Miqësia është një lule e rrallë, që duhet kultivuar dhe rritur me kohën. Shpesh krahasohet si një lidhje dashurie për nga rëndësia që ajo ka…
Miqësitë e vërteta janë ato ku mund të thuash lirshëm çdo gjë me besimin maksimal. Disa zgjasin gjithë jetën, të tjera forcohen me kalimin e kohës. Në çdo rast miqësia mbetet një nga vlerat më të rëndësishme në të gjitha moshat, edhe pse me kalimin e viteve ajo ndryshon. Të mund të mbështetesh te miqtë është një ndër funksionet psikologjike më të vlefshme për mirëqenien personale e sociale. Gjithashtu, miqësia kryen një rol mbrojtës përballë ngjarjeve stresuese dhe pasuron jetën e një njeriu. Miqësia e vërtetë është një temë shumë e debatuar edhe në forumet sociale dhe zakonisht njerëzit i referohen si e vetmja gjë ku mund të besosh gjithmonë. Të flasësh dhe të përballesh me një mik të besuar përfaqë- son në fakt, një element të rëndësishëm si për zhvillimin dhe maturimin psikologjik ashtu edhe për të minimizuar problemet stresuese.
Miqësitë në adoleshencë
Në adoleshencë miqësia kryen një funksion shumë të rëndësishëm në udhën e rritjes së të rinjve. Mësuar me rregullat dhe edukimin në familje, miqësia me moshatarët ofron modele të reja të të menduarit dhe të sjelljes. Është një pikë referimi e ndryshme nga modelet tipike familjare të fëmijërisë. Në këtë moshë, miqësitë e vërteta shpesh përjetohen me ndjesitë më ekstreme. Adoleshentët sillen pothuajse njësoj për çdo gjë (bëjnë gjithçka bashkë, vishen në të njëjtën mënyrë, etj.). Mbështetja dhe miratimi i familjarëve ndihmon për të përcaktuar dhe përforcuar më mirë identitetin ende të paqartë dhe të pasigurt.
Miqësitë në moshën madhore
Në adoleshencën e vonë dhe në moshën madhore, shpesh miqësitë e vërteta e humbasin karakterin e tyre të ekskluzivitetit dhe të funksionit që kanë. Ka më tepër hapësirë për individualitetin dhe përgjegjshmërinë personale dhe për rrjedhojë edhe për shkëmbim dhe krahasim mes njëri-tjetrit. Pikërisht për këtë arsye, miqësitë e vjetra të adoleshencës mund të prishen apo të humbasin interesin. Shpesh për këtë arsye, nuk ndihet nevoja e një miku si pasqyrë e vetvetes, i cili riprodhon dhe miraton çdo zgjedhje personale, por marrin hapësirë shumë tipologji të tjera. Miqësitë e vërteta mund të jenë më tepër se një, mbi të gjitha, sepse miqtë duke qenë se janë të ndryshëm nga njëri-tjetri mund të ofrojnë dikush besimin dhe mbështetjen, dikush tjetër argëtimin dhe një tjetër bashkëpunimin dhe bashkëndarjen e projekteve të së ardhmes.
Miqësia dhe mirëqenia psikologjike
Të mund të mbështetesh te gatishmëria dhe ndihma pa asnjë interes e miqve, përfaqëson një element shumë të rëndësishëm. Në psikologji një mik i mirë që të jep mbështetjen e duhur njihet si një prej ndihmave më të mëdha për të përballuar ngjarje të jetës jashtëzakonisht stresuese siç mund të jenë divorci, vdekja e dikujt, sëmundjet, lindja e një fëmije, problemet financiare apo edhe problemet në punë. ‘Një mik i mirë njihet në ditë të vështirë’ thotë një shprehje e urtë dhe kur në ditët e vështira e ke pranë një të tillë, mund të ndihmojë shumë shëndetin psikologjik dhe t’i japë një dozë të mirë gjallërie mirëqenies psikologjike. Një mik i vërtetë, që të kupton dhe është pranë kur ke nevojë, që nuk të zhgënjen kurrë, është njësoj si partneri i duhur, por në fakt është krejtësisht tjetër gjë. Ndoshta duhet të mos e ngarkojmë miqësinë me pritshmëri të pamundura, por t’i japim vlerën e duhur si një marrëdhënie e shëndoshë, por edhe e vështirë gjithashtu, e cila nuk duhet idealizuar gjithmonë. Miqësia është si dashuria: nuk e gjen, por e ndërton dita-ditës. Njerëzit e idealizojnë miqësinë dhe shumë keqkuptime dhe zhgënjime vijnë pikërisht prej kontradiktës midis ideales dhe reales. Si kriter i miqësisë shpesh përdoret niveli i intimitetit dhe i besimit që i jep mikes apo mikut të ngushtë.
