Dëshmi

October 22, 2018 | 11:13

Mimoza Haxhiaj: Të tregosh forcë edhe atëherë kur nuk ke!

Ajo ka një karrierë prej 18 vitesh në gazetari dhe përveç kësaj, kohët e fundit është angazhuar dhe në një platformë për të drejtat e grave dhe përfshirjen e tyre në politikë. Mimoza Haxhiaj, aktualisht kryeredaktore në TVSH, tregon për jetën e saj dhe se çdo problem që has e trajton si të ishte i saji. Gjithmonë e ka pasur pasion të qenit drejtuese dhe për të ndryshuar gjërat që për të duken të padrejta.

Nga Brikela DACI | Foto: Vlasov SULAJ

Fillimet e tua si gazetare datojnë që në vitin 2000. Këtë vit u mbushën plot 18 vite në gazetari.

Gazetarinë e kam nisur që studente. Më kujtohet se ishte koha kur nuk kisha as celular, i telefonoja redaksisë nga Posta ose Pallati i Kulturës në Durrës, ku më kishin lënë një zyrë, për të pasur mundësi që të ulesha të shkruaja e më pas të nxitoja në një qendër interneti të hidhja atë ç’ka kisha shkruar, për t’ia dërguar redaksisë me e-mail. E nisja ditën shumë herët, në orën 07:00, kur vinin gazetat në Bibliotekën e Durrësit, u hidhja një sy titujve, lexoja artikujt më të rëndësishëm e më pas u drejtohesha institucioneve për të marrë lajmet e ditës.

Nga një ish-gazetare në RTSH, u riktheve si Kryeredaktore e Njësisë së Emisioneve Tematikave dhe Lajmeve po aty. Si ishte fillimi dhe sa e zotëron sot të qenit një lidere?

Kam punuar si gazetare në RTSH nga viti 2003 deri në fund të vitit 2007, kur u larguam për shkak të një reforme që u bë në atë kohë. Sot punoj po aty me po të njëjtin pasion. Kam punuar në media kombëtare e ndërkombëtare. Sot, që të jesh lider duhet të nxjerrësh më të mirën nga gazetarët, duke i stimuluar të arrijnë të pamundurën.

Si e përballon gjithë këtë ngarkesë? Të drejtosh një Newsroom lajmesh në një televizion është si një tren ekspres, që ti duhet ta drejtosh e përthithësh nga një ritëm frenetik që nuk të lë të mendosh asgjë tjetër.

Unë kam parimin tim: “mos trego kurrë dobësi”. Nuk bisedoj kurrë nga një pozicion humbësi, por nga një pozicion force, dhe nëse nuk e kam forcën, veproj në mënyrë të tillë, që të gjithë të besojnë se e kam. (thashë një sekret). Sekrete të tjera?! Përpiqem t’i dëgjoj të gjithë, t’i kuptoj, vihem në vendin e gjithsecilit, të kuptoj si veten dhe arsyet e gjithsecilit për të mbrojtur një ide apo reaguar në një mënyrë të caktuar. Por mua më duhet të marr një vendim, e në këtë rast e gjendur edhe mes dy a më shumë palëve, në ndihmë më vijnë parimet e punës, institucionit. Ndjek ato pa parë se kujt i vij kundër. Ky është sekreti që të bën të besueshëm e të suksesshëm në menaxhimin e burimeve njerëzore. Një kryeredaktori dashje pa dashje i bie të merret jo vetëm me lajmet, por edhe me këtë aspekt.

Mimoza Haxhiaj jo vetëm punon shumë, por edhe studion shumë. Nuk je mjaftuar vetëm me një Universitet në Tiranë për Gjuhë-Letërsi, por ke bërë edhe disa studime pasuniversitare.

Universiteti?! Për mua është pasion dhe interes. Nuk mund të krijosh një personalitet të spikatur, nëse nuk studion, por dhe punon shumë. Kur zgjodha universitetin si fillim u konsultova me babain tim, të cilin e kam këshilltarin më të mirë në jetë, por ndoqa dhe zemrën, mendjen, kultivimin e interesave për të ardhmen time. Ajo që unë kam studiuar ka qenë dhe është e dobishme për mua në punë. U diplomova në Fakultetin Histori-Filologji për Gjuhë-Letërsi si fillim, master në gazetari në Romë dhe më pas përfundova Masterin e Shkencave për Politikë dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Në fakt nuk është e thjeshtë të kombinosh studimin dhe punën. Fillova të bëhesha gazetare kur isha 18 vjeçe dhe në atë moshë qëndrueshmëria dhe pasioni im për të studiuar nuk ishin më të mirat. Por pasioni ka lulëzuar me vitet, sepse edhe kur studioja, çdo gjë më ishte e dobishme në punën time. Njëra ndihmon tjetrën. Ushqejnë njëra-tjetrën.

Si e keni pajtuar studimin dhe punën bashkë?

