Marrëdhënie

May 12, 2016 | 8:29

Mimoza Hysa: Mashkulli romantik… pjellë e fantazisë femërore

A ekziston mashkulli romantik?

Mashkulli romantik me tufën e luleve dhe dhuratat në krahë është pjellë e fantazisë femërore dhe si i tillë nuk ekziston. Mes romantikes dhe dhuratave ka një kontradiktë: e para ka të bëjë me ndjenjat e dyta, me materialen. Medoemos ka burra të ndjeshëm, ashtu siç ka maniakë dhuratash të kurdisur në ditën e caktuar, që dyshoj në janë të ndjeshëm.

Cilat janë pakënaqësitë e një gruaje ndaj mënyrës se si një burrë e jep dhe shpreh dashurinë?

Nuk bëj pjesë në steriotipin e gruas së pakënaqur nga mungesa apo dhurata e gabuar. Në rini, kur ende nuk e di mirë se çfarë kërkon, priresh nga zgjedhjet kolektive: lule për ditëlindje, dhurata me raste festash, por intuitivisht kam zgjedhur njeriun që di se çfarë dua: Fjala është për mua Shtëpia e Shpirtit dhe Ai ka gjithnjë fjalën e duhur në momentin e duhur.

Sa kohë ju është dashur në fillim të kuptoni ndryshueshmërinë?

E kam kuptuar shpejt që nuk është mashkulli i tufës me lule: ka harruar të më sjellë dhe ditën e martesës, por e ka plotësuar dhe tejkaluar me ca trille të papritura: psh. një fustan nuseje vitrine thjesht për një ditë, sa për të më parë nëpër shtëpi me të, vetëm se unë i kisha thënë kalimthi që ishte shumë i bukur.

Keni ndryshuar, apo thjesht e keni pranuar burrin dhe mënyrën e tij të dhënies së dashurisë dhe vëmendjes?

Kam qenë vajzë e përkëdhelur në shtëpinë time dhe harresën e dhuratave për ditëlindje e kam kapërdirë disi me vështirësi. Tani nuk pres më dhurata në ditë festash. Dashuria është krejt origjinale tek gjithsecili: nuk besoj se njëjtësohet me dhuratat. Ka shumë momente të tjera jeta për të matur vëmendjen e të dashurit. Dhuratat ndoshta janë qershia mbi tortë; pretendoj tortën edhe pa qershi.

A është e vërtetë se burrat janë të disponueshëm përgjysmë?

Unë mendoj se në një çift të dy jepen përgjysmë, aq sa për të qenë në ekuilibër; pjesa tjetër është gjithnjë për vete. Nuk besoj në dyshen e shkrirë në një, se çdo shkrirje ka humbje. Pretendimi i faljes tërësore fsheh pamundësi mëvetësie. Koha për veten është shumë e shenjtë për të dy dhe mua më mjafton të jetë i disponueshëm vetëm kur është e nevojshme.

Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top