Në fokus

April 21, 2017 | 14:08

Mentor Kikia / Para të drejtave për nxënësit, në shkollë duhet të ketë detyrime

Kjo është një skenë nga një shkollë e mesme, me gjasë në Durrës. Nxënësi pi cigare në klasë dhe i hedh “currilin” e tymit mësuesit në fytyrë, i cili mesa duket i kërkon ta fikë…. Kur ishim në shkollën fillore, mësueseve u bindeshim, sepse na drejtoheshin me dashuri: Hë të keqen mësuesja….

1

Në 8-vjeçare, ca mësues i kishim frikë, sepse nuk ta përtonin çokun kokës, e ca të tjerë sepse ishin shumë autoritarë. Në shkollë të mesme ishte një tjetër marrëdhënie, më e vështirë për mësuesit, por që udhëhiqej së paku nga një lloj respekti reciprok, më shumë se sa nga frika. Por gjithsesi, mësuesi ishte mësues. Vendimi i tij në klasë ishte i padiskutueshëm. Dhe kjo i shërbente si arsimimit ashtu dhe edukimit. Në ka një gjë që më bën ta kthej kokën pas, është pikërisht shkolla…. Unë jam totalisht kundër çdo elementi dhune, por nëse do të më pyesni se cila është më e dëmshme në shkollë, një çok që i “fut” mësuesi nxënësit, apo ky tymi i cigares që i hedh sot nxënësi në surrat mësuesit në klasë, unë mendoj se është kjo e dyta, absolutisht. Mediat kanë denoncuar shumë herë mësues(shpesh me të drejtë) që tejkalojnë etikën e sjelljes me nxënësit, apo mësues që përdorin edhe dhunën. Edhe pse shpesh kanë qenë skena të provokuara nga nxënësit për t’u filmuar më pas me telefona celularë. Natyrisht që pas këtyre skenave ne flasim për të drejtat e nxënësve…

Por unë sërish këmbëngul, se nxënësi në klasë me shumë se të drejta duhet të ketë detyrime. Shkolla nuk është burg, por as kamp pushimesh, aq më shumë nuk është han, ku nxënësit tallen, fyejnë, e madje edhe godasin mësuesit. Para se të kujtojmë të drejta dhe liritë nxënësve, t’u kujtojmë se në shkollë kanë shkuar për të mësuar dhe për tu edukuar dhe për këtë mësuesin duhet ta shndërrojmë në një figurë autoritare, jo të frikshme, por të respektueshme, dhe jo ta bëjmë një lolo që i lutet më horrit të klasës që ta lejojë të bëjë mësim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top