Aktualitet

June 16, 2025 | 17:30

Mësuesi i fundit… / Mungesa e mësuesve meshkuj në shkollat fillore të Shqipërisë: një realitet pothuajse i papërfaqësuar

 

Nëse hyn sot në një shkollë fillore në Shqipëri, ka shumë mundësi të mos gjesh asnjë mësues burrë që jep mësim nga klasa e parë deri në të pestën. Dhe pikërisht, në shkollën “Pjetër Budi” në Tiranë, ku punoj, shpesh e gjej veten duke parë rreth e rrotull në mbledhje, në korridore, në klasë, dhe e kuptoj se jam i vetmi burrë mes shumë kolegeve. Nuk është ndonjë pengesë për të punuar mirë, koleget janë të mrekullueshme, por, pyetja që më rri pezull është: pse jam vetëm?

albert-doda

Fill pas kësaj pyetjeje vijojnë dhe reagimet e prindërve kur mësojnë se fëmija i tyre do të ketë një mësues mashkull në klasën e parë: “Një burrë për fëmijët e vegjël?!” Kjo pyetje, ndonëse jo gjithmonë e shprehur me zë, ndihet në biseda dhe reflekton realitetin e mungesës së mësuesve meshkuj në arsimin fillor.

Në shumë shkolla të vendit, në klasat fillore, mësuesit burra janë bërë thuajse të papërfaqësuar, duke u kthyer në një profesion që nuk tërheq djemtë e rinj. Në fakt, sot për të pasur një mësues burrë në këtë nivel arsimi, duhet të kesh “pasur gjyshin mësues”.

Në vendet e zhvilluara si Finlanda, Norvegjia dhe Kanadaja, përfshirja e burrave në arsimin fillor është prioritet shtetëror. Aty figura mashkullore në klasat fillore konsiderohet domosdoshmëri edukative, jo për të zëvendësuar gratë, por për të plotësuar tablonë e edukimit.

 

Pse nuk zgjedhin djemtë mësuesinë në arsimin fillor?

Sepse është një profesion që kërkon shumë energji dhe durim, por shpërblimi financiar dhe statusi shoqëror nuk janë tërheqës. “Është punë që të merr shpirtin,” thonë shpesh të rinjtë.

Shoqëria shpesh e percepton këtë profesion si “punë grash” dhe kjo e bën edhe më të vështirë për burrat të hyjnë në këtë fushë.

mesues

Pse mungesa e mësuesve meshkuj është problem serioz? Pse duhet të kemi më shumë mësues meshkuj në arsimin fillor?

Sepse kur mungon një gjini, mungon edhe modeli. Kur të gjitha figurat që fëmija sheh në klasë janë gra, mesazhi i pashprehur që i përcillet është se edukimi është “punë për vajza”. Kjo ndikon në mënyrën si djemtë e shohin shkollën dhe mund të ulë motivimin e tyre.

Për fëmijët djem që shpesh interpretohen si “të lëvizshëm”, “të zhurmshëm” apo “të padurueshëm”, një mësues mashkull mund të ketë më shumë intuitë dhe durim për të lexuar drejt nevojat dhe energjinë e tyre.

Shumë fëmijë rriten pa figura mashkullore aktive në jetën e përditshme, sidomos kur babai mungon ose është i zënë me punë. Një mësues mashkull mund të ofrojë një shembull të shëndetshëm të përgjegjshmërisë, durimit dhe respektit.

Mësuesit burra sjellin një energji të veçantë në klasë, me aktivitete fizike, strukturë dhe humor që ndihmojnë fëmijët të mësojnë mënyra të ndryshme të komunikimit, të mësuarit dhe ndërveprimit.

 

Pyetjet që duhet t’i bëjmë sot

A duhet një burrë të justifikohet për rolin e tij te fëmijët e vegjël? Apo duhet të pyesim: Pse ende na habit kjo?

Nëse dëshirojmë një shoqëri të barabartë, duhet të fillojmë nga klasa e parë, aty ku formohen themelet.

“Mësuesi i fundit” nuk është metaforë, por realitet. Unë mund të jem një nga të fundit që do të jap mësim në arsimin fillor si mashkull.

 

Thirrje

Arsimi fillor ka nevojë për më shumë burra, që nuk i druhen butësisë, që nuk kanë turp të jenë të dashur me fëmijët, që besojnë se të ndërtosh një njeri është vepra më burrërore që mund të bësh. Por kjo ndodh vetëm kur mësuesia vlerësohet si profesion, Kur paga, statusi dhe respekti ndaj mësuesit të rriten, atëherë të rinjtë e çdo gjinie ndihen të tërhequr prej saj. Nëse nuk veprojmë sot, nesër arsimi do të humbasë gjysmën e zërit të tij.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top