E mbani mend kur në klasë, të gjithë ishin të lumtur që do të studionin për financë apo drejtësi, ndërkohë që ju vuanit në heshtje, sepse donit që të bëheshit një yll rroku? Po kur ishit rebel, me një ndikim të keq te të tjerët dhe mësuesit nuk ju pëlqenin? Po kur zhyteshit ndër ëndrra, në kushedi se ç’univers të largët, ndërkohë që në klasë mësuesja shpjegonte mësimin?
Mund të jemi ndodhur shpesh në situata të tilla dhe e dini se çfarë kanë të përbashkët, të gjitha janë shenja që ju mund të jeni një individ me një simptomë që quhet “simptoma e frikës nga dështimi”. Është një frikë që e kemi pa e kuptuar, që na frenon dhe na pengon nga arritja e asaj që duam, nga realizimi i ëndrrave tona më të bukura.
Kjo simptomë, pra simptoma e frikës nga dështimi, është zbuluar për herë të parë në vitin 1960 nga një psikolog i famshëm, John Atkinson, në Universitetin Standford, i cili kreu një sërë eksperimentesh me fëmijët – duke i vënë shpesh në pozicione apo detyra me përfitim, në mënyrë që të testonte motivimin e tyre. Ai vuri re se ata zakonisht ndaheshin në dy kampe: ata që ishin të përqendruar te fitimi i shpërblimit të premtuar, ata që e përballonin detyrën e dhënë me atë që quhet “nevoja për arritje”, si dhe ata që ishin të përqendruar në faktin se e dinin që ishin dështakë e se do të dështonin edhe në këtë përvojë, si dhe në të tjerat.
Këtë mënyrë sjelljeje dhe qëndrimi ndaj detyrës së dhënë, Atkinson e cilësoi pikërisht si sindroma e “frikës nga dështimi” dhe kjo bazohej në dëshirën e tyre për të shmangur përçmimin publik për shkak të dështimit. Në njërin nga eksperimentet e kryera, fëmijët luajtën një orë, në përfundim të së cilës ishin premtuar çmime të rëndësishme për fitimtarët. Fëmijët që i përkisnin grupit të parë, pra të atyre që kishin “nevojën për arritje”, kryen një garë me të gjitha forcat, por edhe me realizëm, duke e shtuar gjithnjë e më shumë përqendrimin për arritjen që i kishin vënë vetes si objektiv. Ata që kishin frikë nga dështimi u sollën me një mënyrë që ishte e sigurt, që do të çonte në dështim dhe në humbje. Këta të fundit me anë të këtij qëndrimi, përpiqeshin që ta fshihnin frikën nga dështimi, duke u përpjekur që të gjenin justifikime nga një dështim të cilin e kishin sjellë vetë.
Në një eksperiment të ngjashëm të kryer në vitin 1970 u dol në përfundimin se fëmijët ndaheshin në dy grupe: në atë të fëmijëve që përqendroheshin tërësisht te fitorja dhe që nuk shqetësoheshin nga dështime momentale, por gjenin sërish forcë për të vazhduar dhe grupi i fëmijëve për të cilët më e rëndësishme se arritja e objektivit ishte ruajtja e “fytyrës” nga turpi i një humbjeje të mundshme. Për ta shqetësimi kryesor ishte pikërisht mos humbja e “nderit”.
Ndikimi i frikës nga dështimi
Nga këndvështrimi i ndarjes së mësipërme është shumë e lehtë që të kuptojmë tashmë se sa ndikim kanë faktorë të caktuar në arritjet jetës sonë, të karrierës. Faktori i frikës nga dështimi bën që individët t’i ulin shumë ambiciet, ose të gjejnë vazhdimisht maska për mungesën e sigurisë që i karakterizon. Pikërisht kjo frikë i bën që të heqin dorë nga ëndrrat dhe ta justifikojnë brenda vetes këtë me pamundësinë e realizimit të tyre. Në fakt, në këtë botë, asgjë nuk është e pamundur dhe këtë individët me besim në vete dhe pa frikë nga dështimi e dinë shumë mirë. Po a ka ndonjë rrugëdalje? Pra, mposhtja e frikës sonë? Psikologët tradicionalë nuk e përfillin atë kategori specialistësh – si hipnotizuesit apo ata që merren me akupunkturë – të cilët pretendojnë se mund të kurojnë fobitë dhe frikërat tona. Sipas këtyre të fundit, këto janë tipare të huaja për personalitetin tonë. Megjithatë ajo që ne vetë mund të bëjmë është që së pari t’i pranojmë frikërat si pjesë e jona dhe më pas të përpiqemi që të shmangim pasojat e tyre shkatërrimtare. Për ta bërë një gjë të tillë është i nevojshëm gjithmonë një plan. Ja shtatë hapa që mund të ndërmarrim, për të përmirësuar situatën me veten dhe marrëdhënien që kemi me objektivat, karrierën, apo angazhimet tona. Këto hapa mund të ndihmojmë të tejkalojmë frikën, por jo të kurohemi prej saj.
