Nga Orjona TRESA
Sot është një ditë e veçantë, nis një vit i ri shkollor për të gjithë parashkollorët dhe parauniversitarët. Por më shumë se kurrë është një fillim i ri për të gjithë ata fëmijë që prekin për herë të parë nga afër dyert e institucionit të edukimit dhe arsimit.
Janë fëmijët e çerdheve, kopshteve dhe klasave të para, të cilët në përballje të parë me këto institucione, shprehin me lot dhe vështirësi pranimin e kësaj sfide të re në jetën e tyre.
E ndërsa prindi është i pari që duhet të tregohet i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në tregimin se si duhet të përshtaten fëmijët me këto mjedise të reja, është gjithashtu një rol kyç për t’i orientuar ata për shoqërinë e re me të cilën do të përballen dhe rregullat që duhet të kenë parasysh në marrëdhënie me të tjerët.
Drejtoresha e kopshtit 11 në Tiranë, Katerina Kapllani Grabova ka një mesazh të veçantë në këtë ditë, kryesisht për të gjithë prindërit:
“Me fillimin e vitit të ri shkollor, unë mendoj që do ishte shumë mirë për secilin nga ne t’i rikujtojmë fëmijët tanë që të tregohen të sjellshëm dhe t’i pranojmë shokët e kopshtit, klasës, ashtu siç janë pa asnjë dallim.
Disa familje mezi nxjerrin bukën e gojës dhe nuk kanë mundësi t’u blejnë fëmijëve rroba apo këpucë të reja. Fëmijët me aftësi të veçanta, nuk janë ndryshe nga të tjerët, janë edhe ata fëmijë. Ata kërkojnë atë që duan të gjithë të tjerët të jenë të pranuar në shoqëri.
I mësoni fëmijët tuaj të jenë bujarë dhe të sjellshëm, sepse çdo fëmijë brenda vetes lufton betejën e tij personale.
I mësoni fëmijët të tregojnë respekt për mësuesit, për institucionin arsimor, komunitetin ku jeton dhe çdokënd tjetër që ndihmon që sistemi arsimor të funksionojë.
E ardhmja jonë janë fëmijët tanë.
Le ta fillojmë sot ndryshimin nga vetja jonë dhe ta përçojmë tek fëmijët tanë që të krijojmë një të ardhme pa dallim, ku triumfon dashuria dhe humanizmi. Ju lutem: Nëse ndonjë nga miqtë dëshiron ta përcjellë këtë mesazh, kopjojeni dhe postojeni në faqen tuaj të rrjetit social, në nderim të gjithë fëmijëve të universit. Faleminderit! #Kopsht11#”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.