Një vajzë siriane 11 vjeçare është fotografuar duke studiuar dhe shkruar në një fletore në një grumbull hedhurinash, ndërkohë që seleksiononte dhe mblidhte plehra për të mbështetur familjen e saj, që nga koha kur u detyruan të iknin në Turqi.
Nxënësja e përkushtuar Halime Cuma ishte duke duruar erërat e disa kazanëve, kur një kalimtar, i shokuar nga ajo që pa, e fotografoi dhe që nga ai moment është bërë i mundur regjistrimi në një shkollë turke.
Incidenti ndodhi në zonën Arnavutkoy të Stambollit në anën evropiane të qytetit të madh turk, në fillim të kësaj jave. Jeta e Halimes ndryshoi përgjithmonë kur pamjet e saj duke shkruar me zell në një fletore, ndërsa qëndronte ulur në mesin e plehrave u ngarkuan në mediat social dhe që shkaktuan mjaft zemërim.
Autoritetet arsimore turke ndërhynë menjëherë dhe e regjistruan në një shkollë. Sipas Ministrisë Turke të Arsimit, Halime ishte te mbeturinat, pasi ajo po përpiqej të mbështeste familjen e saj duke mbledhur letra për t’i ricikluar.
11-vjeçarja filloi shkollën më 26 shtator. Sipas mediave lokale, Halime shkoi nga Siria në Turqi bashkë me nënën dhe babain e saj rreth një vit më parë. Ajo fillimisht nuk ishte në gjendje të shkonte në shkollë për shkak të një gabimi në dokumentacion.
Më e madhja nga të gjithë fëmijët, ajo tashmë jeton me prindërit dhe gjashtë vëllezërit dhe motrat në Arnavutkoy. Raportet thanë se vetëm fëmija më i vogël, Hamide ka ndjekur shkollën para se motra e saj të filmohej duke studiuar në pisllëk.
Zyrtarët e Këshillit kanë konfirmuar se komuna do të paguajë shpenzimet e shkollës së Halimes. Ndërkohë, 11-vjeçares i shndrisnin sytë nga gëzimi dhe tha se ishte ‘e ngazëllyer’ që ajo do të kishte ‘akses në kaq shumë libra’ në institut.
Babai i saj Abdulrezzak Cuma tha për mediat lokale se: “Doja që fëmijët e mi të shkonin në shkollë dhe isha shumë i mërzitur që shumica e tyre nuk mundeshin. Halime ka filluar shkollën sot dhe jam shumë i lumtur. Tani ajo do të jetë në gjendje të përparojë në jetë. Gjithashtu, shpresoj që të gjithë fëmijët tanë të kenë mundësi të arsimohen”.
Përgatiti: Brikela Daci | Burimi / www.dailymail.co.uk
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.