Si munden prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre që të ndihmojnë miqtë në vështirësi, të bashkëpunojnë me bashkëmoshatarët dhe të mbështeten te njëri-tjetri? Ja disa këshilla që mund t’i vini në praktikë për t’i mësuar fëmijëve se si të ndërveprojnë e bashkëpunojnë me të fëmijët e tjerë…
Zhvilloni empatinë
Një nga gjërat e para që fëmija duhet të ketë që të mund të zhvillojë ndjeshmërinë kundrejt të tjerëve dhe të jetë i nevojshëm për nevojat e për gjendjen e tij shpirtërore është empatia, ose aftësia për t’u vendosur në vendin e tjetrit. Kjo aftësi nuk është e lindur te fëmijët. Me pak fjalë, fëmija e ka të vështirë të ketë këndvështrimin një njeriu tjetër. Për këtë arsye, është e rëndësishme që prindërit ta ndihmojnë atë të reflektojë mbi situatat nëpërmjet pyetjeve, sugjerimeve që e bëjnë të mendojë se çfarë mund të ndjejë, mendojë apo të bëjë dikush tjetër në një situatë të caktuar. Ndaj reflektimi duhet t’i përkasë jo vetëm VEPRIMIT (si do të sillej dikush tjetër) por edhe MENDIMIT (çfarë do të mendonte) dhe NDJENJAVE (si do të ndihej). Ndaj mund të jetë e nevojshme të filloni nga shembujt konkretë, nga përvojat e përditshme që jeton fëmija, nga diskutimet apo shkëmbimet që ka me bashkëmoshatarët dhe të flisni me të, duke u munduar fillimisht ta pyesni: “Si u ndjeve? Çfarë mendove? Si u solle?” e më pas, në të njëjtën mënyrë duke e pyetur për shokun: “Po ai si u ndje? Çfarë do të ketë menduar? Si u soll?”.
Nëpërmjet këtyre pyetjeve fëmija do të mësohet të mos i referohet vetëm vetes së tij dhe asaj çka ai përjeton, por ai do të mësohet të jetë më i hapur edhe ndaj këndvështrimeve të të tjerëve.
Zhvilloni vetëbesimin
Përveç aftësisë empatike – derisa fëmija të mund të zhvillojë zakonin dhe ndjeshmërinë e shpirtit bashkëpunues – është e nevojshme që ai të ketë dhe një dozë të mirë vetëbesimi. Është e rëndësishme që fëmija të jetë i bindur për aftësitë e veta dhe për atë çka mund të japë: që ai të ndjejë se mund t’i japë diçka të tjerëve duhet të jetë i bindur se ka diçka të bukur dhe të rëndësishme për të ofruar. Ndaj një detyrë e rëndësishme e prindërve është që të nënvizojnë dhe ta shtyjnë fëmijën të njohë të gjitha aftësitë, kompetencat, zotësitë në mënyrë që ai të rrisë vetëdijen për vlerat që bart.
Duke i dhënë besim për aftësitë që ka dhe duke e siguruar për faktin se është i zoti në fusha të caktuara, fëmija mundet që gradualisht të mësohet dhe të mendojë që pikërisht sepse ka burime të rëndësishme ai mund t’i vërë edhe në dispozicion të miqve që në atë aspekt janë në vështirësi. Edhe në këtë sens, duke u nisur nga situatat reale, prindërit do të kenë detyrën ta bëjnë fëmijën të mendojë mbi vështirësitë që ka një mik apo shok i tyre dhe të mundohen të mendojnë së bashku me të se si mund ta ndihmojnë dhe cilat nga aftësitë e tij mund të vërë në dispozicion, në mënyrë që t’i ofrojë mbështetjen e tij.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.