Në vitet e fëmijërisë së aktores Mimika Luca, nuk kishte asgjë të bukur për të treguar jo vetëm prej saj, por prej të gjithë moshatarëve. Mirëpo, jeta e saj ishte ca më e vështirë se e të tjerëve, e jo vetëm prej luftës.
Babai e kishte lënë që në muajt e parë të jetës. U nda nga jeta prej tuberkulozit. Të dyja, me mamanë, në një moshë që sot Mimika nuk e kujton, u detyruan të trokisnin ku të mundeshin për të gjetur një strehë. Pas ca rrugëtimeve e përpjekjesh për të marrë pasurinë që u takonte, përfunduan në “Strehën Vorfnore” ku do të qëndronin për disa vite…
Megjithatë, vajzës së vogël nuk i munguan as fustanet me çarçafë e as mundësitë për të shkuar në Shtëpinë e Pionerëve, ku do të mësonte e zhvillonte pasionet e saj, derisa u martua për t’i dhënë jetës profesionale një drejtim tjetër dhe për ta hequr tashmë mamanë nga një mijë e një punët që kishte për gjithë jetën, për të shijuar pak rehatinë e shtëpisë dhe mbesën e parë…
Mimika, javës së shkuar, kur u vlerësua me titullin ‘Ambasadore e Paqes’, na tregoi edhe për ato vite të jetës ku nuk kthehet me shumë kënaqësi, por s’mundet as t’i harrojë. Pasi ka ndarë ca kohë më parë me lexuesit e “Panorama”, historinë e saj të gjatë të njohjes e dashurisë me aktorin Ndrek Luca, sot Mimika tregon për vitet e vështira të fëmijërisë kur nuk e kishte gjetur dashurinë dhe ëndërronte akoma të bëhej balerinë, jo aktore, siç ndodhi më vonë!
Si kanë qenë rrethanat që ju, bashkë me mamanë, përfunduat në jetimore?
Historia ime është frymëzuese falë mamasë. Mamaja ishte e shkolluar ndërsa babai vdiq kur unë isha vetëm 8 muajshe, në vitin 1938. Ai la edhe një pasuri në Greqi, prandaj edhe mamaja, me mua në krahë, për të marrë atë që i takonte, shkon atje. Ishte me dy gjuhë, greqisht dhe turqisht, mamaja kishte studiuar në Greqi, pra e njihte vendin.
Ajo pati fatin e saj jo të mirë, por jo vetëm më rriti mua mirë, por edhe dy fëmijët e mi. Më rriti në mënyrë të shkëlqyer dhe më dha të drejtën të ndjek pasionet e mia, pianon, baletin… Në Greqi, kurajoze siç ishte e siç më tregoi më vonë, sepse me këto përralla më rriti, ajo më tregonte jetën e saj, shkoi direkt te ministri i Financave dhe kërkoi atë që i takonte.
Arriti ta merrte?
Ministri i tha se së pari duhet të kthehej në vendin e saj sepse i mbaronte viza, por mund të rikthehej sërish e të ndërtonte një hotel. U kthye në Shqipëri kur sapo kishte nisur Lufta Italo-Greke. Mamaja ishte gjithashtu jetime, e kishin rritur dajallarët… Kuptohet që në këto rrethana gjërat u vështirësuan edhe më shumë.
Çfarë ndodhi me të dyja ju?
Kur u kthyem në Sarandë, për ca kohë na internuan në Korfuz e më pas sërish na kthyen në Sarandë. Unë duhet të kem qenë 2-3 vjeç, por kujtime të miat, sigurisht nuk kam. Në Sarandë, shtëpia ishte vjedhur dhe djegur. Ishte shuar çdo gjë… Në këto kushte, mamaja ngrihet e shkon te halla në Tiranë për të kërkuar ndihmë. Atje nuk mund të strehohej se kishte shumë pak vend, prandaj mamaja shkoi te perfekti i Tiranës, i cili e dërgoi te “Streha Vorfnore”. Madje, vite më vonë mamaja indinjohej për komedinë që u bë më vonë për Qazim Mulletin, sepse ai e kishte ndihmuar. Kushti për të shkuar në Strehë, meqenëse nuk kishim ku shkonim tjetër, ishte që mamaja të punonte aty. Kështu jetuam të dyja për 7 vjet, deri në vitin 1947. Më pas na dhanë një shtëpi dhe mamaja punoi sërish ku mundi, deri sa përfundoi në Kombinat, me turne, derisa unë u bëra me fëmijë e ajo u përkushtua te fëmijët e mi.
