Në fokus

June 30, 2016 | 8:44

Mimoza Ahmeti: Imitimi i vetes më bën kreative!

1Unike në qëndrimet e saj, e përsosur në perceptimin individual dhe në admirim të vazhdueshëm karshi kënaqësive natyrore. Liri të menduari pa kushte, ku vetëm ajo di ta bëjë të identifikueshme veten. E udhës të përçojë dhe jetojë momente të papërsëritshme në botën e vet Mimoza Ahmetit. Dhe kur i duhet të flasë për veten, i pëlqen që vetëm atë të imitojë, duke nënkuptuar dhe disa vete të paimagjinueshme, të cilat i përsërit sa herë ripërjetimi i tyre e bën të lumtur!

Kë admironi dhe imitoni?

Admirojmë atë që na bën të vazhdueshëm e premtues për çka jemi. Admirojmë atë që duam dhe nuk e kemi. Admirojmë diçka krejt ndryshe nga ajo që jemi e bëjmë, por që na plotëson kundërvers imagjinatën. Admirojmë freskinë, shprehjen e shpirtit, marrëzinë dhe sidomos dashurinë me puthjet pa ndërgjegje. Ka dhe admirime të tjera. Admirojmë qiellin për pafundësinë dhe atë që është kënaqësia e përsosur e qenies pa kusht, që rrallë e arrijmë dhe duam ta mbajmë. Imitojmë higjienën, cigaren, ecjen, parfumet. Në përgjithësi, imitojmë ato gjëra që nuk do të na kishin shkuar ndërmend të jetonim vetëm, në planet. Por ajo që imitojmë kryesisht është vetja, dhe imitimi i vetes më të mirë na bën kreativë. Imitimi i vetes më të mirë të mundshme, apo që kemi pasur, apo që do të kemi, është kënaqësia më e madhe e njeriut. Unë kam pasur disa vete të paimagjinueshme. Në këto momente do të isha e lumtur të rijetoja në njërën prej tyre. Por kjo nuk më bën të heq dorë nga kjo vete që kam tani.

Si i keni ndarë këto dy tipare në rritjen tuaj?

Imitimi dhe admirimi janë të varura nga krijimi. Krijimi është vëmendja për t’u orientuar e ndryshuar. Në përgjithësi ajo që na kënaq është krijimi, ai na përbën. Admirimi është tërheqja, kurse imitimi është thjesht kohë.

Po te fëmijët si i keni përçuar këto vlera?

Fëmijët e mi janë të ndryshëm prej meje dhe njëri-tjetrit. Bota e tyre nuk është formuar në një sfond social të njëjtë me timin. Ne jemi rritur bashkë deri në njëfarë pike, por më parë, shoqëria ishte e strukturuar fort dhe bota i ngjante shkakësive e pasojave të drejtuara. Bota tani është jolineare, e papritur dhe pa vazhdim realiteti fizik. Segmentimi i saj ka prurë forma të reja përjetimi. Lidhjet dhe nyjet ku mbahet jeta e njeriut janë pothuaj virtualizuar, deri në atë shkallë, saqë realiteti ka një vazhdim të thërmuar dhe vlerat janë të lëvizshme me shpejtësinë e takimeve të reja, që janë kaq lehtë të mundshme dhe po aq të harrueshme. Por elementi thelbësor vazhdon të mbetet vetja, dhe kjo është vlera absolute që ka secili njeri në kohën tonë. Fëmijët e mi kanë një vete të fortë e të bukur, që nuk është thjesht ego, por mirësi, rini, gëzim e dëshirë për dritare shikimi. Unë shpesh dua t’ju ngjaj dhe kam marrë shumë prej tyre.

Botuar në revistën Psikologji, nr.70

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top