Në fokus

August 31, 2016 | 6:00

Miqësia mashkull-femër si të ecësh mbi akull!

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Formimi i përshtypjeve të para, atribuimi, ndërveprimi social dhe nevoja për praninë e të tjerëve janë procese që mund të lidhen me marrëdhëniet tona me çdo njeri, por miqësia, dashuria, tërheqja janë selektive. Jo çdokush mund të bëhet mik apo i dashuri juaj.

 

Miqësia, tërheqja dhe dashuria kanë mjaft rëndësi për jetën sociale. Miqësia, tërheqja reciproke janë ndjenja pozitive, miqësia e ngushtë është edhe më shumë. Ekziston një shoqërim i ngushtë midis zgjedhjes së miqve dhe afërsisë së tyre fizike. Por jo gjithnjë, ashtu siç rezulton dhe nga statistikat, afërsia çon në një tërheqje reciproke. Afërsia gjeografike është pararendësja e të pëlqyerit të tjetrit. Një nga shpjegimet e kësaj është se njeriu më shpesh merr shërbime sociale nga ata që janë më afërt dhe si rrjedhim miqtë më të afërt është më e mundshme të bëhen më shpërblyes se ata për të cilët kërkohet më shumë kohë e përpjekje për t’i pasur pranë. Sipas statistikave të kryera në Shqipëri dhe më gjerë, rezulton qartazi që çdokush pëlqen te tjetri cilësitë e personalitetit që nuk i ka vetë. Pra të kundërtat tërhiqen dhe mund të mendohet se mungesa e ngjashmërisë çon në tërheqje reciproke në rritje, sidomos në qoftë se këto ndryshime midis partnerëve e bëjnë një partner të plotësojë më mirë nevojat e tjetrit.

 

Young couple sitting on sofa

A është e mundur miqësia mes një burri dhe gruaje?

Miqësia me gjininë e kundërt është si të ecësh mbi akull të hollë. Me kalimin e viteve krijohet bindja se herët a vonë ‘miqtë’ do përfundojnë të lidhur, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Rezultatet e një sondazhi ballkanik, kryesisht Shqipëria, ku janë përfshirë në studim mbi 3 mijë meshkuj e femra të pamartuar, nga mosha 20 deri 50 vjeçe, rezultoi se 44.6% e meshkujve dhe 57.9% e femrave shprehin bindjen se mes miqësisë se një femre me një mashkulli ka synime të dyfishta. Femrat janë më të gatshme për të besuar për një raport miqësor me meshkujt, duke lënë mënjanë instinktet seksuale. Skeptikët, të cilët mendojnë se raporti i miqësisë mes një femre dhe një mashkulli është i pamundur janë 21.7% në radhët e meshkujve dhe 16.6% në radhët e femrave. Janë të shumtë ata që thonë se meshkujt dhe femrat nuk mund të jenë ‘vetëm’ miq. Por, disa të tjerë insistojnë në të kundërtën. Kufiri midis miqësisë dhe ‘diçkaje më tepër’ është shumë i hollë. Në çdo moment mund të lindë dashuria apo epshi midis këtij lloji miqsh.

 

Vërtetoni a gjendeni me të vërtetë në ‘zonën e miqësisë’

Nëse midis jush dhe mikut tuaj nuk ka ‘kimi’, atëherë nuk ka rrezik. Këtë e pohon edhe terapeutja seksuale, Liza Paz, e cila thotë se mosekzistimi i tërheqjes është treguesi më i mirë se midis femrës dhe mashkullit mund të ketë miqësi. Por, nëse krijoni miqësi me personin që ju pëlqen në aspektin seksual, atëherë ruajtja e miqësisë do të bëhet sfidë e madhe.

 

Vënia e kufijve

Në gjithçka duhet ta kemi një kufi të caktuar, duke përfshirë edhe daljet me mikun/mikeshën tuaj. Ju më së miri do ta vëreni kur daljet tuaja në kafene apo këmbimi i sms-ve e kanë kaluar kufirin e miqësisë. Në një rast të tillë, duhet ta pyesni veten, çka doni në të vërtetë? Një në tre burra ëndërron që ta ketë partnere shoqen e tij të ngushtë, ndërsa 50% e grave kanë miq të ngushtë ish të dashurit ose ish-burrat e dikurshëm. Një nga diskutimet e përhershme që shpesh kthehet në ‘mollë sherri’ për çiftet, është prania e një të treti në lidhje, por jo në kuptimin e zakonshëm të rrezikut. Gjithmonë dyshimi se mos shoku i ngushtë i një femre, nuk është thjesht shok i ngushtë ose dyshimi se shoqja e ngushtë e një mashkulli nuk është thjesht shoqe e ngushtë, shoqëron çiftet. Ky ‘i tretë’ është shumë i rrezikshëm dhe lidhja bëhet problematike, sidomos nëse është partneri ai që ka një femër shoqe të ngushtë. Disa psikologë të huaj besojnë se pikëtakimi me seksin në një marrëdhënie të tillë nuk funksionon, prandaj ndodh kalimi i saj në nivel krejt platonik. Fenomeni i tërheqjes shkon deri në kufijtë erotikë, por nuk i kalon ata. Por ka të tjerë që mendojnë se gjithmonë ka një lloj flirti edhe pse jo shumë të dukshëm midis miqve të sekseve të ndryshme. Ata pohojnë se gjatë gjithë kohës ka shenja të tilla dhe, edhe pse ato mund të duken se injorohen nga njëra ose nga tjetra palë, sërish ekzistojnë, injorimi i këtyre sinjaleve dhe shenjave bëhet pikërisht për hatër të miqësisë.

 

Motivet e femrave

Ekspertët thonë se femrat vendosin që të krijojnë miqësi me meshkujt më së shumti në momentet kur kanë ndonjë pakënaqësi me lidhjen aktuale apo me statusin e tyre emocional. Varësisht nga shkalla e pakënaqësisë, luhatet edhe niveli i miqësisë.

 

Motivet e meshkujve

Meshkujt nuk lidhin lehtë miqësi me femrat. Shpesh, një miqësi të tillë e hasim kur femrës i pëlqen seksualisht mashkulli, por këtij të fundit jo. Por në fund, megjithatë, kanë parë se kanë shumëçka të përbashkët, që mjafton për ta filluar miqësinë. Nënkuptohet, të paktën sipas ‘rregullave të miqësisë’, epshi i njërës palë do të duhej të shuhej.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top