqin një lloj nostalgjie ose admirimi për të shkuarën, pëlqejnë të flasin për të. Ata kuptojnë mirë fuqinë e autoritetit duke qenë se e kanë humbur në vogëli, ndaj kur rriten pëlqejnë të ushtrojnë autoritet dhe theksojnë rëndësinë e rregullave dhe ligjeve. Nëse fëmijët e parë kanë qenë të përgatitur për bashkëveprim, nuk vuajnë nga ardhja në jetë e një fëmije tjetër. Kështu, ata edhe kur rriten zhvillojnë një dëshirë për t’i mbrojtur e ndihmuar të tjerët, imitojnë nënën ose babanë dhe ndjejnë përgjegjësi. Gjithashtu zhvillojnë aftësi të mira organizative. Në përgjithësi janë ata që mbledhin familjen në raste festash dhe që mundohen të ruajnë ekuilibrin. Fëmijët e parë kanë prirjen që kur rriten, t’ua atribuojnë një pjesë të arritjeve të tyre prindërve dhe përpjekjeve vetjake. Ata janë të duruar, i marrin gjërat seriozisht dhe përqendrohen mirë në punët që kryejnë. Ndjejnë se kanë mbështetje dhe se puna që bëjnë respektohet.

Çfarë rrezikojnë

Rrezikojnë të jenë perfeksionistë, janë mësuar me arritje të larta, por ndihen sikur nuk janë atje ku duhet, mund të bëhen egoistë. Sipas Frojdit: “Fëmijët janë plotësisht egoistë, duan vetëm të kënaqin nevojat e tyre”. Asokohe Frojdi nuk e tha këtë për fëmijët e parë, madje as për radhën e lindjes, por duket se fëmijët e parë rrezikojnë të shfaqin këtë lloj egoizmi. Nuk u pëlqen t’u thuhet se çfarë duhet të bëjnë konkretisht, por kanë një nevojë të brendshme për t’u udhëhequr. Në disa raste fëmijët e parë dyshohen për shfaqje të simptomave depresive. Është e kuptueshme që nënat janë më posesive ndaj fëmijëve të parë, madje identifikohen me to. Duke ushtruar një lloj presioni, ato besojnë se fëmija i parë duhet të jetë më i suksesshmi në aspektin akademik, prandaj i investojnë të gjitha energjitë e veta në këtë drejtim. Kjo bën që për shkak të presionit prindëror, këta individë të jenë më të depresuar.

Fëmija i vetëm – Në mungesë të rivalëve

Fëmijët e vetëm, në ndryshim nga rastet e mësipërme, nuk kanë një rival motër ose vëlla. Shpesh janë shumë të përkëdhelur nga nëna, e cila nga frika se mos i humbasë dëshiron t’i mbajë vazhdimisht në mbrojtje. Këta fëmijë dëshirojnë të jenë gjithë kohën në qendër të vëmendjes. Parapëlqejnë të shoqërohen me më të rriturit. Nëse në një familje intervali midis lindjes së fëmijëve është shumë i madh, ka të ngjarë që secili prej tyre të zhvillojë karakteristikat e një fëmije të vetëm.

I rrituri dhe rreziqet që mbart Rrezikon të jetë i përkëdhelur dhe pse në moshë të papërshtatshme për t’u përkëdhelur nga kushdo, pasi mund të ndodhë që këta individë të mos jenë në gjendje të bëjnë dallimin se nga cilët persona duhet t’i kërkojnë disa privilegje e nga cilët jo. Rrezikojnë të shfaqin karakteristika të personalitetit narcizistik, për shkak të një vetëdashurie të tepruar.

Një djalë i vetëm midis vajzave Një djalë i vetëm midis vajzave do të rritet në një mjedis tërësisht femëror. Nëse është më i vogli, pa dyshim që do të jetë më i përkëdheluri. Mjedisi femëror ndryshon nga një mjedis i përzier, shtëpia do të jetë e pastër dhe e rregullt, çdo gjë e zgjedhur me kujdes. Këto mund të ndikojnë që djali i vetëm të zhvillojë një pikëpamje më femërore për jetën, ose do të rezistojë fuqishëm ndaj kësaj atmosfere për të theksuar maskulinitetin e tij.

2. Fëmija i dytë – Përherë në garë me më të madhin

Fëmija i dytë që kur lind ndan kujdesin me një fëmijë tjetër, prandaj duhet të jetë më bashkëpunues. Për ta ka gjithmonë një stimul, një fëmijë që i kryeson në moshë, të cilin përpiqen vazhdimisht ta arrijnë. Fëmijët e dytë tipikë janë gjithmonë në garë. Mund të jenë të irrituar nga ndjenja se mund të kenë mbetur prapa. Shpesh fëmijët e dytë janë më të talentuar. Gjithsesi nuk ka një rregull të prerë, sepse mund të ndodhë që një fëmijë i dytë tipik të lindë pas katër-pesë fëmijëve, sikurse mund të ndodhë që një fëmijë i tretë të shfaqë karakteristika të fëmijës së rritur.

