Midis motrave, çdo gjë fillon me rivalitet. Motrat duhen, janë të ndjeshme për ndodhitë e njëra–tjetrës, por ato edhe mund të jenë ziliqare në heshtje. Midis motrave, ndjenjat janë po aq komplekse sa pasionante. Për këtë arsye, marrëdhënia mes tyre është një laborator feminiliteti, shpjegon psikologia Maryse Vaillant. Gruaja së pari është vajzë, më pas bëhet nënë, mund të jetë joshëse, mikeshë, motër, rivale… Përveç roleve që femra luan në çift, në familje apo në shoqëri, një rëndësi të veçantë ka dhe roli i saj në marrëdhënie mes motrash, i cili lind që në fëmijëri dhe zgjat pafundësisht ndër vite. Është një nga raportet që përjetohet më gjatë në jetën e një njeriu. Marrëdhënie të karakterizuara nga fjalët, dëgjimi, empatia për njëra-tjetrën dhe vajzat zbulojnë thesarin e feminilitetit të tyre në të gjitha aspektet kur janë pikërisht në pozicionin e motrës. Krahas komunikimit dhe nevojës që lind për ekzistencën e secilës, në jetë lind gjithashtu prirja për konkurrencë për të pasur atë që nuk ke dhe pikërisht atë që mund të ketë motra ndërsa ti vetë jo. Është momenti kur çdo femër fillon të vlerësojë veten dhe të forcojë pozicionin e saj jo vetëm në kuadër të familjes, por edhe si një individ i realizuar. E megjithatë, femrat mes tyre dhe në rastin më të mirë midis motrave, duhet të mësojnë që gjërat në jetë nuk jepen, por duhet shumë mund e përpjekje për t’i pasur. Nuk duhet të ekzistojë dëshira për të qenë ndryshe nëse ndiejmë se motra ka disa aftësi, cilësi apo mundësi më të vyera nga ne. Në këtë kërkim të vazhdueshëm të vetes, që mund të jetë zbulimi i asaj çka quhet femërore, motra mund të jetë herë partnere e mbështetëse dhe herë rivale.
Në cilat kushte mund të bëhesh mike e motrës tënde?
Nuk është e mundur të zhvillohet një marrëdhënie e butë dhe e ndjeshme me femrat e tjera që has gjatë jetës (qoftë edhe motra juaj), nëse nuk e ke kaluar me sukses stadin e Edipit. Për aq kohë sa ky kompleks nuk është zgjidhur me sukses, një femër vazhdon t’i konsiderojë femrat e tjera si rivale dhe meshkujt si qenie që duhen joshur. Për të qenë mike e motrës tënde, duhet së pari të jesh mike e vetes, duke përmbushur disa mangësi të paplotësuara në fëmijëri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.