Nga Orjona TRESA
Pa doreza këngëtarja e njohur Mefarete Laze rrëfen se ajo që e ka forcuar lidhjen e tyre dhe që nuk ka bërë të zbehet për asnjë çast dashuria prej kaq vitesh me Zenel Veksharin, është sakrifica e përbashkët në emër të ndjenjës dhe të shumë detyrimeve familjare. Sakrificë, e cila ka qenë jo e pakët nga të dyja palët e që mund të përkufizohet me modelin shembull në një rast të tillë, ku ajo dhe ai kanë përmbushur pasionet e tyre pa cenuar aspak familjen. Ndoshta ka qenë edhe fati, siç thotë artistja, e cila shprehet mirënjohëse për bashkëshortin dhe familjen e Nelit. “Raporti ynë ka qenë një dashuri absolute. Kjo mendoj ka filluar qysh kur u njohëm. Kemi punuar në të njëjtën shkollë. Jemi ‘rritur’ në një kolektiv, kemi ndenjur bashkë në të njëjtën shtëpi dhe me gjithë peripecitë që ka jeta, sërish jemi të lumtur. Them se edhe ngrohtësia familjare që të dy kemi pasur në familjet tona, ka ndikuar pozitivisht për të krijuar këtë lloj lidhjeje që kemi edhe sot. Të pranosh bashkëshortin me të mirat e të këqijat e tij, për mua është si shprehja popullore: “Njëra dorë lan tjetrën, të dyja bashkë lajnë fytyrën”. Kjo është dashuria e përjetshme.
Vështirësitë në çift
Kanë qenë jo të pakta rastet që Mefaretes dhe Zenelit u është dashur të kapërcejnë. Në disa kanë lënë edhe gjurmë. Duke qenë ajo më këmbëngulëse, më e drejtpërdrejtë, ndërsa ai më i qetë e më i arsyetueshëm, ka vlejtur kombinimi i të dyve për zgjidhjen e efektshme të ekuacioneve të ndryshme të jetës, pa trazuar për asnjë çast ndjenjën e përbashkët. Por jeta, siç shprehet këngëtarja, nuk është fushë me lule, andaj dhe problemet në çift janë një lloj matematike, provat e së cilës të çojnë në rrugën e duhur. “Nëse në çift ka ‘probleme’, të dy partnerët duhet të mendojnë anën pozitive. Me ardhjen e demokracisë për një periudhë 10-vjeçare kam qenë me koncerte jashtë vendit. Në pjesën më të madhe të rasteve kisha me vete edhe ndonjë nga vajzat. Ndërsa Zeneli qëndronte me tjetrën në Shqipëri. E parë nga jashtë, të jep përshtypjen e një marrëdhënieje që është drejt fundit. Përkundrazi. Lidhja jonë është “blinduar” edhe më shumë për faktin se në çdo telefonatë pyesnim për gjithçka, shoqëruar me përkëdheli në forma të shkurtuara në shkodranishten e ëmbël, kujtime të momenteve të bukura dhe gjëegjëza që duhej të gjendeshin deri në telefonatën e radhës për dhuratat e blera apo momente gazmore të vajzave. Ishte një mungesë e gjatë pothuajse çdo 3 muaj, por që kur takoheshim na afronte edhe më shumë. Jeta nuk është fushë me lule. Ta kisha ditur ndoshta do isha trembur. I kam kapërcyer me dhimbje vështirësitë. Kam pasur 20 vjet nënën time të paralizuar, për të cilën jam kujdesur deri ditën që ndërroi jetë. Kam pasur mbi kokë dy vjehrra, se dhe nëna ime nga sëmundja u bë… Pastaj e kisha në shtëpinë time dhe duhej të mos ia prishja rehatin kurrkujt. Pritej çdo gjë nga duart e mia, amvisa, rritja e fëmijëve, puna, aktivitetet, ndërkohë që për vete kohë nuk kisha. Sot, kur e mendoj, them: O Zot, si ia kam dalë?!”.
Si para 30 vitesh
Duke lënë mënjanë kthesat e vështira të jetës, Mefarete Laze tregon se në marrëdhënien e saj bashkëshortore me Zenelin, asgjë nuk ka ndryshuar. Si dikur, në fillimet e lidhjes, kur të dy jepeshin pas pasioneve dhe asgjë nuk i ndalte përpara telasheve që mund t’u dilnin rrugës. Hidhnin pas pengesat që forconin një dashuri, e cila edhe sot ndan të njëjtin refren mes çiftit. Për Mefareten askush nuk është perfekt, e megjithatë kur martohesh s’e di se çfarë të pret. “Bëhesh menjëherë zonjë shtëpie, të ndërron dita, koha, hyn në marrëdhënie të tjera. Lind fëmija, shtohen përgjegjësitë… Kuptohet, ndërrojmë edhe ne. E rëndësishme është që të mos mbetemi në vend e të ndërrojmë për mirë. Zeneli është po i njëjti. Më sheh me të njëjtin shkëlqim në sy, ka të njëjtën paqe në fytyrën e tij, të njëjtin tingull zëri, të njëjtin përkushtim për mua kur kthehem nga një ditë pune e lodhshme apo më ka zënë shiu në rrugë, përkushtim që është edhe për vajzat. Është i njëjti Zenel, i cili edhe pse vonohem, si gjithë femrat, kur duam të dalim për kafe, do të lëshojë ndonjë batutë në ‘drejtim’ të vajzave dhe kur jam gati do zbresim shkallët të dy bashkë. Unë jam natyrë impulsive, emocionale, e drejtpërdrejtë, kërkuese dhe nuk thyhem kollaj. Jam e sinqertë. Mua më ka shpëtuar marrëdhënien bashkëshortore, pasi nga kjo fitova besimin e Nelit. Ai është shumë i qetë, i arsyetueshëm, i rregullt. Është ai që me qetësinë e tij ka ulur tensionin tim dhe qetësimin e konflikteve që ndodhin në çdo çift”.
Psikologji Janar 2011
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.