Nuk kam parë as ndjerë diçka më të mirë, më të bukur, më të vyer për të përqafuar në këtë jetë, veçse mendimin pozitiv. Shoh gjithnjë te njerëzit, të cilët janë pozitivë, që kanë besim në vetvete dhe përpiqen për të realizuar ëndrrat e tyre, pothuajse gjithnjë ia dalin.
Kam kuptuar se për ta arritur këtë, duhet të jesh i fokusuar, të dish çfarë do, ta duash e ta besosh fort këtë dhe për një kohë të gjatë. Nuk duhet të dorëzohesh që në sfidën e parë! Asgjë e bukur apo e madhe nuk është arritur lehtë. Kemi plot shembuj të njerëzve të suksesshëm, që kanë “dështuar” apo janë “rrëzuar” shumë herë. Por, nuk kanë hequr dorë! Kanë besuar në ëndrrat e tyre. Kanë bërë gjithçka për të arritur qëllimet e tyre. Ky është çelësi. Ky është sekreti.
Mos mendo siç ke menduar gjithnjë. Mos bëj gjërat që ke bërë gjithnjë, se do të arrish atë që ke arritur gjithnjë…. asgjë!
Mos mendo si humbës apo dështak, sepse nuk je. Çdo njeri ka shumë potencial në vetvete.
Mendo në përmasa të mëdha. Beso dhe ti do t’ja dalësh!
Ti ia ke dalë gjithmonë. Beso se do ia dalësh sërish e sërish. E këtë herë edhe më mirë. Por, rreziko, lëviz, lufto! Puno për të arritur atë që meriton apo atë që ti më së shumti dëshiron.
Nëse ti e mendon qiellin, do arrish tavanin. Nëse mendon tavanin, do arrish dyshemenë. Nëse mendon se s’mund t’ia dalësh, ka shumë mundësi që vërtet nuk do të arrish asgjë, sepse ti këtë po e beson.
Prandaj, mendoni në përmasa të mëdha. Ju vleni shumë dhe meritoni tepër. Ka bollëk për të tërë. Të tërë jemi të barabartë përpara Zotit apo universit. Ne jemi çka mendojmë. Mendimet tona bëhen gjëra. Ne jemi magnet. Çka ne mendojmë, atë edhe e tërheqim në jetën tonë. Kjo ndodh gjithnjë.
Kurrë mos u anko!
Kurrë mos i hidh fajin dikujt tjetër për pamundësitë apo për dështimet e tua!
Shih nga brenda. Shih te vetja çfarë nuk shkon, çfarë të pengon ty t’ia dalësh.
Shiko mundësitë për të përmirësuar veten e për të patur sukses.
Merre në zotërim jetën tënde. Mos lër askënd të vendosë për ty apo të jetojë jetën tënde!
Jetoje ti jetën për vetveten! Ajo të është dhuruar vetëm ty.
Jeto tani!
Mendo pozitivisht tani!
Lumturohu tani!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.