Është normale që prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të kenë sukses në jetë. Por, nganjëherë dëshirat ngatërrohen e shndërrohen në pretendime drejt përsosmërisë. Ndoshta edhe në mënyrë të pavetëdijshme, prindërit i vënë fëmijët në garë dhe i krahasojnë me fëmijët e tjerë. Për t’i edukuar drejt lumturisë duhet të mësoni hapat e mëposhtëm…
Një fëmijë mund të mësojë gjithmonë tri gjëra nga një i rritur:
• Të jetë i kënaqur pa asnjë arsye.
• Të jetë gjithmonë i zënë me ndonjë gjë.
• Të kërkojë me çdo forcë gjërat që dëshiron.
Çfarë duhet të dijë realisht një fëmijë?
Fëmijët nuk kanë nevojë të jenë më të mirë, por vetëm të jenë të lumtur. Për këtë arsye duhet vetëm të siguroheni që fëmija juaj të dijë:
• Që e doni pa kushte në çdo sekondë të ditës. Nuk ka rëndësi se sa gabime bën apo do të bëjë.
• Që është i sigurt se do ta mbroni dhe do ta doni si të mundni.
• Që mund të hallakatet, të humbasë kohën duke fantazuar dhe duke luajtur me shokët.
• Që mund të zgjedhë atë që i pëlqen më shumë dhe ta vazhdojë atë pasion, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë. Që mund të kalojë kohën e lirë duke bërë kurora me lule, duke vizatuar mace me gjashtë këmbë – nëse këtë gjë dëshiron të bëjë – në vend që të mësojë gramatikën apo tabelën e shumëzimit nëpër kurse jashtëshkollore.
• Që është një person i veçantë dhe i mrekullueshëm, si shumë njerëz të tjerë në botë.
• Që meriton respekt dhe duhet të respektojë të drejtat e njerëzve të tjerë.
Çfarë nuk duhet të harrojnë prindërit?
Është edhe thelbësore që prindërit të dinë:
• Që çdo fëmijë mëson sipas ritmit të tij dhe që nuk duhet të ngatërrojnë stimulin që ndihmon drejt zhvillimit me trysninë që e përfshin.
• Që faktori më ndikues në rendimentin shkollor te fëmijët është që prindërit t’u lexojnë atyre, që çdo natë t’u kushtojnë kohë atyre për të kultivuar së bashku pasionin për leximin, dhe jo shkolla të shtrenjta private apo lojëra hiper-teknologjike.
• Që fëmija që merr nota më të mira në shkollë nuk është asnjëherë më i lumtur, sepse lumturia nuk matet në këto kushte.
• Që fëmijët nuk kanë nevojë për më shumë lojëra, por për një jetë më të thjeshtë, më të shkujdesur e të çlirët dhe të kalojnë më shumë kohë me prindërit.
• Që fëmijët meritojnë të kenë lirinë për të eksploruar gjithçka dhe për të vendosur vetë se çfarë u pëlqen dhe i lumturon.
Arthur Schopenhauer thotë: “Çdo fëmijë që lind është në njëfarë mënyre një gjeni, ashtu si një gjeni mbetet në njëfarë mënyre një fëmijë.”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.