Në të mirë dhe jo vetëm në të keq
Paradoksalisht është më e thjeshtë t’i qëndrosh pranë një mikeje në momentet e vështira se sa në fazat e transformimit dhe të rritjes, edhe pse e duam shumë atë. Por në momente të caktuara të jetës, atëherë kur ne kemi nevojë për të (qoftë edhe për të ndarë një lajm të mirë) mikesha nuk është pranë nesh dhe këtu biem në kundërshtim me veten. Shpesh bëjmë gabimin e pavetëdijshëm kur fillojmë dhe gjykojmë se përse nuk kemi marrë mbështetjen e duhur. Duhet të pyesim veten, mbi të gjitha, nëse në të kaluarën na ka dhënë prova dashurie apo jo. E nëse përgjigjja është ‘jo’, një mik mund ta pyesësh pa droje nëse mund t’i japë më lidhjes miqësore apo jo.
Një lloj ‘dashurie’
Ajo që i bën miqësitë të zgjasin në kohë është aftësia për t’u përballur me ndryshimet. Megjithatë, është e pamundur të kuptosh se çfarë dallimi ka karakteri juaj dhe ai i mikut apo mikeshës. Këto diferenca kuptohen me kalimin e kohës. Ashtu si një lidhje dashurie, edhe miqësia fillon zakonisht me ‘dashurinë’, një shkëndijë si shenjë afërsie apo përputhjeje, një moment kur pëlqehesh, por më pas, me kalimin e kohës dhe rritjen, janë të domosdoshëm përbërës të tjerë, si besimi reciprok, pranimi dhe aftësia për t’u kujdesur për të.
Jo ekskluzivitetit
Një marrëdhënie miqësie absolute, ku nuk duhet të afrohen dhe pranohen njerëz të tjerë, ka diçka të dyshimtë në thellësi të saj. Miqësi do të thotë bashkim dhe harmoni, por në të njëjtën kohë edhe pavarësi dhe mbi të gjitha duhet të na bëjë njerëz më të mirë. E vetmja marrëdhënie simbiotike, shumë e ngjashme është ajo midis nënës dhe fëmijës në muajt e parë të jetës. Por në miqësi, nuk duhet të ketë ngjashmëri me marrëdhënien nënë-fëmijë, pasi shndërrohet në një marrëdhë- nie abuzive, ku një person mbyt apo dominon tjetrin.
Diferencat dhe reciprociteti
Një nga shkaqet më të shpeshta të prishjes së një miqësie është paaftësia për të pranuar diferencat dhe për rrjedhojë veçantitë e karakterit të mikut apo mikeshës. Megjithatë, për këtë rrallëherë jemi të vetëdijshëm dhe kur një mikeshë reagon ndaj një sjelljeje që bëjmë në mënyrë të papërshtatshme, ndihemi të ofenduar, të zhgënjyer dhe të tradhtuar dhe nuk e marrim në konsideratë faktin më të thjeshtë, që ajo nuk është si ne dhe për rrjedhojë ka një tjetër argumentim logjik. Barazia nuk është identitet. Në fund, për të qenë miq të mirë dhe për të gjetur po ashtu miq të vërtetë duhet të ekzistojë një dëshirë reciproke për miqësinë, sepse në miqësi, ashtu si dhe në dashuri, duhet të jemi dy njerëz, dhe ndonjëherë e harrojmë këtë gjë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.