Këshilla & Arsye

November 8, 2016 | 9:02

“Mikesha gjeniale”, një histori ku shpërfaqet potenciali femëror

Në qoftë se do të njohësh psikologjinë që mbizotëronte në Italinë e Jugut, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, mund t’i referohesh pa frikë një shkrimtareje krejt anonime, por që për pseudonim letrar mban emrin Elena Ferrante. “Mikesha gjeniale” që është dhe romani i parë i një serie prej katër vëllimesh, e nis rrëfimin e saj në Napolin e pasluftës, dhe vjen deri në ditët tona.

Elena dhe Lila, këto janë dhe dy personazhet femra që kanë dhe raportin kryesor në roman.  Dy vajzat jetojnë në një univers çrregullimesh politike ku mbizotëron jo vetëm dashuria, por dhe xhelozia e dhuna. Teksa dy vajzat rriten, një frikë përndjek Elenën gjatë gjithë jetës: se Lila, megjithëse nuk ka lënë asnjë gjurmë në botë, është në fakt më e zonja se ajo. Kjo xhelozi të çon edhe më thellë, drejt e në rrënjët e identitetit femëror.

Elena është gruaja që druan se arritjet dhe sukseset e saj, megjithëse në dukje ngjajnë si fitore të pavarësisë feministe, në të vërtetë janë fryt i një skllavërimi të vazhdueshëm e të nëndheshëm ndaj vlerave patriarkale. Lila është një potencial femëror i pashkruar dhe i pashprehur.

“Mikesha gjeniale”  është një roman krejt aktual pasi, ndër të tjera, rrëfen jetën e vështirë në një vend të varfër, i cili kontrollohet gjithmonë e më shumë nga klanet mafioze.

Duket se personazhet e këtij romani sfidojnë të zakonshmen, kur kemi të bëjmë me një rrëfim dramatik, një histori klasash, njëkohësisht dhe histori gjinish. Romani ka në themel miqësinë midis grave, ku faqe pas faqesh zbulohet admirimi dhe zilia, konkurrenca dhe vetë sabotimi, por dhe shumë emocione që gratë i përjetojnë në një jetë të tillë.

I vlerësuar nga një shtyp influencues në botë si: “The Guardian”, “Vogue”, “New York Times”, “The Financial Time”, etj, saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe ka arritur të shesë rreth tre milionë kopje.

elena-ferrante

Elena Ferrante njihet sot si një nga romancieret më të mëdha të kohës sonë. Në vitin 2016 “Times Magazine” e shpalli si një ndër njerëzit më me ndikim të vitit.

“Mikesha gjeniale”, një nga kryeveprat e letërsisë moderne, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Pegi” me përkthimin e Albana Nexhipit.

 

mikesha-gjeniale-pegi

Titulli në origjinal: Mikesha gjeniale

Autore: Elena Ferrante

Shqipëroi: Albana Nexhipi

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top