“Miqësia, ajo e vërteta, di të lërë hapësirë për tjetrin, t’i japë mundësinë për t’u shprehur lirshëm, – thotë Flaminia Nucci, psikanaliste jungiane në Milano: – Në një raport autentik ka pranim, përballje, bashkëpunim dhe mungesë gjykimi. Ekziston guximi për të qenë i sinqertë. Gjithnjë”.
Kështu, edhe nëse nuk je dakord, kjo gjë nuk i kompromenton ndjenjat: “Nuk kam nevojë për një mik që ka të njëjtin mendim me mua”, vëzhgon në shekullin I filozofi grek Plutarku.
“Dy miq ndajnë emocione, jetojnë një marrëdhënie të ngushtë, të përbërë nga shtysa dhe afrime reciproke, si në një çift, por pa intimitet seksual”, shton Giulia Simonetti, psikologe klinike në Bolonja.
Miqësia është një territor që nuk mbaron kurrë së eksploruari. Gjatë përshkimit mund të ketë edhe pengesa.
“Edhe sot e pyes veten ku kam gabuar me Sarën. Pas 15 vitesh miqësi, u zhduk pa asnjë arsye, – tregon Aida, 36 vjeçe. – E kam marrë në telefon disa herë dhe nuk më është përgjigjur. Në ‘Facebook’ nuk e pranon kurrë ftesën time për miqësi”.
Çfarë fsheh kjo sjellje?
“Kur te tjetri nuk gjejmë më mikun e përjetshëm, kjo ndoshta ndodh ngase kemi bërë zgjedhje të ndryshme”, shpjegon Bregola.
“Ndonjëherë nuk jemi në gjendje t’i vlerësojmë të tjerët me objektivitet. Shpesh, kjo ka të bëjë me kërkesën që na udhëheq në kërkim të një miku: për të krijuar një marrëdhënie, për të ndarë momente me të. Pastaj zbulojmë se ky raport nuk u nënshtrohet nevojave tona dhe menjëherë krijohet distanca mes nesh dhe tjetrit”, pohon Simonetti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.