Raporti mësues – nxënës ka qenë gjithmonë boshti mbi të cilin ndërtohet procesi i edukimit. Në ditët e sotme, ky raport po përballet me sfida të shumta, të lidhura me ndryshimet sociale, me ndikimin e teknologjisë, por edhe me ndryshimin e pritshmërive të nxënësve ndaj shkollës. Ndërkohë që më parë respekti për mësuesin ishte i padiskutueshëm, sot shpesh vërehen tendenca të dobësimit të këtij raporti për shkak të mungesës së disiplinës, ndikimeve të jashtme dhe shpesh një komunikimi jo të qartë mbi rolet e secilit.
Shkaqet kryesore lidhen me:
Shkëputjen e familjes nga përgjegjësia e përbashkët në procesin e edukimit;
Ndikimin e rrjeteve sociale që shpesh relativizojnë autoritetin e figurës së mësuesit;
Mungesën e një strategjie të përbashkët mes shkollës dhe komunitetit për t’i paraprirë problemeve të sjelljes.
Masat duhen kërkuar në tri drejtime: forcimi i bashkëpunimit shkollë–familje, rritja e rolit të aktiviteteve edukative dhe kulturore që i bëjnë nxënësit të ndihen pjesë e shkollës, si dhe krijimi i një komunikimi më të hapur mes mësuesit dhe nxënësit.
Marrëdhëniet mësues – prindër, të mbështetura mbi ngjarje konkrete
Përvoja ime shumëvjeçare më ka treguar se çdo sfidë e sjelljes së nxënësit në shkollë reflekton drejtpërdrejt ndikimin e familjes. Marrëdhënia e mësuesit me prindërit nuk është vetëm një raport informues mbi ecurinë e fëmijës, por një partneritet i vazhdueshëm. Aty ku mësuesi është i qartë në kërkesat e tij dhe prindi është bashkëpunues, rezultatet janë të dukshme.
Në shumë raste konkrete që kam hasur gjatë punës, kur prindi është angazhuar seriozisht dhe ka treguar interes për procesin mësimor dhe edukativ, problemet e sjelljes apo të rezultateve akademike janë tejkaluar më shpejt. Në të kundërt, aty ku mungon ky bashkëpunim, pasojat ndihen jo vetëm në fëmijë, por në gjithë atmosferën e klasës.
Mendimi im: familja dhe roli i mësuesit
Familja është bërthama themelore e edukimit. Nëna dhe babai janë mësuesit e parë të fëmijës, ata që i formësojnë sjelljen, gjuhën, mënyrën e të menduarit dhe raportin me të tjerët. Shkolla nuk mund të zëvendësojë dot familjen, por mund të ndërtojë ura të forta bashkëpunimi me të. Sjellja e nxënësit në shkollë, në rrugë dhe në komunitet është pasqyra më e qartë e edukimit familjar. Nga ana tjetër, mësuesi nuk duhet të kufizohet vetëm në mësimdhënie. Ai duhet të jetë i vëmendshëm ndaj marrëdhënieve që krijohen mes nxënësve, të kuptojë dinamikën e tyre sociale dhe të reagojë aty ku është e nevojshme për të shmangur konflikte apo prirje negative. Edukimi për qytetari dhe bashkëjetesë është po aq i rëndësishëm sa edhe njohuritë akademike.
Shembulli i shkollës publike “Vëllazërimi”
Jo rastësisht e kam shkruar në gazeta e revista të ndryshme, shpesh me zë të lartë rëndësinë e rregullit dhe disiplinës, si dhe rolin e drejtuesve në këtë drejtim. Në shkollën “Vëllazërimi” në Tiranë, nën drejtimin e zonjës Merita Prenga, është ndërtuar një model i veçantë i marrëdhënies shkollë – komunitet. Janë ngritur ura të forta bashkëpunimi me prindërit, me mësuesit dhe me vetë nxënësit, duke e kthyer shkollën jo vetëm në vend dije, por edhe në një hapësirë të shëndetshme shoqërore. Ky model, për mendimin tim, duhet marrë si shembulli më i mirë i funksionimit të raportit mësues – nxënës – prind – komunitet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.