Ju e keni nisur karrierën artistike me baletin, çfarë ndodhi që rrugës u bëtë aktore?
Baletin e kam nisur krejt rastësisht, në moshë shumë të vogël. Dilja nga Pallati i Pionierëve ku isha futur për balet dhe siç duket, rrugës, do kem bërë ndonjë spërkatë,duke luajtur e duke u hallakatur nëpër rrugë, ndërsa kthehesha në shtëpi. Ishte viti 1951, isha 13 vjeç, kur dëgjoj një zë që vinte nga trotuari i bashkisë. “Ej, ti goce me fustan me dantella”. Ishte një fustan i bërë nga mamaja ime me një çarçaf të vjetër, që kishte pasur në pajë. Ishte balerina, Mellani Tërci, kryebalerina e dy baleteve që u vunë për herë të parë në Filarmoni. Ishte bashkë me një zotëri, baletmaestër, sovjetik. Ai më përkëdheli dhe më pyetën të dy nëse kisha dëshirë të bëja një provë, në Filarmoni, për balet. Do shkoja patjetër! Të nesërmen, pa i thënë gjë fare mamasë, krejt vetëm, shkoj në prova. Përshtypjet e ditës së parë janë të pashlyeshme. Muzikë klasike që buçiste në skenë, më poshtë salla e këngëtarët popullorë. Ka qenë Luçie Miloti atëherë. Bëra lëvizjet e domosdoshme, me lehtësi, por pa përvojën e mëvonshme. Ai nuk deshi shumë, hoqi dorën nga balli dhe më tha: ‘Nesër do marrësh leje përsëri në shkollë dhe ti fillon punën’. Nuk shtoi më asgjë. Shkova në shtëpi dhe ia thashë mamasë. Ajo nuk e donte këtë gjë, nisi të qante, mirëpo unë isha kaq e dhënë pas baletit sa s’mund ta lija, e doja!
Nisët punë menjëherë?
Menjëherë, të nesërmen! Së pari, si figurante, derisa arrita të mësoja disa nga lëvizjet që duheshin. Qëlloi që sapo isha bërë pjesë, erdhi urdhri për një turne me këngëtarët popullorë dhe balerinët, në Moskë dhe pas saj në Berlin, për tre muaj. Kjo ishte krejt rastësi, mora pjesë në festivalin e parë të rinisë, me përfaqësues nga e gjithë bota. Më përcolli mamaja, gjithashtu me lot, por këtë herë qaja edhe unë sepse s’ishim ndarë ndonjëherë. Vallet e tjera që duhet të dija, m’i mësuan balerinat e tjera. Nuk kërcyem në Balshoi Teatër, por pamë shfaqje e shëtitëm si asnjëherë. Bëmë disa turne në fakt, kur isha pjesë e baletit.
Si ndodhi që kaluat në teatër?
