Editorial

February 24, 2018 | 10:04

Mes varfërisë dhe ëndrrës për t’u bërë boksier. Ja historia dhe mesazhi i kampionit të boksit, Ismail Keta, për të riun nga Vlora

Klevisi është një djalë i ri, me ëndrra dhe dëshira për një jetë më të mirë, por vështirësitë ekonomike me të cilët përballet ai dhe familja e tij, ia bëjnë të pamundur këtë gjë. Pasioni më i madh i tij është boksi. Prej 7 vitesh Klevisi ushtrohet në këtë sport, me ëndrrën për t’u bërë një ditë i famshëm.

Pse jo, për të shpëtuar prej jetës së zakonshme dhe varfërisë së lagjes “Çole”.

Por kjo nuk duket aq e lehtë. Edhe vetë Klevisi e kupton këtë. Ndaj ai i është drejtuar emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” në “News24”. Edhe nëna e tij, Vasilika rrëfen mes lotësh kushtet në të cilat ndodhen, duke treguar se banesës së tyre i mungon thuajse gjithçka.

Edhe vetë Klevisi thotë se në situatën në të cilën ndodhet, është e vështirë që të bëhet ai që dëshiron.

“S’është kollaj të bësh boks në këto kohë, do shumë kushte”, thotë djali.

Ai jeton në një shtëpi të varfër të lagjes “Çole”, ku problemet e përditshme, bëjnë që bëmat e ’97-s të duken shumë të largëta. Familja e tij është mbytur në borxhe, pa marrë asnjë ditë siguracion nga punët çfarëdo.

Klevisi mundohet të ndihmojë familjen e tij me ç’të mundet. “Çfarë kam fituar, në shtëpi i kam sjellë, por e vështirë shumë”.

Varfëria i ka mundur aq sa vetë nuk ia dalin dot më. E megjithatë Klevisi e ruan ende një shpresë të vakët: ndoshta ndonjë ditë boksi do të bëhet vërtet shpëtimi i tij.

Por kërkesat e tyre për ndihmë, duket se kanë gjetur një zgjidhje. Nga studio e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”, Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri i kanë ofruar Vasilikës një pension mujor, elektro-shtëpiake, si dhe ushqime.

Ndërkohë djalit të saj, Klevisit i ka bërë një surprizë kampioni i boksit, Ismail Keta, i cili para së gjithash ka rrëfyer dhe historinë e tij, situatën e vështirë ekonomike që ka kaluar në fëmijëri, dhe përpjekjet për t’u bërë ky që është sot. Teksa i është bashkuar emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24”, për të surprizuar Klevisin që ëndërron të bëhet boksier, Keta ka treguar peripecitë që ka kaluar.

Kur ka takuar Klevisin, Ismail Keta ka treguar për të kaluarën e tij të vështirë, por theksoi se kjo gjë nuk e pengoi atë të realizojë ëndrrën e tij.

“Të jesh i varfër nuk është turp. Nga përvoja ime të them se me punë e sakrifica arrihet çdo gjë. Unë vij nga një familje e varfër dhe kur boksi u bë ëndrra ime e madhe, as doreza boksi nuk kam patur. Ato i bëra me leshin e dhisë që kishim. Kur shkova në Gjermani, kisha fizikun dhe guximin e Rokut, por së pari më duhej të paguaja lekët që kisha marrë borxh. Lava pjata e bëra lloj-lloj punësh, por kurrë s’iu ndava pasionit tim. Sedra ime, familja ishin prioritetet kryesore. Bëja gjithmonë 3 punë që të ndihmoja familjen. S’kishte kush më gatuante, haja konserva misri dhe shkoja në stërvitje… Pas 18 vitesh falë edhe Zotit arrita të marr vlerësimin për punën time”, tregoi Ismaili.

Ismail Keta i dhuroi Klevisit një palë doreza boksi, ku ishte firma e tij dhe fjalët, të cilat djali duhet t’i kujtojë çdo ditë: “Me punë e sakrificë arrihet çdo gjë”.

Burimi / http://www.balkanweb.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top