Vepra e Gjon Buzukut, si vepra e parë e plotë shqipe dhe libri i parë shqip i botuar që njohim gjer më tani, ka një rëndësi të veçantë për historinë e shkrimit e të letërsisë shqipe dhe, sidomos, për gjuhësinë tonë. Ky monument i shqipes mesjetare, i ruajtur vetëm në një ekzemplar, mbeti për një kohë të gjatë i njohur nga një numër shumë i kufizuar specialistësh. Prej tij u botuan herë pas here vetëm pjesë të veçanta. Vepra e Gjon Buzukut na bën të njohur me një nga përpjekjet e para më të rëndësishme të lëvrimit të shqipes si gjuhë e shkruar në një periudhë shumë të rëndë të historisë së popullit tonë dhe na jep një material të pasur për studimin e shqipes së shekullit XVI, të historisë së brendshme të gjuhës sonë dhe të historisë së gjuhës së shkruar. Në regjimet obskurantiste të së kaluarës, të cilat nuk i jepnin asnjë përkrahje të vërtetë studimit të gjuhës e të traditave tona kulturore, nuk u bë gjë as për një botim tërësor e aq më pak për një botim shkencor të librit të parë shqip, që ta vinte këtë vepër në duart e studiuesve të gjuhës e të letërsisë shqipe në formë të plotë, të saktë e lehtësisht të përdorshme dhe ta hidhte në qarkullim shkencor lëndën gjuhësore të saj. Studimi i punuar nga Eqrem Çabej ndahet në dy pjesë: pjesa e parë e titulluar “Hyrje dhe transliterim” dhe pjesa e dytë e titulluar “Faksimile dhe transkribim fonetik”.
Titulli: Meshari i Gjon Buzukut, pjesa e parë dhe e dytë
Punuar nga: Eqrem Çabej
Gjinia: Gjuhësi, albanologji
Shtëpia botuese: Çabej
Eqrem Çabej ka qenë arsimtar,
gjuhëtar dhe albanolog shqiptar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.