Karriera

Përtej asaj çfarë mbështesin teoritë, faktet flasin vetë. Nuk ka rregulla të përcaktuara në mënyrë përfundimtare. Ata kanë të gjitha mundësitë për të bërë karrierë si psh: George Washington, George Bush, Cindy Crawford etj. Kjo vjen dhe si pasojë e faktit që fëmijët e dytë mbledhin miq rreth vetes dhe janë më elastikë në marrëdhënie për shkak të pozicionit.

I rrituri

I rritur, fëmija i dytë, ruan prirjen për t’u krahasuar me dikë që ka sukses dhe është më i rritur kronologjikisht në vite. Në raste klinike nuk është e çuditshme që vetja e rritur “të urrejë” veten fëmijë. Mund ta shikojnë veten si individë, të cilët në vogëli nuk kanë pasur kontrollin e duhur mbi gjërat. Shpesh, kur shfletojnë albumet e fotove, në gojën e këtyre të rriturve mund të lexoni: “Ja dhe ime motër, ka qenë shumë e bukur dhe vazhdon të jetë, kurse unë kam qenë si djalë”. Fëmija i dytë, tashmë i rritur, Kur fëmija i parë është djalë dhe fëmija i dytë është vajzë Në këtë garë shpesh dëmtohet fëmija më i rritur. Duke u përpjekur të ruajë pozicionin e vet, frenon fëmijën më të vogël, por në të vërtetë fillon të shfaqë vetë shqetësime. Pozicioni më i vështirë është kur fëmija i parë është djalë dhe fëmija i dytë është vajzë, sepse në këtë rast përjeton rrezikun e të mundurit nga një vajzë, gjë që në shoqërinë tonë mund të konsiderohet ende turp. Prej natyre, vajza është më e favorizuar deri rreth moshës 16 vjeç, sepse zhvillohet më shpejt fizikisht, për rrjedhojë djali mund të dorëzohet e të bëhet përtac. Problemet mund të shmangen në një familje ku ka unitet dhe bashkëveprim midis anëtarëve. Gjithsesi, ky është një shqetësim që nuk ndihet mbasi kalon mosha e adoleshencës. Në këtë rast të rriturit mund të zhvillojnë një marrëdhënie partneriteti të frytshme me njëri-tjetrin. Kur rriten fëmijët e kësaj radhe lindjeje gjejnë mbështetje tek njëritjetri. justifikon me tiparet paksa më djaloshare inferioritetin që mbart dhe në të tashmen ndaj motrës së parë. Është interesante çfarë mund të zbulohet përmes fotove, pasi duke parë veten në foto natyrshëm provokohen emocione të ndryshme, çështja është tek mesazhet që i përcjell fëmija në foto, të rriturit. Shpesh këto mesazhe janë jo shumë vetëvlerësuese në raport me një motër apo vëlla më të rritur. Në rastet kur fëmijët e dytë bëhen të rritur të suksesshëm, ndodh që në biseda përmendin shpesh një motër a vëlla më të rritur, sikur duan t’i atribuojnë atij\asaj një pjesë të suksesit të vet.

Çfarë rrezikojnë

Rrezikojnë të jenë manipulues në marrëdhënie dhe të ndihen sikur i kanë mënjanuar nga pozicioni që meritojnë.

Fëmija i tretë – Gjithnjë në fron

Fëmijët më të vegjël nuk rrëzohen asnjëherë nga froni, sepse nuk kanë pasues. Mund të zhvillohen mirë e të përparojnë, por mbartin disa rreziqe. Fëmijët e vegjël të familjes rrezikojnë të jenë më të përkëdhelurit, pasi kanë vëmendjen e vëllezërve dhe motrave, prindërve, madje janë të mbështetur maksimalisht prej tyre për t’i arritur gjerat. Atyre u mungon në këtë rast kuraja për t’i arritur gjërat vetë. Gjithashtu, duke qenë se në familje të tjerët janë më të rritur dhe më me përvojë, mund të vuajnë nga ndjenja e inferioritetit.

I rrituri Fëmija më i vogël kur rritet rrezikon të mbetet i bllokuar, aq sa i duket sikur e ka çuar jetën dëm. Kjo ndodh sepse operojnë me informacion të limituar dhe tentojnë t’i marrin vendimet duke mos pasur informacionin e duhur. Duket sikur nuk mund të ekzistojnë vetëm dhe preferojnë të jetojnë me prindërit.

Çfarë rrezikojnë Rrezikojnë të mbeten “bebe”, të ndihen të tillë edhe kur janë rritur. Kanë më pak vetëkontroll.

Karriera

Shpesh janë më kreativë dhe praktikë, prandaj zakonisht karriera e tyre orientohet drejt krijimtarisë. Në art reflektojnë rebelizëm. Mund të jenë të famshëm si Zhan D’Ark, Charles Darwin, Charlie Chaplin etj.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top