Zbulo vlerat e tua të vërteta
Nëse për shembull, dëshira për t’u bërë yll rroku nuk është gjë tjetër veçse një sebep, një maskë që i vëmë vetes, atëherë duhet që të kthehemi në zanafillë dhe të zbulojmë se cilat janë gjërat që në të vërtetë na motivojnë. Kjo kërkon që të krijojmë vlerat dhe parimet që përbëjnë ekzistencën tonë. Janë pikërisht këto vlera dhe parime që duhet të na çojnë drejt përcaktimit të qëllimeve dhe jo te pasiguritë dhe frika.
Vendos objektivat e tua
Pasi përcakton vlerat e tua, atëherë përpiqu që të vizualizosh veten tënde pas dhjetë vitesh nga momenti aktual. Çdo detaj duhet që të përfshihet në imagjinatën tënde: shtëpia, makina, partneri, zyra, qeni. E rëndësishme është që të përqendrohesh edhe në detajet e karrierës tënde. Çfarë do të bësh ditë pas dite, ku dhe me kë? Më pas vishe këtë vizion me vlerat e tua dhe me besimin tënd, sepse ndryshe, ai nuk ka shans që të mbijetojë.
Puno për afatet më të shkurtra
Dhjetë vite është një kohë shumë e gjatë dhe jo gjithnjë mund të parashikohet në detaje, ndaj më mirë përgjysmoje këtë kohë dhe merru me pesë vjetët e saj të parë. Mbi të gjitha duhet të sigurohesh që je duke ndjekur rrugën e duhur. Ndaj fillo të vizualizosh veten në një periudhë kohore 5-vjeçare. Dhe më pas në një periudhë 2-vjeçare, pra më të shkurtër dhe më afër teje e më pas, kështu me radhë, të vizualizosh një vit, gjashtë muaj, tre muaj, një muaj dhe vijmë te dita aktuale dhe se çfarë duhet të bëjmë që të arrijmë të realizojmë objektivat e ditës.
Zhvillo strategji dhe taktika
Sigurisht që çdo objektiv është i destinuar që të dështojë pa një ekzekutim të tijin në mënyrë korrekte dhe me këmbëngulje, ndërkohë që kaosi dhe rrëmuja mund të na çojnë në drejtim të gabuar. Për këtë kemi nevojë për një plan strategjik që do të sigurojë që veprimet tona do të na çojnë drejt objektivave të kërkuar. Duhet të bëjmë një analizë të vetes: të vlerësojmë forcat, mundësitë, dobësitë, kërcënimet. Kjo duhet të jetë një ndihmë për strategjinë që do të ndiqet, sepse mund të ekzekutojmë taktika bazuar në pikat tona të forta, ndërkohë të mund të përpiqemi njëherazi të shmangim ose mundim dobësitë. Duhet të mësohemi që të kapim rastet dhe të shmangim kërcënimet.
Ekzekutim me efikasitet
Mund të ndjekim një strategji të tillë: të ndajmë të gjitha aktivitetet në katër kuti: urgjente dhe të rëndësishme, urgjente dhe të parëndësishme, jo urgjente dhe të rëndësishme, jo urgjente dhe të parëndësishme. Ne e kalojmë kohën duke u marrë zakonisht me aktivitetet tona urgjente e duke braktisur aktivitetet që janë më pak urgjente, por jo më pak të rëndësishme, të cilat janë shumë të rëndësishme për të arritur objektivat tona afatgjatë. Duke i ndarë dhe balancuar aktivitetet, do të mund të merremi me të gjitha pa harruar asnjë.
Krijo marrëdhënie me njerëzit
Për njerëzit me simptomën e frikës nga dështimi, problemi janë njerëzit e tjerë. Shpeshherë ne bëhemi reaktivë, ose mbrojtës të vetes, duke i dhënë të tjerëve mundësinë që edhe të na manipulojnë për dobësitë që kemi dhe pasiguritë që shfaqim. E megjithatë është plotësisht e mundur që të merremi vesh edhe me njerëz të vështirë, në rast se ne do të ndalojmë së pari, botën që na rrethon, duke u nisur vetëm nga këndvështrimi ynë. Duhet të fillojmë ta shohim edhe nga këndvështrimi i të tjerëve. Nëse një proces i tillë do të bëhej me pastërti dhe sinqeritet, ne mund të farkëtojmë strategji fitimtare, që mund t’i shndërronte armiqtë tanë potencialë dhe pengesat para nesh në favorin tonë dhe në favor të arritjes së objektivave.
Gjej dhuntinë tënde unike
Ende jeni në përpjekje? Epo ndoshta sepse nuk e keni gjetur ende dhuntinë tuaj të veçantë. Të gjithë ne e kemi një të tillë, një dhuratë apo ndonjë talent të dukshëm, apo të fshehtë që fillimisht duhet ta zbulojmë dhe pastaj ta përdorim në të mirën tonë. Pa vrisni mendjen: cili është talenti juaj?
Burimi / gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.