Nga: Manjola Baçi
M.Sc. Psikologe Klinike
Gjatë gjithë jetës sonë do të jemi të rrethuar nga miq e mikesha. Ajo çka do të mbetet është hijeshia e tyre, pasi na kanë frymëzuar dhe mbështetur në nevojë e kënaqësi. Ndiejmë ngazëllim kur bie fjala për miqtë tanë më të mirë dhe mburremi me ta kur i kemi pranë vetes apo dhe në distancë. Këtë ndjesi lidhjeje e kemi të trashëguar, por pse jo, sot edhe të induktuar. Kjo e fundit është më shumë si interpretim adoleshencial, që nëse nuk ke miq, nuk je i preferuar apo diçka edhe më fyese.
Lidhja midis dy apo një grupi njerëzish është tregues i aspektit informues, por edhe atij emocional. Ndaj kjo nevojë vjen si natyrsh-mëri e kërkesave që duam të krijojmë dhe përjetojmë. Koha është një indeks që fluskon si për të thënë që koha e miqësisë është e vyer dhe duhet shijuar. Askush nuk është i përjashtuar, kur bëhet fjalë për të pasur miq. Ama është tjetër gjë kur zgjedh dhe kur zgjid-hesh nga këta miq.
Miqësia e ka prejardhjen e saj nga rrethi familjar e më gjerë se kaq, ai farefisnor, e cila ka ndihmuar të modelojë nëpërmjet rrugës së ngushtë, që është familja. Prej aty karakteri i individit krijohet dhe fiton aftësi, nga e cila ka një peshë dhe vlerë të shtuar për njeriun adult. Për nga rëndësia vlen të analizosh sjelljen e individit përkundrejt zgjedhjes dhe interesit. Si një zakon i vjetër, historitë e mbushura me eksperienca miqsh kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë sesi po transformohet kjo gjuhë e miqësisë. Temperamenti i individit është derivat i sjelljeve të mësuara dhe të fituara gjatë procesit të jetës, ku udhëhiqet për nga ndjesitë sesi e percepton dhe shijon ai botën e prekshme dhe atë virtuale. Në rrethin e miqësisë sonë bëjnë pjesë edhe miqtë virtualë. Kjo më herët nuk është pritur mirë nga një pjesë e shoqërisë sonë, pasi pjesëmarrja në këto kontakte në distancë ka qenë mjaft skeptike dhe deridiku paragjykohej, ndërsa sot jo vetëm që vlerësohet, por ka bërë të mundur shkëmbimin përtej asaj virtuale, të prekshme. Ka shumë rëndësi sesi përcillet dhe ushqehet nevoja për të pasur një mik, jo vetëm nga familja, por nga të gjithë këta aktorë të shoqërisë. Nga këtu dalin në pah karakteristika individuale sesi e interpretojnë ata domosdoshmërinë për të pa-sur dikë që të ndajë ndjesitë. Këto ndjesi lindin në djepin familjar dhe zhvillohen në proces rritjeje. Ajo modelohet nga reflektimi i prindërve apo kujdestarëve që janë kujdesur për rritjen tonë. Neve na mësohet sesi t’i duam të tjerët dhe të mos i lëndojmë ata, ndaj e kemi të lehtë që të kemi dikë afër për ta mbrojtur apo për të ndarë lojërat. Pra, ky instinkt evoluohet përgjatë të mësuarit dhe përvetësohet.
Me patjetër ju ka ndodhur të pyesni apo t’ju pyesin se a ke shok/shoqe të ngushtë. Është një pyetje që ndodh rëndom, sidomos kur u drejtohemi fëmijëve. Shumë e vërtetë, py-etje që buron po nga ky instinkt i të përvetësuarit me domosdoshmëri për të treguar se socializimi është produkt zhvillimi dhe mundësi për të nxjerrë një pjesë të altruizmit që ndodhet brenda nesh.
Si shihet miqësia sot?
