Nga:Besarta Taçi
Puthja: akti i parë përfaqësues i altruizmit, e dhënë, e marrë apo e vjedhur, puthja e parë është një moment që ngulitet në kujtesën tonë dhe bëhet pjesë e memories biografike.
Keni pyetur ndonjëherë veten pse puthja përfaqëson ndjenjë, intimitet dhe dashuri? Si seksologe nuk mund të mohoj anën kimike, pra kur buzët tona prekin buzët e personit me të cilin po ndajmë këtë gjest të veçantë, ndodh një shkëmbim i produkteve kimike, të cilat arrijnë e aktivizojnë në tru qendrat e kënaqësisë. Në radhë të parë kur gjuhët preken, japin një stimul të fortë sistemit nervor qendror, i cili prodhon hormonet e adrenalinës që na bëjnë të ndjejmë ato “fluturat në stomak”, që zakonisht përshkruajmë. Bashkë me hormonet rritet presioni i gjakut nga rrahjet e forta të zemrës, duke vënë të gjithë organizmin tonë në lëvizje, i cili humb disa energji-kalori edhe nga fakti që gjëndrat e djersës fillojnë e vihen në lëvizje, si gjithashtu edhe muskujt e fytyrës. Kimia është shumë e rëndësishme, sepse gjatë puthjes lejon shkëmbimin e informacioneve që na bëjnë të shprehemi mbi pëlqimin e saj, sepse pështyma përmban testosteron te mashkulli dhe frymëmarrja te femra është shenjë e kapacitetit riprodhues. Kërkimet shkencore i japin një rëndësi themelore puthjes në zgjedhjen e partnerit dhe partneres, sepse në bazë të erërave, intensitetit apo ritmit të puthjes kuptohet zhvillimi emocional dhe seksual që do karakterizojë çiftin, pra ëmbëlsia apo pasioni që krijon magjinë e puthjes së parë është treguesi i tipologjisë së marrëdhënies. Është e rëndësishme të kuptojmë mekanizmin e adrenalinës dhe ndjenjave pozitive që trupi ynë përjeton gjatë puthjes, sepse në fazat e parë çiftet kalojnë një pjesë të mirë të kohës duke eksperimentuar puthje të gjata. Në këtë fazë trupi, le të themi, është i “droguar” nga kjo ndjesi.
Por çfarë ndodh kur çifti ndahet?
Ndonëse për pak orë apo pak ditë, përgjithmonë apo përkohësisht trupi ynë ndjen mungesën e dozave të puthjes. Disa çifte pësojnë doza stresi kur ndahen, disa nuk e tolerojnë dot këtë mungesë dhe kanë nevojë ta zëvendësojnë me praninë e një personi tjetër që mundëson puthje dhe afrimitet. Disa kanë nevojë të bëjnë paqe me shumë puthjes pas një konflikti. Pikërisht pse puthjes i japim kuptime të ndryshme me çdonjërin nga ne, ajo ka një rëndësi të veçantë. Çdo çift ka një mënyrë unike të të përjetuarit të puthjes, e cila bëhet pjesë e intimitetit. Zakonisht femrat bëjnë më shumë kujdes te mënyra e të puthurit te një mashkull, te sasia apo intensiteti. Femra ka nevojë për praninë e shumë puthjeve në preliminare sepse interpretimi i tyre në këtë fazë është mësë shumti ndjesor. Mashkulli zakonisht i kushton më shumë rëndësi raportit, sidomos për arritjen në pikën përfundimtare, e kështu puthja kalon në plan të dytë. Por përtej çdo gjeneralisimi, është mënyra e kombinuar e çiftit që karakterizon tipologjinë e puthjeve. Nëse do o mbetemi interpretimit psikoanalitik, goja përfaqëson oralitetin, zona e parë ku fëmija provon ndjesi pozitive nga ushqimi, pra zakonisht, disa persona i kushtojnë më shumë rëndësi puthjes e disa të tjerë më pak. Por buzët janë metafora e buzëve të dyta te femra, pra në imagjinatën erotike mashkullore, përvoja e puthjes simulon seksin oral, prandaj është një shtytës i fortë dhe i drejtpërdrejtë i raportit seksual.
Po kur çifti pushon së puthuri?
Për të gjitha arsyet e përshkruara, pra kimike, psikologjike, intime apo pasionale, mungesa e puthjes në një çift është shumë domethënëse, tregon që trupi është mësuar me mungesën e saj, vërteton që seksualiteti është i varfër, që mungon intimiteti e shkëmbimi i përkëdheljeve. Puthja në buzë na karakterizon si qenie njerëzore, por sidomos si çift seksual ndryshe nga puthjet që ndajmë me personat e tjerë të rrjetit social. Një raport seksual pa praninë e puthjeve, rezulton anafektiv, pra i ndarë totalisht nga pjesa emocionale.
Psikoseksologët thonë se kur një çift vjen te ne, pyetja e parë që i bëjmë është: “Kur jeni puthur herën e fundit?” Dhe në të shumtat e rasteve, kur çifti përjeton një krizë të fortë, statistikat tregojnë se mesatarisht kanë një vit që buzët e partnerëve nuk bashkohen më. Pra puthja tregon shumë për mënyrën se si ne japim e marrim ndjenjë, ngrohtësi, pasion dhe adrenalinë. Gjithsesi, sa më shumë puthje, aq më pak stres dhe më shumë dashuri. Mos ndaloni së puthuri sepse do ndaloni së qenit çift.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.