Blerina Lala, nëna e Mishelit me autizëm, me botimin e librit për djalin e saj i përcolli gjithë shoqërisë mesazhe dhe solidaritet për shumë nëna të tjera.
“Djali sot është 13 vjeç. Ka hyrë për 14. Sa kam kaluar, çfarë vështirësish, çfarë mundimesh kam bërë, këtë e di unë dhe familja ime. Por di të them që sot djali im frekuenton shkollën publike “Mysine Kokalari”. Ndërkohë që ajo që unë them tani përpara jush me shpirt dhe zemër është që Misheli im, në moshën 13 vjeç ka nxjerrë nga goja fjalët e para. Unë i dëgjova tingullin e zërit kur më thotë “ma ma” dhe të atit i thotë “ba ba”. Janë 4 fjalë të cilat për dikë tjetër mund të mos jenë asgjë. Për mua janë lumturia vetë. Është ëndrra më e madhe që doja të arrija nga im bir. A mbaruan ëndrrat? Ëndrrat nuk kanë fund asnjëherë dhe është shumë bukur të ëndërrosh, por ju kujtoj që është shumë vështirë ta jetosh.
Ndaj të gjithë nënave, baballarëve, sidomos ata që janë ende në përballjen e parë me Autizmin do t’u thosha: Dhimbja është e madhe. Sakrifica është e madhe. Mundimet janë të pafundme. Unë jam shumë e ndërgjegjshme për këtë. Por harrojini dhimbjet, harrojini sakrificat, harrojini mundimet, sepse më e madhe se çdo gjë është dashuria që ne duhet të kemi për këta fëmijë. Ndaj lërini lotët, lërini qarravitjet, por çdo gjë kushtojani fëmijës suaj, se ndryshe do ta humbisni edhe atë pjesë të bukur të fëmijës që ju keni në duar. Kjo është dëshira dhe ëndrra më e madhe që ne nënat duhet të arrijmë për fëmijët tanë. Unë nuk e di se çdo të ndodhë me Mishelin pas 5 vitesh. Sot jetoj dhe shijoj një fjalë “mama” të thënë më bukur se nga çdo fëmijë tjetër. Kjo është një kënaqësi që asnjë nënë tjetër nuk e merr përveç nesh,” thotë Blerina.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.