Këshilla & Arsye

June 24, 2019 | 12:03

Metodat më të mira natyrale, për të mbajtur larg mushkonjat

Në raftet e supermarketeve apo farmacive do të gjeni një sërë locionesh kundër mushkonjave dhe insekteve të tjera, por shumë prej tyre përmbajnë substanca të dëmshme, që me siguri nuk dëshironi të qarkullojnë në organizmin tuaj. Mushkonjat tërhiqen nga disa substanca në djersën tonë, por edhe nga frymëmarrja dhe lëkura.

Mushkonjat kanë sensorë që vënë njerëzit në shënjestër që nga larg. Bllokimi i aromave që tërheqin mushkonjat bëhet nëpërmjet solucioneve, që zakonisht përmbajnë një substancë të njohur si diethyltoluamide. Nuk është aspak sekret që kjo substancë është toksike edhe në rastet kur nuk kemi asnjë reagim ndaj saj.

Kjo substancë përthithet lehtë nga organizmi, akumulohet në inde nga ku mund të shkaktojë dëme afatgjatë. Solucionet e bëra në shtëpi janë padyshim zgjidhja më e mirë. Recetat dhe përbërësit janë të thjeshta dhe mbi të gjitha pa kimikate.

Metodat më të mira natyrale kundër mushkonjave

Uthull molle 

Është një ndër solucionet më efikase që padyshim mban larg mushkonjat. Mjafton të lyeni një pambuk me uthull molle dhe të lyeni me të zonat e zbuluara të trupit, para se të flini apo kur qëndroni në ambiente ku mushkonjat hyjnë lehtësisht.

Ekstrakti i vaniljes

Aroma e vaniljes trullos dhe parandalon afrimin e tyre. Mjafton të përzieni një lugë çaji vanilje me çfarëdolloj kremi të thjeshtë pa aromë dhe lyeni të gjitha zonat e zbuluara të trupit tuaj.

Farat e karafilit

Merrni pesë gramë fara karafili dhe ziejini me një gotë ujë. Mjaftojnë 10 pika nga ky lëng që ta aplikoni në të gjitha zonat e zbuluara të trupit.

Kamomili

Një prej bimëve mjekësore më të lashta ka efekt paralizues ndaj qelizave nervore të insekteve. Ndaj ju mund ta thani dhe ta shpërndani nëpër shtëpi. Mund të vendosni pak kamomil të tharë në parvazin e dritareve ose mund ta përgatisni në formën e çajit dhe të lyeni trupin me të. Në këtë mënyrë edhe lëkura e trupit do të bëhet e butë dhe e lëmuar.

Borziloku i freskët ose gjethet e domates

Mushkonjat nuk e tolerojnë dot erën që lëshojnë këto bimë, ndaj mos nguroni t’i përdorni. Zieni në një filxhan çaji 10 apo 15 gjethe borziloku të freskët apo disa gjethe domatesh dhe kur të ftohet lyeni trupin me to para se të flini.

Vaji esencial i borzilokut, eukaliptit ose farave të karafilit

Vajrat esenciale janë më të mirët kundër mushkonjave. Nëse keni në shtëpi vaj esencial borziloku, eukalipti apo karafili, shtoni pesë deri në dhjetë pika të vajit esencial në një gotë me ujë dhe lyeni zonat e zbuluara të trupit. Me të mund të lyeni edhe një copë pambuku dhe ta vendosni në dritare që të mbani mushkonjat larg.

 

Burimi /AgroWeb.org

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top