Mëngjesi i bollshëm dhe i shëndetshëm ka aftësinë të parandalojë dhjamosjen e mëlçisë dhe të riparojë dëmet e shkaktuara në këtë organ. Dhjamosja e mëlçisë është një sëmundje e cila po transformohet dalëngadalë në një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit të njeriut.
Sipas të dhënave, ajo mund të përbëjë pikënisjen e shumë sëmundjeve të tjera më të rrezikshme. Akumulimi i yndyrnave në qelizat e mëlçisë shkakton inflamacion dhe një dëmtim të pariparueshëm në këtë organ të rëndësishëm. Në fillimet e saj, kjo sëmundje manifestohet me plogështi dhe dhimbje të mprehtë në anën e sipërme dhe të djathtë të barkut.
Nëse sëmundja kapet herët, dëmet e saj mund të riparohen. Nëse sëmundja diagnostikohet në fazë më të avancuar, pasojat mund të jenë vërtetë të rënda. Përzgjedhja e ushqimeve të duhura e të shëndetshme është e një rëndësie të madhe për shëndetin e mëlçisë. Mëngjesi konsiderohet si vakti më i rëndësishëm i ditës dhe sipas ekspertëve ai ofron përfitime të larmishme në organizëm.
Një mëngjes i mirë dhe i bollshëm arrin të:
- Rrisë nivelet e energjisë
- Përmirësojë metabolizmin
- Zvogëlojë masën trupore
- Përmirësojë aftësitë e të nxënit
- Stabilizojë nivelet e sheqerit në gjak
- Ul ndjeshmërinë ndaj insulinës
- Zvogëlon sasitë e depozitave dhjamore në mëlçi.
Ushqimet e duhura për një mëlçi të shëndetshme
Ekspertët thonë se njerëzit duhet të hanë shumë ushqime me nivel të ulët glicemie. Kjo nënkupton hequr dorë nga buka e bardhë dhe duhet zgjedhur bukë me drithëra të plota. Tërshëra është një nga shembujt më të mirë të ushqimeve me nivel të ulët glicemie, sepse tretet ngadalë dhe nuk rrit nivelin e sheqerit në gjak.
Frutat si: qershia, qitro, kumbulla, portokalli, rrushi, pjeshka, dardha dhe molla janë të rekomanduara çdo mëngjes. Kosi është një tjetër ushqim që nuk duhet të mungojë në tryezën tuaj, sepse është i shëndetshëm jo vetëm për stomakun, por sidomos për mëlçinë.
Burimi / ata.gov.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.