Miqësia nuk ka ndryshim për nga kohët ku jetohet, as nuk është ndryshuar koncepti. Individët jo vetëm për nga mënyra sesi e bëjnë zgjedhjen e miqve, por mendojnë se është më mirë të kenë miq apo jo. Ky ndryshim ndaj rrethit vicioz është bërë më i ashpër jo për nga ndjesitë, por nga mungesa e kohës për t’iu përkushtuar miqve.
Dikush ka një miqësi më të përhapur, e dikush një miqësi më të ngushtë. Është më shumë si përkufizim me lojëra fjalësh, që sido që të jetë miqësia shkon drejt asaj më të ngushtë. Teksa lexojmë gjithë kohës, po mendojmë për këta miqtë tanë, nga të cilët sa herë i “sitim” apo bëjmë rezyme rreth tyre rezultati varet dhe mund të ndryshojë. Nëse mendoni se keni miq të mirë, arrini të kuptoni nëse ia vlen t’i mbani afër vetes. Janë këta miq të mirë që njohin dhe dinë gjithçka për ne. Kur ne nuk u druhemi komplekseve tona, por përkundrazi i vëmë në dijeni për çdo ndryshim që ndodh në personalitetin tonë. Miqësia ka ndikim të madh te sjelljet dhe mendimet tona. Ne përfitojmë ose mund të humbasim ndjeshmërinë për ta zgjidhur edhe vetë një situatë pa qenë me miqtë. Miqësia me dikë shihet në kontekstin nëse e përmirëson ose jo gjendjen tonë. Nëse ky ndikim nuk tregon pozitivitet, por na tjetërson personalitetin, vlen për t’u trajtuar dhe peshuar mirë se sa vlerë ka kjo miqësi. Ndodh që përgjatë miqësisë ka edhe qejfmbetje, por kjo mund të shpëtohet nëse palët e duan një gjë të tillë.
Ne zgjedhim ose na zgjedhin për të pasur miq. Në rastin e parë, lidhet drejtpërsëdrejti me subkoshiencën tonë, pra ne zgjedhim të ngjashmin tonë, edhe pse veprimet nuk ngjajnë ne thjesht i vëmë në plan ose në jetë. Ndërsa në rastin e dytë, zgjedhja që vjen prej atyre është po kjo natyrë që ata duan të jenë si ty dhe të mund të mësojnë prej sjelljeve tuaja, pasi kanë boshllëqe dhe druhen për të qenë aq selektivë apo të çlirët. Ne shpesh e kapim veten që kopjojmë ose na kopjojnë sjelljet, manierat (gjestet) tona të të shprehurit. Edhe jemi ndier në vështirësi, por edhe jemi kënaqur kur jemi frymëzimi i dikujt, duke filluar nga miqtë. Është një cikël ku ne marrim dhe japim nga njëri- tjetri. Ndaj kur vjen puna për të shquar më të mirin, ky kontribut shpirtëror ndahet dhe vlerësohet kundrejt monedhës “më mirë një mik, se sa një thesar”. Jeta njerëzore ka vërtetuar që miku nevojitet në situata të vështira, se në gëzime të gjithë duan të gëzohen. Por kemi dhe një medalje tjetër të saj. Vështirësitë më të mëdha të jetës përjetohen vetëm, jo për të qenë të zymtë, por për t’u përgatitur se në jetë lind i vetëm dhe vdes i vetëm. Përpos kësaj, miqësia mbetet një pjesë miniere, që për hir të po kësaj të vërtete nuk e përjetojnë të gjithë.
Më e mira e miqve është më e mira jonë
- Jemi ne ata që duhet ta ushqejmë miqësi-në, por edhe të marrim prej saj.
- T’u gjendemi sa miqtë kanë nevojë për ne.
- Të flasim hapur kur nuk na pëlqen sjellja, pasi nëse jo, situata tjetër do të jetë edhe më e pakëndshme.
- T’i surprizojmë miqtë tanë me diçka që u pëlqen.
- T’u besojmë dhe të vlerësojmë gjithçka ndajmë me ta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.