Në fokus

September 24, 2019 | 14:39

“Më vodhët fëmijërinë dhe ëndrrat e mia”, apeli i 16 vjeçares drejtuar liderëve botërorë

“Ju keni vjedhur fëmijërinë time, ëndrrat e mia.” Kjo ishte akuza që adresoi ndaj liderëve botërorë aktivistja e mirënjohur  për ndryshimin e klimës, adoleshentja suedeze, Greta Thunberg, teksa foli në samitin e Kombeve të Bashkuara për klimën.

“Ne jemi të zhgënjyer, por të rinjtë kanë filluar të kuptojnë tradhtinë tuaj, sytë e të gjithë brezave të ardhshëm janë mbi ju, dhe nëse vendosni të dështoni, ne nuk do t’ju falim kurrë”, shtoi ajo, duke theksuar se “bota po zgjohet dhe ndryshimi po vjen, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo”.

Së bashku me Alexandria Villaseñor, një aktiviste shumë e re amerikane, Greta ishte atëherë në mesin e 16 nënshkruesve të një peticioni zyrtar të paraqitur para Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve. Ankesa është nënshkruar nga të rinjtë midis 8 dhe 17 vjeç nga 12 vende kundër pesë fuqive: Argjentinës, Brazilit, Francës, Gjermanisë dhe Turqisë.

Peticioni argumenton se paaftësia e shteteve Anëtare për të adresuar krizën e klimës është një shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe i kërkojnë organit të pavarur që ta urdhërojë atë të veprojë për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet shkatërruese të ndryshimit të klimës.

Edhe nëse vetëm në mënyrë indirekte, fjalimi i Gretës dha disa rezultate: “Gjashtëdhjetë e gjashtë vende, 102 qytete dhe 93 kompani – kanë njoftuar Kombet e Bashkuara se janë angazhuar të arrijnë emetimin zero deri në vitin 2050”.

Njëzet kombe e kanë përfshirë këtë angazhim në ligjet kombëtare ose kanë identifikuar plane konkrete politike për ta zbatuar atë. Bashkimi Evropian, nga ana e tij, shpreson të arrijë një konsensus midis anëtarëve të tij deri në vitin 2020.

Një tjetër rezultat i rëndësishëm është ratifikimi nga Rusia e Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimin e klimës. Kryeministri Dmitry Medvedev shpjegoi se “është e rëndësishme që vendi ynë të marrë pjesë në këtë proces: kërcënimi i ndryshimit të klimës mund të rrezikojë ekuilibrin mjedisor, të rrezikojë zhvillimin e suksesshëm të shumë sektorëve kryesorë, siç janë bujqësia, dhe mbi të gjitha, siguria e njerëzve tanë që jetojnë në veri”.

Surprizë gjithashtu ishte shfaqja e Trump në samitin e Klimës edhe pse më herët kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë. Ai qëndroi për 50 minuta, kohë e mjaftueshme për të dëgjuar fjalimet e Angela Merkel dhe kryeministrit indian, Narendra Modi.

 

 

Burimi / OraNews

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top