Sigurisht, nuk ishte e lehtë për të gjetur energjitë dhe përqendrimin e duhur. Pasioni për të studiuar dhe punuar ka qenë vendimtar. Pavarësisht se mendoj që praktika, puna të mëson më shumë, studimi i duhur ndonjëherë të shkurton vite të tëra kërkimesh në punë. Sepse të tjerë kanë kërkuar duke punuar përpara nesh, dhe na i japin këshillat e tyre pikërisht që të mos humbim kohë. Studimet dhe praktika në punë nga ana tjetër më dha një kulturë që ka hapur mendjen time dhe mjetet që më lejojnë për të hetuar më mirë realitetin.

Ajo që të ka drejtuar, busulla jote, ajo çfarë doje të shihje në fund të tunelit, cila ka qenë dhe a përputhet me atë që je sot?

Shihja shumë gjëra që nuk shkonin siç duhet, e gjithmonë kam dashur që një ditë të mund të jem vetë në drejtimin e gjërave, të jem më lart, sepse nga aty është më e lehtë të bësh ndryshimet që do. Dhe aty jam. Por udhëtimi nuk mbaron këtu…

Ia ka vlejtur që i je përkushtuar gazetarisë apo të ka mbetur diçka tjetër pa bërë?

Nuk pendohem për zgjedhjet që bëj. Nuk jam penduar asnjë çast që bëj këtë profesion, pasion për mua.

Si globalizimi ka ndryshuar gazetarinë? Revolucioni dixhital, ndryshim i pandalshëm…

Globalizimi i informacionit i ka zgjeruar kufijtë, duke ripërcaktuar rolet dhe detyrat edhe brenda redaksisë. Një proces ndryshimi më i shpejtë sesa aftësitë e gazetarëve për t’iu përshtatur. Çdo gjë ka lëvizur dhe është përshpejtuar aq thellë saqë edhe ndryshon e vendos rregulla të reja të angazhimit profesional. Mendoj se arsyeja pse gjigantët e internetit janë kaq të interesuar për të kontrolluar rrjedhën e informacionit është se lajmi është bërë monedha e vërtetë e këmbimit për botën dixhitale sociale. Dallimi ndërmjet mediave “të vjetra” dhe “të reja” me gjasë tashmë ka dështuar ose ka humbur kuptimin. Ardhja e platformave të blogimit dhe pastaj rrjeteve sociale i ka shndërruar sot këto të fundit në skenën e informacionit.

Mediat sociale sot janë bërë një vend ku mund të krijohen apo gjenden lajme. Nga kjo pikëpamje, gazetat dhe mediat kryesore kanë humbur një pjesë të informacionit të tyre ekskluziv. Të mendoje se lajmet mund të bëheshin të tilla, pa u shkruar nga stilolapsi i një gazetari ose nga një faqe në gazetë ishte e paimagjinueshme në një epokë para internetit.

Një qasje e re ndaj gazetarisë, bota e informacionit ndryshoi me ardhjen e internetit, nisi një ndryshim epoke…

Rrjetet sociale iu japin të gjithë përdoruesve aftësinë për të krijuar përmbajtje informacioni dhe për ta ndarë atë me audiencën e tyre. Për informacionin, siç kemi parë, kjo përkthehet në humbje të ekskluzivitetit për gazetarinë tradicionale në procesin e krijimit të lajmeve.

Lajmet shpeshherë lindin në Facebook, apo në rrjetet e tjera sociale, ose mund të quhet se komunikohen në personin e parë, pa ndërmjetës. Roli i gazetarisë tradicionale në këtë kuptim ka evoluar. Ne kemi kohë që jemi zhytur në një realitet gjithnjë e më shumë dixhital. Gjithnjë e më shumë gazetarët punojnë nëpër redaksi për të zgjedhur, verifikuar dhe shpërndarë lajme nga rrjedha e pafund e rrjetit, pa kryer një hulumtim tërësor apo kontaktuar me botën e jashtme. Bota e informacionit ka ndryshuar me ardhjen e internetit, i cili nisi si një ndryshim epoke. Për herë të parë në histori, njerëzit mund të kenë qasje në komunikim.

Megjithatë, kapërcen edhe si aktiviste për të drejtat e grave…

Po. Kam dashur të jem shumë e plotësuar. Duke qenë se kam përfunduar edhe studimet për shkenca politike, dua të jem pjesë e grave në politikë, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Dhe jam shumë aktive në Rrjetin e Gruas “Barazi ne Vendimmarrje”, kam drejtuar zyrën e shtypit, Koordinatore e disa projekteve në disa rrethe të Shqipërisë.

Misioni i kryesor i Rrjetit është përmbushja e barazisë në vendimmarrje dhe fuqizimi i pozicionit të gruas në fushat kyçe të shoqërisë shqiptare, duke synuar një zhvillim të gjithanshëm dhe të plotë të vendit. Rrjeti i përkushtohet ndihmës së grave për të formuar aftësitë dhe infrastrukturën e duhur për të qenë lidere efektive në fushat përkatëse dhe veçanërisht në politikë, si dhe për të frymëzuar gratë e reja të bëhen pjesë aktive e politikës dhe e vendimmarrjes.

Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, rrjeti synon të fuqizojë rolin e gruas në Shqipëri dhe të nxisë bashkëpunimin e grave që konkurrojnë për poste politike, që shërbejnë në poste publike, në shoqërinë civile apo në media.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top