Unë gjithmonë e kisha pëlqyer shumë teatrin, aty kisha njohur Ndrekën, tim shoq, mirëpo sapo isha emëruar soliste e dytë në balet, kur ndodhi që një aktore e teatrit, Afërdita Taci, sëmuret dhe drejtoritë u morën vesh me njëra-tjetrën dhe kërkuan që të shkoja unë në Teatrin Popullor. Me urdhër, unë kaloj në Teatrin Popullor, në vitin ’60-të. Me një punë fillestare kolosale, ia dola. Menjëherë, një nga rolet e Afërditës, një vajzë kineze të një familje të madhe, e mësova nga Tirana, me tren, për Pogradec, si tekst. Kur mbërritëm në Korçë, bëmë një provë dhe në darkë dola në shfaqje. Kadri Rroshi, që më trajtonte gjithmonë shumë mirë, pas shfaqjes më tha: “Ky është një shkëlqim, nga një rrugë me tren, të mësosh një rol”. Mirëpo, unë e ndjeva që ishin lavde të tepruara dhe gjithë sforcimi i shfaqjes në premierë, më krijoi ngërçe një natë më pas. Falë baletit, arrita që të trukoja pjesën kur humbisja batutën. Mos u mërzit, thoshte Kadriu, ke vetëm dy ditë që po punon me këtë… Më pas, të gjitha rolet e Afërditës i mora unë.
Ju keni shkruar edhe drama, jo pak. Disa prej tyre kanë shkaktuar edhe reagime politike…
Nisa të shkruaj drama në kohën kur në Teatrin Kombëtar pjesët e huaja nuk ishin më të mirëpritura dhe iu dha përparësi dramës shqipe. E kujtoj si tani ministrin e asaj kohe, që erdhi na përcolli fjalën në një mbledhje, se ishte marrë një vendim për të forcuar dramaturgjinë tonë. Atëherë vlonte dramaturgjia, megjithatë ai kështu ishte porositur. “Edhe ju, mundohuni si ata të parët tuaj, ta forconi!”, Mua m’u duk një gjë shumë e bukur dhe shkrova menjëherë, që në atë javë, pas asaj bisede, në ato kabinat tona të ngushta. Sapo isha bërë me një fëmijë dhe ikja dy orë përpara shfaqjes për të shkruar. Të mos kisha mamanë, nuk do t’ia kisha dalë.
MIMIKA LUCA, NË TEATËR E KINEMATOGRAFI
Që kur u shfaq për herë të parë në ekran, në filmin “Detyrë e posaçme”. Ishte viti 1963, kur vajza nga Gjirokastra, e cila kishte nisur ëndrrën e saj si balerinë duke interpretuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (1951- 1962), përzgjidhet nga regjisori Kristaq Dhamo për të interpretuar në këtë film. Filmi ishte bazuar në ngjarje reale të viteve ’50. Tomorri ishte një i infiltruar në një grup të agjenturave të huaja. Ai fiton besimin e Zylfiut, Eminesë, Ndrek Gjergjit, të lidhur me agjenturat, dhe Anton Murrizit, që vjen nga jashtë. Kështu, Tomorri zbulon dokumente sekrete, baza dhe mjete komunikimi. Tomorri lufton për të shkatërruar këto agjentura. Me një skenar tipik komunist, ajo çfarë do të ishte e paharrueshme për aktoren e re në këtë film, është fakti që personazhi kryesor, Tomorri, interpretohet nga ai që do të ishte dhe dashuria e saj e jetës, aktori Ndrek Luca.
Mimika u pranua më vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si p.sh: Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet” etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Në vitin 1972, ajo interpreton në filmin “Kryengritje në pallat”, nën regjinë e Xhanfize Kekos, ndërsa në vitin 1978 në filmin “Kur hidheshin themelet”, me regji nga Vladimir Prifti dhe skenar nga Kolë Jakova. Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës te “Treni niset në shtatë pa pesë”.
Në rolin e nënës së Gjergjit, ajo do të jetë dhe te filmi “Të shoh në sy”, me regji të Mevlan Shanajt. Duket se rolet e nënave apo të edukatoreve ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”. Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë. Një nga filmat e fundit ku Mimika Luca ka interpretuar është te filmi “Viktimat e Tivarit”, një film i vitit 1996, me regji e skenar të Ekrem Kryeziut, në kastën e aktorëve të të cilit ishte dhe bashkëshorti Ndrek Luca. Kjo aktore modeste ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare. Krahas aktrimit, Mimikës i pëlqente edhe të shkruante. Ajo shkroi edhe disa drama, më e njohura “Drita”. Në vitin 1977, ajo kaloi si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë.
Burimi / Panorama.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.